Drejtimet deficitare, sa të nevojshme që janë!

Të gjitha shkollat, mediat, nxënësit dhe familjet shqiptare, gëlojnë këto ditë nga zhvillimet dhe ethet e provimeve të maturës shtetërore. Vëmendja është e gjitha për arsimin e lartë, për Universitet. Edhe sytë e  shumicës andej janë përqendruar. Provimet e maturës, më shumë sesa çertifikim i aftësive të marra gjatë mesimeve/studimeve të përgjithshme, shihen si nga vetë nxënësit, ashtu edhe nga gjithkush që i rrethon, si trampolina për në Universitet. Por askush, ose shumë pak bisedohet dhe debatohet se ku dhe në cfarë programe studimore të regjistrohen maturantët/studentët e ardhshëm? Çfarë profili i arsimit i nevojitet tregut të punës? Në ç’shkallë është niveli i komunikimit të Universiteteve tona me tregun e punës? Në cilat drejtime ka perspektivë?

Këto dhe shumë pyetje tjera që përcaktojnë të ardhmen e secilit prej nesh në veçanti dhe shoqerisë në përgjithësi diskutohen privatisht, në mënyrë individuale, në familje, gjithkund, këtë punë po e bëjnë të gjithë, vetëmse jo ata që janë kompetentë për këtë çështje, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të cilët si çdo herë kanë plan për këtë, por mungon realizimi. Fundja duhet t’i “kuptojmë“, ata kanë „punë“ më të mëdha, siç janë ndërrimi çdo vjet i ministrit të arsimit(me të dhe gjithë bordi udhëheqës), eksperimentimi me nxënësit dhe profesorët me provime të maturës, ditarët elektronik…

Nga disponimi që mbizotëron, gjasat janë të gjitha që, si zakonisht tek ne, prirja të jetë për të studiuar drejtësi, ekonomi dhe variantet e shkencave sociale apo politike. Të gjithë duan të shkojnë në universitet. Të gjithë pretendojnë se meritojnë të shkojnë. Arsimi, veçanërisht i larti, është vërtet aset, si për individin, ashtu edhe për shoqërinë. Por, kostot mbi të cilat piedestalizohet arsimi i lartë, janë vërtet të larta dhe të papërballueshme, si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen e Maqedonisë, jo nga aspekti financiarë por nga aspekti cilësor. Përse? Arsimi lartë dhe diploma universitare janë shndërruar në përcaktuese statusi shoqëror në vend, më shumë sesa mundësi formimi e aftësimi akademik. Liberalizimi dhe vëmendja e manipuluar ndaj tij, ka sjellë një handikap të madh në perceptimin e sotëm për arsimin dhe në  shërbimet që nuk marrim cilësore për shkak të keqpërdorimit masiv të sistemit arsimor në vend.

Shumëçka është keqkuptuar në Maqedoninë kaotike, ku si provimet e maturës shtetërore, ashtu edhe diploma universitare, parashihen si meritë e padiskutueshme, në vend që të konsiderohen si investim personal në aftësim dhe dije. Ç’do të thotë kjo? Aftësimi dhe dija nuk vijnë domosdoshmërish nga një diplomë universitare, qe tashmë të gjithë, pa kriter, po diplomojnë në drejtimet suficitare. Ato janë edhe më dinjitoze dhe fitimprurëse kur merren nga drejtimet deficitare dhe nga zanatet. Në fakt, në kushtet dhe rrethanat tona drejtimet deficitare dhe zanatet dalin të jenë kyç për zhvillimin dhe progresin e përgjithshëm shoqëror.

Ngritja e shkollave të mesme të turizmit, bujqësore, inxhinierisë, matematikës, shkencave kompjuterike, etj. dhe forcimi i fakulteteve të drejtimeve përkatese, duke rritur numrin e kuadrit të profesorëve e numrin e studentëve dhe rritjen e buxhetit te tij, do të ndikonte në ndryshimin e shpejt të gjendjes së mjerueshme shoqërore në përgjithësi, që do të siguronte punësim dhe zhvillim të shpejt të vendit.

Njerëzit që i kapen zanateve dhe degëve profesionale, gjithashtu zënë një vend shumë të rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për njerëzit që nesër do të ndreqin ose prishin ditën tonë, në kuptimin e ofrimit të shërbimeve për makinën tonë, për mirëfunksionimin e saj teknik; për kuzhinën tonë dhe pllakat që sikur lëvizin nga vendi; për dorëzën e derës që s’kuptoni pse është liruar apo për kabllot elektrik që nuk përcjellin rrymë; për kompletin e ri të dhomës së ndenjës, që ndryshe e porositët, e të pakënaqur jeni me këndet, ngjyrën, format apo cilësinë kur ua sollën në shtëpi;për lavatriçen dhe frigoriferin që është prishur; për shërbimin në hotele dhe restorante dhe për ushqimin që ua sjellin sikur e keni borxh e për pijet që jo gjithmonë i shijoni pas një shërbimi të ashpër, të gabuar apo thjesht, të vonuar.

Aftësitë për të shërbyer cilësisht nuk janë thjesht të lindura. Ato fitohen, por mbi të gjitha, fillimisht, duhen mësuar. Aftësitë bazë për të gjitha degët profesionale, mësohen në shkollat profesionale. Në to sot ka investim, mbështetje dhe zhvillime që duhet te ndiqen me interes nga nxënësit, stafet e këtyre shkollave, ministria e arsimit, nga projektet e shumta ndërkombëtare që mbështesin këtë hallkë të arsimit, por edhe nga komuniteti i biznesit, që përherë e më shumë, po ndërgjegjësohet se tek këto shkolla, është burimi i tyre i vërtetë për kontingjent të rinjsh të kualifikuar ndryshe.

Fokusi tek Universitetet ka ngecur tek sasia; numri i studentëve, numri i universiteteve, numri i pranimeve, numri i provimeve, i diplomave, i notave, i degëve të reja, etj, etj. Kurse në anën tjetër, në heshtje të plotë mediatike, arsimi i mesëm dhe ai i lartë profesional, në përpjekje e pikëpyetje të mëdha, vazhdon betejën me sasine dhe cilësinë. Pastaj jemi të vetëdijshëm se mangësia e parë dhe më e madhe e Universiteteve tona është pikërisht mungesa e komunikimit me tregun. Universitetet tona prodhojnë studentë dhe diploma që nuk i hyjnë aspak në punë tregut. Ndërsa studentët e Universiteteve perëndimore, që përpara se të hyjnë në fakultet , e dinë se cili është tregu i diplomës së tij!

Performanca, përgatitja profesionale, janë po aq të rëndësishme për mbarëvajtjen e përditshmërisë sonë, sa edhe e një juristi, ekonomisti, politologu, mjeku, arsimtari,etj. Ndaj sot, duke i përshëndetur(duke shpresuar se do te bëjnë zgjedhjen e duhur) për zgjedhjen e bërë, është rasti edhe të shpresojmë për njerëz më të kualifikuar në treg, për shërbime më të mira, dhe për vëmendje më të madhe ndaj atyre prej të cilëve i presim këto shërbime. Tek e fundit, prej këtyre shërbimeve, varemi të gjithë. Juristët, mjekët dhe ekonomistët e ardhshëm, nuk kanë për të na i ofruar edhe këto.

Një fjalë e urtë thotë:” Çfarë do të mbjellim, do të korrim”.

Ndaj, kujdes dhe suksese në përzgjedhjen të profesionit tuaj të ardhshëm!

Lajme të ngjashme

Back to top button