Reuters: Policia shqiptare fiton ndeshjen e kthimit në Lazarat

Policia Shqiptare ka shpallur fitoren të premten mbi prodhuesit e drogës të cilët për më shumë se 15 vjet, e kishin kthyer fshatin jugor të Lazaratit në një çiflig personal, ku mbillnin hashash në shkallë industriale, të paprekur e të pashqetësuar nga vendi anëtar i NATO-s.

Policia e armatosur me automjete e furgona të blinduar tashmë lëvizin lirshëm në Lazarat, duke vendosur pika kontrolli dhe duke sekuestruar armë pas një operacioni 5 ditor ku u pritën me të shtëna armësh të rënda dhe mitralozë.

Banorët u zgjuan në një fshat pa kanabis, i cili për shumicën prej tyre ishte shndërruar në burimin kryesor të të ardhurave.

Policia ushtron kontrolle në kopshte, rrugë e shtëpi trekatëshe të zbukuruara me gurë të prerë bukur.

Thasë të sekuestruar me kanabis u dogjën, spirale tymi duken kudo në fshatin i cili për vite me rradhë ka penguar Shqipërinë imazhin e “Perëndimit të egër të Ballkanit” që pa rënies së komunizmit në vitin 1991.

“Nuk ka më Lazarat kriminal e të pathyeshëm”, shprehet për Reuters, zëvendësdrejtori i policisë Sokol Bizhga. Ai kujton një ndeshje futbolli mes policisë dhe banorëve të Lazaratit të organizuar këtë vit, si pjesë e një fushate për rritjen e besimit.

“Ne u përbuzëm nga media për humbjen e asaj ndeshje, por ja ku jemi. Ne e fituam ndeshjen e fundit.” shprehet ai

Operacioni policor, i urdhëruar nga qeveria socialiste e cila mori pushtetin në shtatorin e kaluar, ishte në sinkronizim të plotë me mbështetjen e Bashkimit Evropian, e cila do të vendosë në fund të muajit për statusin kandidat për Shqipërinë për integrimin në Unionin Evropian, pas vitesh hezitimi. Droga e kapur në Greqi, Itali dhe Gjermani, kishte si burim Lazaratin, e cila prodhonte gjysmën e kanabisit në Shqipëri.

Mënyrë Jetese

Gjatë 5 ditëve operacion, policia asgjësoi më shumë se 80 mijë fidanë e rrënjë marijuanë dhe mbi 23 ton kanabis. Janë sekuestruar 11 armë të rënda, mbi 7 mijë fishekë, eksplozivë dhe 10 granata. Po ashtu janë arrestuar 14 persona si dhe janë kontrolluar 140 shtëpi.

Pika kyçe ishte të enjten kur një njësi elitare e policisë, duke fluturuar me një helikopter francez Puma, arriti pas dy orësh të shpërndajë një grup kriminelësh të armatosur të cilët kishin edhe armë kundra ajrore, çka kishte ngadalësuar policinë.

Kriminaliteti vijon të mbetet një problem madhor në Shqipëri, e cila kërkon t’i bashkohet familjes evropiane. Lazarati ishte një dhimbje koke e kaosit që u krijua përgjatë viteve ‘90, gjatë tranzicionit post-stalinist të pushtetit të Enver Hoxhës.

Kryetari i Komunës së Lazaratit Dasho Aliko vuri gishtin mbi dhunën me të cilën u përball policia dhe të arratisurit, sipas të cilit nuk ishin banorë të Lazaratit.

“Banorët e mi po ankohen për arrestime të padrejta, dëme të shtëpive. Por gjëja më e rëndësishme është që nuk ka pasur viktima, falë edhe profesionalizmit të policisë dhe fshatarëve.” tha Aliko për Reuters. Megjithatë disa fshatarë janë dukshëm të pakënaqur me praninë e policisë.

“Kur do të largohen?”, pyet një fshatar reporterin e Reuters. Shumë të tjerë pranojnë që trafiku i kanabisit kishte një kohë të gjatë që po vazhdonte, por janë të shqetësuar se çfarë do ta zëvendësojë mënyrën e tyre kryesore të jetesës, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të promovuar prodhimin e veshjeve dhe të këpucëve. Shqipëria është një nga vendet më të varfra të Evropës me një papunësi që zyrtarisht është 18%.

“Si do të arrijnë banorët të përballojnë jetesën?” pyet Aliko.

“Më tregoni ju, të gjithë në Lazarat po i bëjnë vetes këtë pyetje.”

Tregtia e hashashit e kishte kthyer Lazaratin nga një fshat të vogël e të varfër në një fshat me vila të reja dhe makina luksoze. Sipas policisë shumica e trafikantëve janë arratisur gjatë natës.

Të premten oficerët e policisë u ftuan të pinin kafe nga disa fshatarë. Një burrë i moshuar, dukshëm i kënaqur nga skena shprehet me humor: “Ne jemi të gjithë vëllezër shqiptarë. Dihej që një ditë shteti do të shfaqej dhe kështu ndodhi. Kjo punë u zgjat për shumë kohë, por gjithçka e ka një fund”, shkruan Reuters. / Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button