“Këshilli i të urtëve” të BDI-së, plotësim i orekseve të brendshme

Kongresi i fundit i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), me ndryshimet në Statutin partiak, vendosi që të themelojë Këshillin e të Urtëve, i cili pritet të jetë organ që do të mbikëqyr punën e gjithëmbarshme të partisë shqiptare në pushtet.
Këshilli do të përbëhet nga shtatë anëtarë, ndërsa do të kryesohet nga kreu i partisë, Ali Ahmeti, i cili është ideatori i këtij organi.

“Të Urtit” me kompetenca të pakufishme  

Ky Këshill do të ketë detyrë që të kujdeset lidhur me orientimin politik dhe veprimet e BDI-së në të ardhmen, duke penguar tendencat e mundshme që mund të shfaqin drejtuesit e kësaj partie, për t’iu larguar vijës ideologjike dhe politike.

Një prej detyrave të Këshillit, i cili do të jetë organi më i lartë partiak pas Kongresit, do të jetë ruajtja e frymës aktuale derisa të ekzistojë partia, përcaktim ky që nuk është qartësuar nga kjo parti, se çfarë në fakt do të thotë!

Këshilli do të ndjek edhe punën dhe rezultatet e zyrtarëve të zgjedhur shtetërorë nga kjo parti. Bëhet e ditur se“urtakët” do të vendosin edhe për emrat e kandidatëve për kreun e partisë, por edhe për kandidatët për kryetarë të partisë, kandidaturat për kryetarë komunash, për deputetë, ministra dhe zyrtarë të tjerë që do t’i propozojë BDI-ja, gjatë kohës sa është në pushtet.

Madje personat e emëruar nga kreu i BDI-së, që do të quhen “të urtë”, do të kenë mundësi që të mos pranojnë edhe vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, nëse janë në kundërshtim me vlerat ideopolitike të partisë shqiptare, e cila fitoi zgjedhjet e fundit të parakohshme parlamentare.

Mandati i kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Urtëve të BDI-së, do të jetë i përjetshëm, ndërsa nuk është bërë zyrtare asnjë emër, i cili do të jetë pjesë e Këshillit. Ajo që dihet është se anëtarët e këtij organi, do t’i emërojë Ali Ahmeti.

BDI-ja nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me funksionimin dhe kompetencat e këtij këshilli, përveç se është kujdesur që në publik, përmes Artan Grubit, shefit të kabinetit të Ali Ahmeti, Këshillin ta plasojë si: “Model i partive perëndimore me traditë të gjatë dhe të begatë”.

Këshilli nuk ka bazë politike, veçori e sekteve 

Ramadan Ramadani, analist nga Instituti Joqeveritar “Nisma” vlerëson se Këshilli i të Urtëve, nuk është veçori e partive dhe organizatave tjera politike, por e sekteve fetare. Ai vlerësoi se një institucion i tillë partiak nuk ka bazë politike. Ramadani madje pret që ideja rreth këtij organi të përfundojë me humor.

Gati të pabesueshme janë raportimet e medieve për kompetencat dhe mandatin e këtij këshilli. Nëse nuk mbaron vetëm si një tentativë, për shaka ose për ndonjë arsye tjetër, atëherë do jetë ky një rast unik në botë.BDI-ja pastaj nuk mund më të trajtohet sipas parametrave politike, por ndoshta vetëm si trajtohen sektet fetare, që legjitimitetin e marrin diku tjetër. Kështu edhe mund të sqarohet se BDI-ja në fakt është sekt që për një kohë ka vepruar nën emblemën e një partie politike, ose parti që ja tani mendon të shndërrohet në një sekt. Pasi, mandatet e përjetshme dhe kompetencat absolute mund të hasen vetëm nëpër sekte, e assesi në organizime tjera politike”, theksoi Ramadani.

Këshilli, politikat formale dhe orekset partiake  

Ndryshe nga Ramadani, analisti politik, Blerim Hyseni vlerësoi  se edhe BDI-ja ka të drejtë të pakontestueshme  të ndërmarrë nisma dhe të zgjedh formën e organizimit të brendshëm.Ai hedh poshtë zërat se ky Këshill mund të formohet, me qëllim që të jetë mbështetje formale e politikave të kreut të partisë.

Personalisht mendoj që qëllimi i këtij këshilli nuk është të marrë në duar timonin e partisë, por është parë si mundësi e plotësimit të orekseve gjithnjë në rritje brenda kësaj partie”,tha Hyseini për Inbox7. “Brenda BDI-sëkemi dy gjenerata, atë të vitit 2001 gjegjësisht të vitit 2002 dhe gjeneratën e atyre qe iu bashkëngjitën kësaj partie pas vitit 2008, domethënë personat që më së shumti ndoshta përfituan nga BDI-ja dhe më së paku kishin merita në BDI”.

” Vlerësoj se kjo ka qenë edhe arsyeja për formimin e Këshillit të Urtëve, për zgjerimin e Këshillit të Përgjithshëm nga 75 në 81 anëtarë por edhe për zgjerimin e kryesisë qendrore nga 21 në 33 anëtarë”, spikati Hyseni

 “Këshill i të urtëve”, inspirim nga PSSH-ja   

I vetmi subjekt politik shqiptar, në kuadër të së cilës funksion Këshilli i të urtëve, është Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH) në pushtet. Këshilli politik i PS-së përkatësisht i ashtuquajturi “Këshilli i të Urtëve” është në fakt struktura më e re e ngritur nga Asambleja e PS-së dhe funksionon si Këshill Politik pranë kryetarit të partisë. Në këtë Këshill marrin pjesë protagonistë të rëndësishëm në kohë të ndryshme në historinë e PSSH-së. Ngjashëm si kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, nismëtar për formimin e këtij Këshilli është kreu i socialistëve shqiptarë, kryeministriEdi Rama. Por për dallim nga BDI-ja, në të cilën roli i të urtëve është vendimmarrës, socialistët “e urtë” me tepër kanë rol këshillëdhënës, duke u bazuar tek përvoja e tyre. Vetë Rama, Këshillin e te Urtëve e ka konsideruar si: “Një bërthamë e rëndësishme dhe ndikuese në vendimmarrjen e Partisë Socialiste”.

Në kuadër të BDI-së funksionojnë Kryesia qendrore, Këshilli i Përgjithshëm, sekretariatet partiake dhe Kongresi, si organi më i lartë partiak. Ndryshe, Këshilli i të Urtëve i BDI-së, pritet të formohet së shpejti, ndërsa pjesë e tij pritet të jenë njerëz të cilët kanë autoritet të padiskutueshëm në BDI, por fjalën e fundit do ta ketë lideri Ali Ahmeti.

Si funksionojnë Këshillat pranë partive politike në Maqedoni? 

Këshilli i të urtëve është risi në funksionimin e partive politike në Maqedoni. Një organ i këtillë partiak nuk ekziston te asnjëra nga partitë politike në Maqedoni.

Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) përveç kryesisë qendrore ka një organ të ngjashëm meKëshillin e të Urtëve, që quhet Këshilli drejtues, i cili numëron 13 anëtarë, për dallim nga Kryesia Qendrore, që përbëhet nga 23 anëtarë, bashkë me kryetarin dhe nënkryetarët.

Ndërsa Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), përveç Kongresit, Kryesisë Qendrore, Kuvendit Qendror me Statutin e saj, kishte parashikuar edhe funksionimin e Këshillit Etik dhe Këshillit të Ekspertëve, por publiku nuk ka pasur rastin të njihet me këshillat dhe ekspertizën e këtyre dy forumeve partiake të RDK-së.

Në kuadër të VMRO-DPMNE-së, partisë më të madhe në pushtet, që nga viti 2006 deri më sot, përveçKongresit, Komitetit Qendror dhe Komitetit Ekzekutiv, funksionon edhe Unioni i Veteranëve të VMRO-DPMNE-së (UVV), i cili formohet me vendim të Komitetit Qendror.

Në partinë më të madhe të opozitës maqedonase-Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM)përveç organeve partiake: Kongresi dhe Këshilli Qendror, me Statut funksionon edhe Këshilli Ekzekutiv i Këshillit Qendror të LSDM-së, në të cilin bëjnë pjesë kreu partiak dhe 18 anëtarë, të cilët propozohen nga Këshilli Qendror. Poashtu në kuadër të LSDM-së funksionon edhe Këshilli i LSDM-së, i cili është organ këshillëdhënës.Ky Këshill Socialdemokrat përbëhet nga veprimtarë të njohur të kulturës, shkencës dhe jetës publike por edhe nga afaristë. Anëtarët e këtij këshilli i zgjedh Këshilli Qendror dhe mund të mos jenë anëtarë partiak të LSDM-së.

Arta Tahiri, Inbox7

Lajme të ngjashme

Back to top button