RASTI MONSTRA, TERRORIZMI GLOBAL DHE SISTEMI BANKAR

Lufta kundër terrorizmit. Shprehje kakofonike që e dëgjojmë shumë shpesh. Në fakt, analogjike me bozën e përditshme me të cilën na shërbejnë politikanët tonë çdo ditë: zgjidhja apo moszgjidhja e çështjes së emrit. Duke qenë se nuk dua ta fëlliq këtë fletë shkrimi me njolla të kësaj boze të emrit, dua të përqëndrohem sot në një temë që nuk është aspak larg realitetit tonë të përditshëm por që nuk na tangon gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Do të shkruaj për realitetet e reja bankare në shkallë globale lidhur me luftën kundër terrorizmit dhe pasojat dhe reperkusionet që mund të kenë ato në ekonominë e Maqedonisë.

Dua të flas për terrorizmin në shkallë globale dhe në mënyrë të përgjithësuar, duke mos identifikuar terrorizmin me terrorizmin islamik. Terrorizmi ka ekzistuar edhe pa grupet e ashtuquajtura islamike. Ndër burimet kryesore të financimit të terrorizmit numërohen aktivitete të tilla kriminale si: kidnapimet, kontrabanda me armë, zhvatjet, deri te fakturimet e falsifikuara mes bizneseve që sjellin në larjen e parave të pista. Por mashtrimet financiare që shërbejnë për financim të këtyre aktivitete joligjore janë gjithmonë inovative dhe origjinale. Për shembull grupi libanes Hezbullah si një ndër format e financimit përdor eksportin e veturave të vjetra nga SHBA-të duke i shitur në Afrikën Perëndimore.

Është e qartë që qeveritë janë të determinuara të këpusin rrugët financiare të terrorizmit dhe kanë ndërmarrë hapa drastike për të dënuar bankat e involvuara në financimin e njerëzve të konsideruar të rrezikshëm. Gjobat që ju bëhen bankave amerikane dhe degëve të bankave botërore në SHBA janë marramendëse dhe janë bërë të zakonshme. Në vitin 2012 banka britanike HSBC u gjobit me 1,9 bilion $ për dobësi në kontrollimin e transakcioneve të dyshimta. Gjoba të ngjashme ju janë ndarë edhe gjigandëve të tillë si Barclays, ING, Standard and Chartered për larje parash dhe rregullacioneve interne të dobëta. Ideja e kësaj është që të ndalohet rrjedha e parave nëpërmjet bankave me të cilat financohen grupet terroriste, duke synuar që të dobësohen financiarisht e me këtë edhe organizativisht.

Dy janë problemet që dalin nga kjo qasje luftarake direkte. Regulacionet janë kaq obligative për bankat dhe sanksionet janë kaq të rënda, saqë detyrojnë bankat e mëdha të tërheqin degët dhe filialet e tyre nga vendet ku shfaqet edhe rreziku më i vogël. Regulatorët amerikanë përshembull ju kërkojnë bankave që jo vetëm të njohin klientët e tyre, por të njohin edhe klientët e klientëve të tyre dhe paraprakisht të shpalosin planet e tyre për shfrytëzimin e financave. Si rezultat i kësaj marrëdhëniet mes bankave korrespondente po shkatërrohen. Koncepti i bankave korrespondete është arterja kryesore e financave globale që ju mundësojnë njerëzve dhe firmave të dërgojnë dhe pranojnë para nga një vend në një tjetër, edhe atje ku bankat e tyre amë nuk kanë filiale të veta. Disa nga bankat më të mëdha në botë po e pranojnë – jopublikisht kuptohet – që po i mbyllin jo më pak se një të tretën e këtyre marrëdhënieve më bankat korrespondente.

Problemi i dytë është që shtetet duke luajtur rolin e Inspektorit Clouseau me bankat duke analizuar në detal edhe dyshimin më të vogël në çdo transakcion ndërkombëtar do të arrijnë kundër efekt. Do të “detyrojnë” këto grupe terroriste që të përdorin forma joinstitucionale për të transferuar paratë. Mendoni në transportin e drogës që bëhet edhe përskaj forcave të shumta të angazhuara në luftën kundër transportit të mjeteve narkotike. Psikologjia kriminale e këtyre grupeve do të gjejë mënyra joformale dhe në të zezë për të bërë këto transferta.

Maqedonia, e shtyrë nga kërkesat e BE-së, ka arritur shumë në barazimin e legjislaturës vendase me atë europiane përsa i përket luftës kundër larjes së parave dhe financimit të terrorizmit. Realiteti është se bankat vendase ushtrojnë kontrollë rigoroz të transakcioneve të dyshimta dhe në vende në të ashtuquajturën listë të zezë. Kjo i ka siguruar vendit tonë që të mos jetë në grupin e atyre vendeve që do të shohin së shpejti largimin e filialeve të bankave të mëdha botërore.

Megjithatë disa zhvillime të gabuara politike do të mund të cënonin rejtingun e jashtëm të Maqedonisë përsa i përket AML (anti-money laundering and terrorism financing). Këto rrezikojnë edhe pozitën deri diku të sigurtë të vendit tonë. Kam fjalën këtu për interpretimin e gabuar që po i behet së fundmi rastit Monstra, dhe kohë më parë Luftës së 2001 – që një kohë të gjatë konsiderohej si luftë e grupeve terroriste duke i lidhur ushtarët e lirisë me grupe islamiste.

Në një vend ku stabiliteti i sistemit financiar është I kushtëzuar nga prezenca e bankave të jashtme me kapital të madh, autogolla të këtilla që shënohen nga institucionet e shtetit janë shumë të rrezikshme. Nëse vendi ynë e paraqet veten si fole të terrorizmit islamik duke interpretuar për interesa megalomane maqedone, nuk do humbin vetëm shqiptarët e këtij vendi, por vetë shteti. Nëse Maqedonia perceptohet si e tillë, atëherë do jetë e pashmangshme hyrja në këto lista të zeza globale, shkëputja e lidhjeve afariste me vendet e jashtme dhe largimi i bankave të huaja nga vendi jonë. Kjo do të ishte një kolaps i vërtetë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button