Përurohet xhamia ‘Bajram Pasha Isa Beg’ në Mitrovicë (FOTO)

Nën leximin e ajeteve Kur’anore dhe në prani të strukturave më të larta të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), dhe të Turqisë, ministrave të të dyja shteteve, deputetëve nga Turqia, ambasadorëve, përfaqësuesve të pushtetit lokal, hoxhallarëve, e shumë xhematlinjëve, është përuruar të premten xhamia ‘Bajram Pasha Isa Beg’, në qendër të Mitrovicës.

Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, duke uruar xhematin për këtë xhami të bukur, tha se sot për Mitrovicën dhe Kosovën është një ditë e veçantë.

Sipas tij, përkrahja e qeverisë dhe popullit turk për Kosovën dhe popullin e saj, është dëshmuar vazhdimisht, si në kohë të vështira ashtu edhe në paqe.

Përurohet xhamia ‘Bajram Pasha Isa Beg’ në Mitrovicë 1

“Ky objekt është institucion që prodhon paqe, prosperitet dhe bashkëpunim për të gjithë. Nga kjo shtëpi e Zotit, sikurse edhe deri tani, do të ndizen shkëndija për të gjithë qytetarët, të cilat shkëndija përçojnë mesazhin e dashurisë mes vete, barazisë dhe bashkëjetesës për të gjithë, pa dallim”, ka thënë mes tjerash Tërnava.

Edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Turqisë, Mehmet Gyrmez, duke u shprehur i lumtur për ndërtimin e kësaj xhamie, tha se kjo është një dhuratë enkas për vëllezërit shqiptarë në Kosovë.

Përurohet xhamia ‘Bajram Pasha Isa Beg’ në Mitrovicë 2

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Mehmet Myjezinogllu, duke dërguar mesazhet e urimit të kryeministrit turk, Taip Erdogan dhe presidentit, Abdullah Gyl, për qytetarët e Mitrovicës dhe të Kosovës në përgjithësi, ka premtuar mbështetje në fusha të ndryshme për shqiptarët dhe Kosovën.

Ai i ka quajtur qytetarët e pranishëm bashkëvendës, duke sqaruar se të parët e tij janë me prejardhje pikërisht nga Kosova.

“Kjo xhami që po inaugurohet sot nuk do të jetë e fundit, por bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë edhe më fuqishëm. Përkrahja e popullit turk nuk do të jetë vetëm në këto objekte fetare, por edhe në fusha tjera, si në shëndetësi dhe ekonomi”, ka thënë ministri Myezinogllu.

Përurohet xhamia ‘Bajram Pasha Isa Beg’ në Mitrovicë 3

Ndërtimi i kësaj xhamie është donacion nga komuna e Bajram Pashës së Stambollit dhe kap shumën prej rreth 2 milion euro. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button