Kërkesa e Jahjagës, jokushtetuese,gjykata mund të mos përgjigjet fare?

Kërkesa e Presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Një burim nga Gjykata Kushtetuese i ka thënë Gazetës Blic se kërkesa e presidentes së vendit mund të mos merret fare në shqyrtim. Pra, ajo mund mos marrë fare përgjigje, për faktin se me Kushtetutë ajo nuk mund të kërkojë interpretim për përputhshmërinë e neneve.

Ky burim e ka cituar nenin Neni 113 të Kushtetutës së Kosovës, ku sipas tij, në pikën 2 të këtij neni, thuhet se “Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës, Qeveria dhe Avokati i Popullit janë të autorizuar të ngrenë rastet në vijim: çështjen e përputhshmërisë së ligjeve, të dekreteve të Presidentit e të Kryeministrit dhe të rregulloreve të Qeverisë me Kushtetutën si dhe përputhshmërinë e Statutit të Komunës me Kushtetutën”.

Sipas këtij burimi, edhe në pikën 3 të Nenit 113 të Kushtetutës së Kosovës, presidentja nuk mund ta bëjë një kërkesë të tillë, siç e ka bërë sot.

Ky burim ka cituar këtë pikë, ku sipas tij thuhet se “Kuvendi i Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Qeveria janë të autorizuar të ngrenë çështjet në vijim: konflikti në mes të kompetencave kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës; përputhshmëria e referendumit të propozuar me Kushtetutën; përputhshmëria e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme dhe veprimeve të ndërmarra gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme me Kushtetutën; përputhshmëria e një amendamenti të propozuar kushtetues me marrëveshjet e detyrueshme ndërkombëtare, të ratifikuara sipas kësaj Kushtetute dhe rishikimi i kushtetutshmërisë së procedurës së ndjekur dhe nëse është shkelur Kushtetuta gjatë zgjedhjes së Kuvendit”.

Sipas këtij burimi, bazuar në këto pika të Nenit 113, Gjykata Kushtetuese mund të mos i përgjigjet fare presidentes Jahjaga.

Ky burim ka thënë se neni 84, pika 14 e Kushtetutës së Kosovës, është shumë e qartë se kujt i takon mandatari për formimin e Qeverisë. Aty thuhet se presidenti “cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit”. Sipas këtij burimi, i bie që ai që e ka shumicën në Kuvend mund ta bëjë qeverinë.

Gjatë ditës së sotme, ndonëse ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit, Jahjaga i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, ku ka kërkuar interpretim për përputhshmërinë e nenit 84 pika 14 dhe nenit 95 të Kushtetutës së vendit.

Këtë kërkesë të saj e ka përshëndetur ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracy Jackobson. Madje, ajo ka kërkuar nga liderët e partive politike që cfarëdo verdikti që të merr Gjykata Kushtetuese, ata duhet ta pranojnë.

Ndërkohë, disa analistë e kanë quajtur këtë veprim te Jahjagës si shkelje të Kushtetutës së vendit. Njëri prej tyre është edhe Halil Matoshi. Ai i ka thënë Gazetës Blic se “Presidentja me këtë veprim e ka shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët”.

“Presidentja e ka të sqaruar në Kushtetutë se ajo e ka kompetencë ta mandatojë për kryeministër atë që e ka shumicën në Kuvend”, tha ai.

Deri te kjo situatë ka ardhur pas koalicionit që e kanë arritur LDK-ja, AAK-ja, Nisma për Kosovën për ta krijuar qeverinë, duke e lënë kështu jashtë loje PDK-në e cila në zgjedhjet e 8 qershorit doli si partia e parë. /Gazeta Blic/

Lajme të ngjashme

Back to top button