fbpx

​Rama: Lazarati jo më Republikë turpi, policia i dha fund martesës së krimit me politikën

“Policia rilindi, është rikthyer dhe dëshmi është Lazarati, Republika e turpit brenda shtetit që për 20 vjet shtrëngoi për fyti me tym marijuane familje të tëra”. Kështu u shpreh sot Kryeministri Rama në një konferencë për mediat duke vlerësuar lart aksionin 5 ditor të Policisë së Shtetit për të vënë nën kontroll Lazaratin.

“Krimi e kishte shpallur Lazaratin Republikë më vete dhe e kishte kthyer në një njollë turpi për policinë e Shqipërisë, pasi kriminelët kishin lidhe me politikën e vjetër. Nuk është më Republikë turpi, është një fshat si gjithë të tjerët. Ajo zonë ishte e pushtuar prej 20 vitesh nga krimi, qytetarët nuk janë më peng i martesës së tejzgjatur të krimit me politikën”, tha Rama.

Kreu i qeverisë teksa shprehu mirënjohjen, argumentoi se tani mund të thuhet se, policia e shtetit ka rilindur brenda 300 ditëve të para të qeverisjes, për të vënë në vend kështu, një premtim të mbajtur, siç shtoi ai.

“Mirënjohje policisë, zëdhënësit e aspiratës së popullit të tyre për ti vënë të gjithë njësoj para ligjit. Na ndanë sot nga një kapitull rrënimi të policisë së shtetit. Ky operacion nuk kushtoi asnjë pikë gjak, profesionalizmi në drejtim dhe organizimi nuk mund të vihet në dyshim, edhe pse nuk e shohin vetëm ata që mbyllin sytë e sot iu duket një gjëmë e madhe. Policia është e vendosur të mos kthehet nga Lazarati pa vënë pushtetin e shtetit mbi krimin. Pas 5 ditësh e netësh mbi plumba tregoi se polica e shtetit është kthyer në krye të detyrës brenda 300 ditëve. Kjo është arritje e jashtëzakonshme, ky është vetëm fillimi”, – tha kryeministri i vendit.

Nga ana tjetër, kreu i ekzekutivit, nuk nguroi të vlerësonte rolin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duke thënë se Shqipëria ka sot ministrin e Brendshëm të munguar prej kohësh.

“Sot kam bindjen e rikonfirmuar se ky vend ka një ministër të Brendshëm që i ka munguar prej kohësh, që po udhëheq marrëdhëniet mes policisë dhe ligjit, qytetarëve misionit të çdo polici. Mirënjohje dhe superlativa për Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm Artan Didi dhe çdo polic. I shpreh respektin banorëve, ai fshat po bëhet si të tjerët”, – shtoi Rama.

Ashtu si edhe Didi, Rama i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla të bashkëpunojë me policinë për mbledhjen e provave dhe vënien para drejtësisë të kriminelëve në Lazarat.

“Sot është dita për tu marrë me Lazaratin tjetër, i shtritë në 4 anët e vendit. Prokurorë e gjyqtarë që s’kanë lidhje me kushtetutën e ligjet. Një thirrje e fortë dhe e qartë shkon për Prokurorin e Përgjithshëm që të angazhojë veten e tij dhe forcat e shëndetshme për t’i shkuar deri në fund fazës së dytë të këtij operacioni, zbardhjen dhe ndëshkimin deri në sekuestrimin e qindarkës së fundit, të parave të zeza të mbledhura në kurriz të një Shqipërie të tërë”, – tha ndër të tjera.

Pyetje gjate konferences

Nëse do ketë një nismë për shkarkim për z Sajmir Tahiri si ministër i Brendshëm dhe nëse këtë nismë ua kërkon LSI, aleati juaj më i ngushtë në qeveria, do ta bënit?

Këto kanë qenë ditë me shumë tym dhe unë pak qenë i përqëndruar në tymin e Republikës që sot nuk ekziton më, pjesën tjetër ua kam lënë juve se ju në këtë tym jetoni.

Kur do keni një plan për të nxjerrë Lazaratin nga ky kaos ku është tani për të futur banorët në jetën normale. Policia është ende në aksion atje

Unë nuk e di se çkanë dashur të thonë ata që e kanë konsideruar këtë një fazë shoku por unë besoj se kjo është dita për të thënë që ne i shkojmë në një krahasim se ky është një shok 20 vjecar. Pas një shoku 20 vjecar nën tymin e marijuhanës që shtrëngonin për fyti djem e gvajza fëmijë e familje të tëra që për shkak të atij tymi jetonin në shok të plotë. Ne do bëjmë gjithcka për të lehtësuar këtë./BalkanWeb/

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close