“Këshilli i të urtëve” si vdekje e pluralizmit të mbetur

Si rrallë herë, një zhvillim shumë domethënës kaloi pothuajse pa u hetuar, duke e krijuar përshtypjen se qëllimi ka qenë pikërisht të futet kontrabandë, si edhe shumëçka tjetër deri sot.

Trupi i emëruar si “Këshilli i të urtëve” që parashihet me Nenin 74 të Statutit të ri të Bashkimit Demokratik për Integrim, meriton të patentohet si zbulim i politikës shqiptare. Për fat të keq, është një “risi” që do ta zhdukë edhe atë pak fije pluralizmi që ka mbijetuar disi në shoqëri dhe brenda partisë.

I përkufizuar si trup orientues, këshillëdhënës dhe mbikëqyrës, “Këshilli i të urtëve” do të përbëhet nga 7 anëtarë me mandat të përjetshëm. Për fat, nuk garantohet trashëgimia e pozitës mbi brezin e ardhshëm, ndonëse ruajtja e orientimit të përpiktë garantohet me dispozitën sipas së cilës vendimet e Këshillit janë të detyrueshme dhe përfundimtare për partinë. Në aspektin praktik, ky Këshill do t’i aprovojë kandidaturat për deputetë, ministra e drejtorë, duke i pezulluar të gjitha vendimet e trupave tjerë partiakë – përveç atyre të Kryetarit të partisë, që në fakt i emëron anëtarët.

Në një vend normal, përgjigjja ndaj vërejtjeve të këtilla mund të jetë se partia vendos vetë se si do të qeveriset, që është reagim legjitim. Por, në vende normale as që mund të mendohet për një legalizim të këtillë të sundimit autoritar. Kjo për arsye se partitë janë subjekte publike – nëse një parti sundohet në mënyrë absolutiste, nuk mund të pritet më tepër në shoqërinë që qeveriset nga ajo.

Nëse për asgjë tjetër, ky nen është klithja e fundit që e shënon vdekjen e pluralizmit në organizimin politik shqiptar në Maqedoni. Mbi krejt dështimet, dhunën e orkestruar, shantazhet dhe hamburger-klientelizmin sistematik – veçori për të gjitha partitë e forta – krijimi i një strukture të këtij lloji është fjala e fundit me të cilën mund të përshëndetemi nga demokracia, në atë masë të vogël që mbijeton.

Për krahasim historik, sepse gjërat mund të harrohen ose qëllimisht të shlyhen nga ri-hartuesit e historisë politike, vlen të ceket që partia e parë politike e regjistruar në Republikën e Maqedonisë ka qenë pikërisht një subjekt shqiptar – Partia për Prosperitet Demokratik. Tani, nëse bëhet një paralele prej 25.05.1990 deri në qershor të vitit 2014, kur është aprovuar ky Statut, mund të shihet qartë se në çfarë derexhe ka ardhur organizimi politik shqiptar në Maqedoni.

Përtej kufijve të vendit, trupat e këtillë absolutistë, të vetë-emëruar dhe të përjetshëm nuk ekzistojnë askund. Të gjitha krahasimet vijnë nga Azia dhe janë të përafërta, assesi të njëjta.

Në Iran, për shembull, Këshilli i Gardianëve i Revolucionit Islamik ka 12 anëtarë, gjysma e të cilëve emërohen nga Parlamenti. Pavarësisht të metave, madje edhe Këshilli iranian i jep anëtarëve mandate gjashtëvjeçare dhe jo të përjetshme. Pak më tutje, në Kinë, Politbyroja e Partisë Komuniste ka 25 anëtarë që zgjidhen nga Komiteti Qendror, që do të thotë se megjithatë, qoftë edhe në aspekt formal, ka një zgjedhje kolektive. Duke i njohur mangësitë e mandateve të përjetshme, kinezët që njihen për qeverisje autoritare e kanë të kufizuar moshën e anëtarëve, duke i pensionuar ata në moshë shtatëdhjetëvjeçare. Për fund, edhe një Loya Jirga e Afganistanit dallon nga “Këshilli i të urtëve”, meqë i bashkon kryesuesit e fiseve të ndryshme dhe nuk është organizim monist.

Me një fjalë, shumë larg nga Irani dhe Kina, se për krahasim në kontinentin evropian nuk bëhet fjalë.

Tendencat e këtilla janë të rëndësishme meqë ato e pasqyrojnë natyrën e qeverisjes. Nëse Statuti i këtillë materializohet dhe ky trup funksionon, kjo nuk do të jetë vetëm goditje për qytetarët e vendit që do ta paguajnë çmimin nga zhdukja sistematike e pluralizmit, por në radhë të parë, çmimi do të paguhet nga anëtarët dhe grupet brenda partisë, të cilat vazhdimisht tentojnë të fitojnë epërsi relative.

Nëse politikanët aktualë shqiptarë arrijnë ta dëshmojnë se vetë-emërimi në trupa të përjetshëm mund të sjellë pluralizëm dhe demokraci, atëherë duhet të digjet krejt literatura e derisotme, ku me mijëra raste demonstrohet se në momentin kur zhduket konkurrenca, fillon shpërbërja e brendshme. Diçka tashmë e realizuar në rrafsh shtetëror, që tani finalizohet edhe brenda strukturave partiake.

Se si mund të kombinohet një trup i këtillë absolutist me orientimin e deklaruar për integrime evropiane dhe euro-atlantike mbetet të shihet. Por, ajo që njihet nga historia politike është që pushteti korrupton, ndërsa pushteti absolut korrupton absolutisht. Konstatimi i këtillë është i liruar nga tendencioziteti dhe është finalizuar para 130 viteve nga Lordi Akton. Nëse dikush e dëshmon të kundërtën, lirisht mund ta fillojë ta shkruajë teorinë politike prej fillimi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button