Vuçiqi i ka 4 këshilltarë të jashtëm, Rama 1, kurse Thaçi s’e kishte asnjë!

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq është para kolegëve të tij të rajonit vetëm për imazhin që tashmë ai ka fituar në qendra vendosëse, duke filluar nga Berlini përmes Brukselit dhe deri në Paris e Londër por edhe për shkakun që ai është i rrethuar nga top këshilltarë të jashtëm të cilët Qeverinë e tij e këshillojnë për shumë punë që lidhen nga imazhi i Serbisë në Europë e botë dhe deri tek çështje praktike siç është gjendja ekonomike e deri tek financat publike.

E përditshmja serbe, “Novosti” ka raportuar sot që Vuçiqin vazhdon ta këshillojë ish shefi i FMN-së, Dominik Strauss Kahn, i cili përkundër kontradiktave që pat në jetën e tij private pranohet si prej njohësve më të mirë të njerëzimit për ekonomi dhe sidomos financa. Kjo gazetë spekulon që Strauss Kahn do të pasohet edhe nga një personalitet i lartë i ekonomisë dhe financave gjermane pasi që Berlini don nga Beogradi avancim edhe më të madh në fushën e rregullimit të financave publike në Serbi.

Në të njejtën kohë, Vuçiqin, e këshillon edhe ish-Kryeminsitri i Austrisë, Alfred Guzenbauer si dhe ish-Ministri i Jashtëm i Italisë Franco Fratini. Njëri për imazhin e Serbisë në Evropë dhe tjetri për procesin e Integrimeve Europiane. Dje, shefi i Qeverisë serbe ka pritur edhe ish-kryeminsitrin e Britanisë së Madhe Tony Blair për të cilin pas takimit Vuçiq ka thënë që “ishte takim i mirë dhe do të shihet në të ardhmen nëse do ta angazhojë si këshilltar”. Blair përndryshe e këshillon edhe Qeverinë e Ramës në Tiranë, transmeton blic.

Marrë në tërësi, Vuçiqi pra ka 4 top këshilltarë të njohur, Edi Rama 1 kurse ish-Kryeminsitri i Kosovës, Thaçi nuk e kishte asnjë. Ose mund ta ketë patur ndonjë por që opinioni s’i ka njohur. Ky model i këshillimit duket të ketë frytet e veta prandaj duhet të jemi kurioz nëse Qeveria e ardhshme dhe Kryeministri i ardhshëm i Kosovës- Thaçi a Haradinaj, do ta përvetësojnë këtë model të Vuçiqit dhe pjesërisht edhe Ramës.

Lajme të ngjashme

Back to top button