Projekti “Invitro”, vlen edhe për fëmijën e dytë

Projekti “Invitro”, nga janari i këtij viti vlen edhe për fëmijën e dytë. Kështu njoftuan sot nga Fondi për Sigurim Shëndetësor i Maqedonisë. Sipas raportit të tyre, kërkesat për fëmijën e parë në vitin 2014 janë dukshëm më të ulëta, në krahasim me ato të vitit 2013. Ndërsa për fëmijën e dytë, deri tani Fondi për Sigurim Shëndetësor ka pranuar vetëm 68 kërkesa. Një numër i madh i kërkesave për Invitro nuk janë pranuar, për shkak të mungesës së dokumentacionit shtesë.

“Në vitin 2013 gjithsej janë bërë 1718 kërkesa, nga të cilat 1039 janë pozitive dhe 656 janë në procedurë, gjegjësisht kërkohet dokumentacion shtesë apo analiza shtesë. Në vitin 2014, për 4 muajt e parë, për fëmijën e parë janë gjithsej 603 kërkesa, prej tyre 338 pozitive dhe 265 janë në procedurë. Për fëmijën e dytë, nga janari deri në fund të prillit, gjithsej janë 68 kërkesa, prej tyre 56 pozitive dhe 12 në procedurë”, tha Xhemali Mehazi, Drejtor i FSSHM-së.

Nga Fondi për Sigurim Shëndetësor i Maqedonisë iu bëjnë apel gjinekologëve amë që të këshillojnë të siguruarit e tyre për përmbushjen e dokumentacionit. Fondi do të mbajë edhe trajnime me gjinekologët amë, për t’i udhëzuar ata mbi këshillat që duhet t’u japin pacientëve të tyre. Procedura e aplikimit për Invitro kalon përmes mjekut tek Fondi për Sigurim Shëndetësor. Qytetarët duhet të paguajnë vetëm participimin, ndërsa shpenzimet e tjera i mbulon Fondi Shëndetësor me mjetet e ndara për projektin Invitro.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. kerkojn dokumenta qe edhe per ginekologu ame dhe ato te sistines ishin te paparashikuara. vetem qe tju shmangen pagesave

Back to top button