Thaçi bllokon ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup

Kryeministri Hashim Thaçi, në fund të muajit mars, pati deklaruar se për dhjetë ditë, më së largu dy javë do të nis ndërtimi i autostradës Prishtinë – Shkup. “Gjithçka është përmbyllur rreth fituesit të tenderit dhe procedurave të tjera. Ka mbetur vetëm disa çështje teknike për të nisur puna”, kishte deklaruar kryeministri Thaçi në një intervistë televizive.

Mirëpo, ky premtim i tij deri tani duket se ka mbetur vetëm në letër. Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga premtimi publik i Thaçit, në këtë projekt nuk ka lëvizur asgjë.

Burime të gazetës Express kanë treguar se zvarritja e fillimi të punime po behët pikërisht nga kreu i Qeverisë. Siç thonë këto burime, Ministria e Infrastrukturës dhe kompania fituese “Bechtel & Enka” i kanë përfunduar moti të gjitha procedurat. Këto dy institucione, sipas burimeve janë duke pritur vetëm sinjalin e Thaçit për ti nis punimet.

“Ka kohë që kanë përfunduar të gjitha procedurat. MI dhe “Bechtel & Enka” janë të gatshme nga muaji maj për ti nis punimet. Zvarritja po behët nga kryeministri Thaçi, i cili po pret të marr mandatin edhe njëherë dhe ta nis këtë projekt. Probleme të tjera nuk ka sa i përket kësaj rruge”, ka thënë burimi për Express.

Express ka kërkuar përgjigje për këtë çështje gjatë ditës në Ministrinë e Infrastrukturës dhe në kompaninë “ Bechtel & Enka”, por asnjëra palë nuk ka pranuar të thotë asnjë fjalë. E, Agron Demi nga Instituti GAP ka thënë për Express se Kosova nuk do të duhej te nis ndërtimin edhe të një autostrade te re, kur projekti i kaluar, me te njëjtit punë-kryes, sipas tij ka shumë defekte dhe paqartësi.

“Projekti i autostradës nuk është treguar ekonomikisht i arsyeshëm, ngase për tri vite kemi shpenzuar 1 miliard euro dhe sot nuk është asnjë vend i ri i krijuar qe ndërlidhët me autostradën, shkëmbimet tregtare nuk janë rritu ashtu siç është shpresuar dhe rritja ekonomike pas fillimit te ndërtimit te autostradës është me e ulet se para fillimit te punimeve”, thotë Demi.

Ai konsideron se edhe politikisht është mirë që s’ka nis ndërtimi i autostradës. Pasi sipas tij, qeveria e re mund ta rishikoj projektin. Kurse, në aspektin ekonomik, Demi thotë se autostrada do ti shpenzoj 600 milionë euro pa nevojë.

“Politikisht, është mire qe nuk është nënshkruar kontrata, ngase ne ketë mënyre i lihet mundësia Qeverise se re qe ta rishikoj projektin. Andaj, nga pikëpamja ekonomike, nuk do duhej te fillonte autostrada për Maqedoni ngase mbi 600 milion eurot e përdorura ne sektor tjetër ne vend te autostradës do të sillnin përfitime me te mëdha ekonomike për vendin”, ka thënë Demi.

Kompania “Bechtel & Enka”, ishte shpallur fituese nga Qeveria e Kosovës pasi pati ofruar dy oferta, njëra që autostrada të ndërtohet pa tunel me një çmim prej 500 milionë euro, ndërsa tjetra me tunele e cila ka koston 600 milionë euro. Konsorciumi amerikano – turk Bechtel & Enka, ka ndërtuar edhe “Rrugës së Kombit”, e cila lidhi Kosovën me Shqipërinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button