Drama e mitit ballkanik

Toka e Bosnjes ka duruar gjak, dhimbje, e sakrifica sublime për liri. Nga lufta e përgjakshme në ish-Jugosllavi, lufta e Bosnjes 1992-95, por edhe e Kosovës dhe Kroacisë mbeten si kujtesë e pashlyer për makabritetin dhe aktet barbare të krimeve njerëzore. Për të gjithë këto makabritete shërbeu një sistem përçmues, paragjykues e vrastar ndaj etnive joserbe në Konfederatën Jugosllave. Për fat të keq, pjesë e krimeve u bënë pjesa më vitale, të rinj që u vunë rresht ushtar të regjimit gjakatar të Beogradit, që ngriti gjer në qiell “nacionalizmin e ri serb”. Sot e kësaj dite, tmerri është lënë pas, e ndërsa ushtarë e civilë që morën pjesë në luftë janë vënë në shënjestër të gjykatave.

BIRN flet për këta të rinj, serbë që besonin se ishte një “luftë e drejtë” në atë kohë, të mbushur me ideologji “të të fortit” e “Rambos”. Në këto ditë ata janë burra, e disa janë dënuar dhe disa jetojnë në liri. Edhe ata vetë të penduar rëndë, të përndjekur nga hija e krimit dhe e gjykatave. “Aso kohe isha i obsesionuar me filnat me ‘Rambo’ dhe të ngjashmit dhe po ëndërroja si të bëhesha si ai. Unë iu bashkëngjita armatës që të veshi uniforma dhe të barti armë që të shtiresha se isha Rambo. Por jeta ime nuk ishte fare e ngjashme me ato që pashë në filma”, tregon Nenadi, një ushtar i njësisë speciale në Bosnje drejtuar nga Ratko Mlladiç. Në moshën e sotme, 40-vjeçare, ai ndan turpin e kohës së rinisë, e kohës kur ra pre e propagandës së një regjimi vrasës, që e ka lënë veç tjerash të papunë e të pazanatë. E, nga ana tjetër, fëmijë e të rinj sarajevas e mbarë Bosnjes u bënë pjesë e Armatës së këtij shteti, për lirinë e vendit të tyre.

Edhe në Bosnje ndodhi ajo çfarë ndodhi në të gjitha shtetet nën ish-Jugosllavi. Komandantët e luftës morën pushtet, e luftëtarët e vërtetë në vijat e frontit më të vështira dhe me idealin më të lartë të lirisë deri në vetëflijim për të, sot dergjen rrugëve pa pensione. Momenti më dramatik që përjeton sot Serbia dhe serbët në përgjithësi është fakti se ra miti i ngritur prej tyre, miti i një “kombi të shenjtë”, miti se janë luftëtarët që kanë çliruar Ballkanin dhe mbi të gjitha miti se ata e mbrojtën Kosovën.

Fatkeqësia më e madhe është akoma në Serbi. Në këtë shtet, ka nga ata që e konsiderojnë deri “hero” kasapin e Ballkanit, Slobodan Millosheviç apo turpi tjetër i Partisë Radikale Serbe, që e konsideron “Mandela” njeriun më të pamëshirshëm që me banda terrorizoi gjithë ish-Jugosllavinë, Vojislav Shejshel. Lufta shkaktoi një shok dramatik, një të shkuar që na dha mjaft mësime, se ata që bëjnë keq, pavarësisht se kujt etnie, nuk mund të jenë asesi heronj, por keqbërës njerëzimi. Ajo çka është edhe më e rëndësihme të bëhet, është ndërgjegjësimi i rinisë, shkëputja nga miti i nacionalizmit dhe “kombeve të shenjta”, për të parë njeriun.

Dionis Xhafa

Lajme të ngjashme

Back to top button