Sërish vërshime në Çair (FOTO)

Reshjet e vazhdueshme të shiut vazhdojnë të bëjnë në dëm në shtëpitë në disa lagje të komunës së Çairit.

Të shqetësuar për gjendjen e tyre, banorët e Gazibabës u ankuan tek Portalb, se rrugët e tyre janë të mbushura me ujë dhe se rrezikohen nga vërshimet.

“Rrugët janë të mbushura me ujë, dhe këtë pamje kanë pothuajse çdo herë që bie shi. Kur reshjet janë më të forta, uji madje hyn Brenda në shtëpi dhe bën dëme të mëdha”, thonë banorët e kësaj lagjeje për Portalb.

Rrugë në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit
Rrugë në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit

Po ashtu me probleme të shumta ballafaqohet edhe familja Limani e cila jeton në lagjen Dizhon, në afërsi të shkollës fillore “Emri Elezi”, të cilët janë prekur rëndë nga vërshimet kohë me parë, kurse tani presin dëmshpërblimin për dëmin e krijuar.

Kryefamiljari Kadri Limani thotë se momentalisht janë duke jetuar në një dhomë pesë anëtarët e kësaj familje.

“Jemi në kushte të mjerueshme, shtëpia është e pa banueshme, dyshemeja është prishur mobiliet si dhe elementet e kuzhinës janë shkatërruar nga vërshimet e para disa javëve, kurse tani që filloi të bie shi, sërish kemi panik dhe frikë se sërish do të na ndodh e njëjta histori. Vëllai im na lëshoi një dhomë për të jetuar, mirëpo aty ka vetëm tre dyshek, kurse ne jemi pesë anëtar të familjes”, tha për Portalb, Limani.

Rrugë në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit
Rrugë në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit

Ai shtoi se ishin inspektorë për të shikuar dhe fotografuar dëmin nga komuna e Çairit, mirëpo shpresat e  tyre për të fituar ndonjë ndihmë financiare nga shteti janë shumë të vogla.

“Ishin inspektorë dhe bënë fotografi për të regjistruar dëmin dhe për të vlerësuar atë, mirëpo më informuan se është një procedurë e gjatë dhe se nuk e dinë edhe ata vetë se kur do të përfundojë. Nuk e di edhe sa mund të durojmë kështu. Po mbijetojmë me ndihëm e familjarëve, shteti na ka harruar”, tha Limani.

Rrugë në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit
Rrugë në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit

Nga komuna e Çairit, Rami Qerimi thotë se komisioni për vlerësimin e dëmit përgatit raportin dhe lëndën dhe ajo do të dërgohet në Qytetin e Shkupit, e më pas në qeveri për tu miratuar nëse merret ndonjë vendim.

Sa i përket situatës së vërshimeve, Qerimi thekson se në lagjen e Gazibabës projekti për kanalizimin e ri është në përfundim e sipër dhe se më pas do të realizohen edhe projektet e tjera për lagjet e tjera.

“Rregullimi i kanalizimit në lagjen Gazibabë është në përfundim e sipër, tani ka mbetur vetëm edhe të asfaltohen rrugët që janë prishur për rregullimin e tij. Ky kanalizim ka shpëtuar këtë lagje nga vërshimet e tmerrshme. Sapo të përfundojë ky projekt, do të fillojmë me sanimin dhe rregullimin e kanalizimit edhe në lagjet tjera të kësaj komune”, tha Qerimi.

Rrugë në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit
Rrugë në lagjen Gazibabë të komunës së Çairit

 

Lajme të ngjashme

Back to top button