fbpx

Të futesh në politikë dhe ta mbash këmishën e bardhë, s’i të hysh në ujë e të mos lagesh!

Ta ndryshosh një bindje të caktuar është krejtësisht e kuptueshme dhe normale. Ndërsa t’i qëndrosh besnik bindjes që të bëri të pabesë ndaj njerëzve është parrugësi e llojit të veçantë. Kjo njëherësh tregon se jemi qenie njerëzore që për ta arsyetuar natyrshmërinë e baraspeshës në jetë, duhet të kuptojmë se njeriu si pjesë të ecejakeve të tij i pranon si gjëra normale ngazëllimin dhe ngashërimin, pasurinë dhe varfërinë, të mirën dhe të keqen, faljen dhe mëkatin. Njeriu ndryshon vetëm kur sheh ndonjë gjë më të mirë krahas asaj që ka parë dhe e ka përjetuar më herët. Nuk mund t’i themi njeri i luhatshëm në qëndrime atij që dikur thoshte se nuk do të lexoj fare libra, kurse tani së fundmi e shohim se ka filluar t’i rreket së lexuari librave. Ky e ka thyer një akull të ngrirë padrejtësisht në botëkuptimin e tij, por kjo thyerje qe mirëqenie për atë dhe për shoqërinë.
Madje, Ajnshtajni thotë se jeta është si të ecësh me biçikletë; në qoftë se dëshiron të jesh në baraspeshë, atëherë duhet të lëvizesh. Lëvizja dhe ndryshimi duke pasur për qëllim rregullimin dhe mirëqenien janë virtyte të lartë. Ndërsa të ndryshosh nga të qenurit njeri i mirë dhe njeri me parime në njeri që tmerrësisht lëshon pe në parimet që dikur as në ëndërr nuk do t’i thyeje, kjo është për tu shqetësuar si në dimensionin e tanishëm kohor ashtu edhe në hapat e mëtejme. Mbase ky ndryshim kah e keqja mund të jetë edhe një argument se kjo e keqe për të cilën po mendojmë tani, ka qenë edhe më parë, por e mbështjellë aq mirë sa venerimi i drejtë ka qenë i pamundur atëkohë!

Ajo që është duke na habitur dhe dëshpëruar së fundmi janë vetë lëvizjet dhe paraqitjet e Lëvizjes Vetëvendosje me rastin e afrimit të saj me Veton Surroin! Atë në krye me prijësin e saj, i shihnim si xixa në tunelin tonë të errët. Madje shpesh mendoja se konservatorizmi i saj nuk do të mund t’i bënte ballë mendësisë politike të kësaj kohe. Këtë lëvizje e shihja si një dhi qumështore, pranë së cilës qëndronin kasapët që shtireshin si dhiar të butë. Për fat jo të mirë, gjërat ngadalë ndryshuan dhe sikur shiu që e rrah dheun e ngjitur sipër një shkëmbi që do ta zbulon formën dhe ngjyrën e tij të vërtetë, ngjashëm përgjatë ditëve pamë se kjo lëvizje dhe kreu i saj po shihet e tillë siç nuk do të dëshironim ta shihnim dhe natyrisht ta shohim.

Lëvizja Vetëvendosje, prej së cilës siç e theksova më lartë, kishim shpresa të përnjëmendta për ndryshime pozitive, së fundmi shohim, kundrojmë dhe lexojmë se është zhytur thellë në detin e kundërthënieve. Dikush mund të thotë, po kjo është politikë, mos kërko pandryshueshmëri në politikë! Unë pikërisht të kundërtën jam duke e kërkuar; të ndryshojmë për të mirë, sepse kryeneçësia e kriminelëve ekonomik për së gjalli është duke na ngrënë. Mbase, nëse kjo është politikë, nuk do të thotë se kjo është prostitucion, ku pandershmërinë mund ta humbasësh duke i humbur paratë e fituara me djersë. Partitë dhe politika janë fjalë dhe veprimë që kanë për qëllim rregullimin e një jetë më të mirë dhe më të pasur për njeriun dhe shoqërinë. Kjo është krejt në rregull dhe tejet e qartë, por ndryshimi i skajshëm i qëndrimeve, mos të harrojmë se edhe në politikë vlerësohet të jetë hipokrizi, si gjithkund tjetër, sidomos gëlltitja pa një arsyetim dhe vetërrëfim i akuzave të rënda të mëparshme. Përndryshe, të ndryshosh për të mirë dhe në të mirë, t’i kërkosh falje një të pafajshmit për fyerjet e padrejta që dikur ia ke bërë, pa dyshim se është njerëzore dhe e shpërblyeshme prej Zotit. Ndërsa Veton Surroi assesi nuk është i tillë, sa që Albini me aq lehtësi dhe gjakftohtësi të thotë se kemi një përputhje konceptuale dhe ideologjike me Surroin.

Në vitin 2006 kështu shkruante Lëvizja Vetëvendosje për Veton Surroin: “Në Rambuje e ka pranuar shtetin e urryer të Jugosllavisë, të cilës i printe Milosheviqi. Më 15 maj 1998, vetë i gjashti, është takuar me Milosheviqin në Beograd. Ky takim famëkeq e dëmtoi shumë Kosovën dhe i bëri shërbim të shkëlqyeshëm Serbisë. Veton Surroi është pasuruar pa masë edhe gjatë pushtimit të egër të Serbisë edhe tash me UNMIK-un, përderisa populli torturohej dhe zhytej në varfëri e mjerim, ai pasurohej”!

Unë pajtohem me akuzat e vitit 2006, sepse këto janë lehtë e vërtetueshme dhe njashtu i besoj fjalët e të parit të kësaj lëvizje se paskan afri mes tyre, meqë kjo thuhet prej vetë Albinit, kurse kjo për mua paraqet një shenjë dhe një paralajmërim se edhe Albini për interesa të tij partiake, konceptuale dhe ideologjike qenka në gjendje t’i kapërdijë fjalët e veta. Po sikur të vinte në pushtet, vallë sa të akuzuar të dikurshëm dhe sa fjalë do t’i përbinte teposhtë, pa i kërkuar dhe pa u pastruar fillimisht njëri me tjetrin? Dikush tha se martesa me një femër të kombësisë është thjesht dashuri, edhe pse po ky qe njeriu që përuronte me sokëllimë gjitha prodhimet vendore. Madje puthja e hapur pranë ofiqarit, lindi një mëdyshje tjetër! Ajo njëherësh ishte një përmbysje e traditave shqiptare, nuk po them asgjë për ato fetare, ngase ende unë nuk e di se cilës fe i përket.

Gjithë këto luhatje dhe mishmashe në qëndrime, mua dhe shumë sosh na kanë bërë të mendojmë njëmend për mundësinë e ngjashmërisë së tij me Hashim Thaçin, Ali Ahmetin, Ramush Haradinajn e shumë të tjerë, të cilët dikur i shihnim si shpëtimtar të këtyre vendeve!

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close