Reshjet në Pollog, rritet niveli i Shkumbinit 

Reshjet e shiut në Pollog kanë rritur nivelin e lumit Shkumbin deri në 20 centimetra nga maksimumi i lejuar. Këtij fenomeni, përveç të reshurave, i ka ndihmuar edhe shtrati i lumit i cili në disa vende është i mbushur me rërë dhe mbeturina që hedhen nga persona të pandërgjegjshëm. Përgjegjësit qetësojnë, nuk ka rrezik edhe pse niveli i lumit Shkumbin të Tetovës është rritur.

‘Situata është në kontroll dhe për momentin nuk ka asnjë lloj shqetësimi se mund të ndodh diçka, por pavarësisht prej asaj, ne si ndërmarrje duhet të jemi të përgatitur nëse shirat vazhdojnë. Mirëpo për momentin e them me plot përgjegjësi nga informacionet që vijnë nga tereni , prej orës shtat ekipet i kemi në teren nga fshati Falisht dhe deri tek xhamia e Larme  edhe më lartë bile, situata është nën kontroll’, tha Xhelal Ceka – Drejtor i NPK “Tetova” për Alsat M.

Ceka tha se pos makinerisë dhe ekipeve të zjarrfikësve, janë kontaktuar edhe kompanitë private për të ndihmuar, në rast të vërshimeve. Nga Qendra për menaxhim me kriza njoftojnë gjithashtu se situata është nën kontroll dhe janë në gjendje gatishmërie në rast të reshjeve të reja dhe vërshimeve eventuale.

Lajme të ngjashme

Back to top button