Diskriminim në vend të ndihmës për të burgosurit me HIV

Maqedonia nuk ka një sistem efikas për të mbrojtur dhe për t’u kujdesur për të sëmurët e infektuar me virusin HIV. Ato ballafaqohen me diskriminimin dhe stigmatizimin sistematik. Njëkohësisht burgjet, si rezultat të dhunës seksuale dhe pakujdesisë, paraqesin vende të rrezikshme për përhapjen e virusit HIV.

Personi me inicialet D.R. me vite vuan nga sëmundja e shkaktuar me virusin HIV. Gjendja e tij përkeqësohet, ndërsa vetë personi ndjen një rraskapitje fizike dhe psikike. Për nevojat e këtij teksti identiteti i tij do të mbrohet, ndërsa rrëfimi i tij është transmetuar nga njerëzit që e përfaqësojnë. Bëhet fjalë për një njëri i cili vite me radhë ballafaqohet me stigmatizimin dhe diskriminimin që e përjetojnë të sëmurit me virusin HIV në Maqedoni.

Personi D.R. tashmë katër vite me radhë, për çdo muaj, pranë Gjykatës Penale të kryeqytetit parashtron dokumentet mjekësore të Klinikës të Sëmundjeve Infektive, me të cilat vazhdon të vërtetojë se është prekur me virusin HIV dhe se nuk është shëruar nga i njëjti. Në rast se nuk do të parashtrojë dokumentet në fjalë ai rrezikon të kthehet në qelitë e burgut të Idrizovës. Nga ky burg ai është përzënë vjeshtën e vitit 2010, vetëm disa ditë pas përhapjes së lajmit se ai është prekur me virusin HIV.

Vërtetimi i sëmundjes së tij duhet të mbarojë në fund të vitit 2014, kohë kjo kur duhet të vjetërsohet absolutisht ekzekutimi i dënimit 8-muajsh me të cilin është dënuar D.R.

Rasti i tij është shembulli më i mirë që tregon se shteti nuk ka një mekanizëm të saktë me të cilin do të siguronte një mbrojtje efikase për personat e prekur me virusin HIV ose me sëmundjen e SIDËS. Si rezultat të mosreagimit të institucioneve shtetërore kjo kategori të burgosurish vazhdon të diskriminohet dhe stigmatizohet.

TË PREKURIT ME HIV/SIDË PA TERAPI DHE TË DHUNUAR NË BURGJET

Problemet e personit me inicialet D.R. filluan më 27.08.2010, ditë kjo kur ai u arrestua nga policia në lagjen e Gjorçe Petrovit dhe u shoqërua në burgun e Shutkës në Shkup për të vuajtur dënimin përkatës. I vetëdijshëm për gjendjen e tij shëndetësore dhe për faktin se duhet të pranojë rregullisht terapinë, D.R. ka kërkuar të bisedojë menjëherë me mjekun kompetent, por ky takim u realizua katër ditë më vonë.

Gjatë takimit me mjekun, që u mbajt më 31 gusht, kur ky person mësoi se është prekur me virusin HIV, morri pjesë edhe një roje i burgut, ndërsa D.R. sqaroi mjekun se ai nuk pranon terapinë e nevojshme me metadon dhe antiretroviruse që është dashur ta pranojë rregullisht. Mjeku ndërkohë ka rekomanduar që dikush nga punonjësit e burgut të siguronte terapinë e nevojshme, por në momentet kur një miku i tij ka mbërritur me medikamentet e nevojshme, rojet e burgut kanë refuzuar që ai të pranonte terapinë.

“Me ndërprerjen e terapisë antiretroviruse të dënuarit i është rrezikuar gjendja shëndetësore sepse terapia duhet marrë rregullisht. Në të kundërt ekziston rreziku që organizmi të krijojë rezistencë ndaj terapisë, që mund të përkeqësojë gjendjen e tij shëndetësore”, thotë avokatja Natasha Boshkova, e angazhuar për të mbrojtur të dënuarin D.R.

Pas bisedës së D.R. me mjekun brenda burgut u përhap lajmi se është pranuar një i dënuar i ri që është prekur me virusin HIV. Personeli i burgut ndërkohë filloi të lëviz me maska dhe dorashka, ndërsa të burgosurit filluan të anashkalojnë të dënuarin. Në fillim ai u akomodua me të burgosurit e tjerë, të cilët menjëherë filluan ta nënçmojnë dhe kërcënojnë.

Ndërkohë nga burgu i Shutkës D.R. u transferua në burgun e Idrizovës, ndërsa njëri nga rojet që e shoqëroi duke qenë me maskë dhe me dorashka njoftoi kolegët e tij se i burgosuri vuan nga SIDA. Në këtë mënyrë edhe të dënuarit e tjerë në Idrizovë mësuan për “të dënuarin me SIDË”. Ndërkohë, lajmi u përhap edhe jashtë burgut, ndërsa vetë informata mbërriti edhe në mediat. Mediat ndërkohë trajtuan rastin e të dënuarit me HIV në mënyrë sensacionale. Ato raportuan për panikun brenda burgut, duke mbështetur informatat me deklaratat e mjekut të burgut, sipas të cilit i dënuari i prekur me virusin HIV në asnjë rast nuk do të akomodohej me të burgosurit e tjerë në pjesën e mbyllur të burgut, që të mos rrezikohet gjendja shëndetësore e të burgosurve të tjerë.

Organizata civile “HERA” lidhur me këtë rast kërkoi nga Avokati i Popullit që ai të mbronte të drejtat e D.R. i cili u ballafaqua me një diskriminim direkt, me rrezikun e dhunës dhe vazhdimin e trajtimit johuman brenda burgut, ndërsa nga mediat kërkoi që ato të mos merren me informata me tituj sensacionalë, që shkaktojnë panik të përgjithshëm, duke stigmatizuar akoma më shumë personat e prekur me virusin HIV.
Drejtori i burgut të Idrizovës, pas vizitës së Avokatit të popullit morri një vendim me të cilin të dënuarit i pezulloi vuajtjen e dënimit me heqje lirie si rezultat të gjendjes së tij shëndetësore të përkeqësuar, megjithëse vetë i burgosuri nuk bëri një kërkesë të tillë.

AKTPADI KUNDËR SHTETIT

Stigmatizimi i të burgosurit me virusin HIV nuk përfundoi pas lëshimit nga burgu. Ai fillimisht u ballafaqua me presionet sociale dhe komentet e rënda të fqinjëve, të cilët u informuan lidhur me gjendjen e tij, situatë kjo që detyroi personin D.R. të shpërngulet nga vendbanimi i tij. Lidhur me gjendjen e tij shëndetësore ndërkohë u informuan edhe në firmën në të cilën punonte, që rezultoi me humbjen e vendit të punës.

Ndërkohë ky person u izolua nga shoqëria dhe vazhdoi të jetojë me faktin se është një i sëmurë me virusin HIV. Tretmani që e fitoi brenda burgut, zbulimi i gjendjes së tij shëndetësore dhe pasojat e kësaj gjendjeje e detyruan të kërkojë satisfaksion për dëmin që iu shkaktua.

“Ne kërkojmë të kontrollohet burgu që të vërtetohet mënyra e sigurimit, evidentimit, ruajtjes dhe përdorimit të të dhënave mjekësore për personat që vuajnë dënime me heqje lirie, por edhe mënyra e zbulimit të këtyre të dhënave”, tha Zharko Trajanovski, përfaqësues i Koalicionit për mbrojtjen e të drejtave seksuale të grupeve të margjinalizuara.

Ky koalicion nga Avokati i Popullit kërkoi të niste hetime të shpejta për rastin konkret dhe të përgatiste rekomandimet e nevojshme për të gjitha institucionet shtetërore lidhur me parandalimin e shkeljes së të drejtave të personave që jetojnë me virusin HIV, të cilët janë shqetësuar me rrezikimin e të drejtave të tyre në rastet e zbulimit të gjendjes së tyre shëndetësore.

“Megjithatë, asnjë institucion nuk konstatoi shkeljen e të drejtave të të burgosurit dhe nuk u sanksionua askush”, sqaroi avokatja Natasha Boshkova, e cila përfaqëson personin D.R. para institucioneve vendase.

Argumentet kryesore të aktpadisë kanë të bëjnë me ndërprerjen e terapisë, zbulimin e statutit të një të infektuari me virusin HIV dhe trajtimin e personit gjatë vuajtjes së dënimit, pas zbulimit të gjendjes së tij shëndetësore.
“Ekzistojnë prova të mjaftueshme me të cilat mund të konstatohet përgjegjësia e institucioneve sepse ato nuk kanë zhvilluar hetime efikase, zyrtare dhe të plota me të cilat do të identifikoheshin dhe ndëshkoheshin autorët”, sqaron avokatja.

Gjykata Themelore refuzoi aktpadinë e personit D.R., ndërsa vetë rasti tani gjendet pranë Gjykatës së Apelit.

RAST PARADIGMATIK

Rasti i të dënuarit të prekur me virusin HIV në Maqedoni është regjistruar edhe në raportet vjetore të Fondit global për mbrojtjen nga HIV/SIDA, në të cilat theksohet se Maqedonia akoma nuk ka siguruar një mekanizëm të saktë që do të mundësonte mbrojtjen dhe trajtimin e drejtë të të burgosurve që janë prekur me HIV/SIDË.

“Janë konstatuar rregulla të dobëta dhe që nuk zbatohen lidhur me mbrojtjen e privatësisë, ndërsa shkelja e vazhdueshme e këtyre rregullave rezulton me pasoja të rënda për këtë kategori qytetarësh”, thuhet ndër të tjera në raportet e Fondit global.

Rasti i D.R. në fakt zbardhi dobësitë e institucioneve për t’u ballafaquar me sfidat e mbrojtjes së të drejtave shëndetësore dhe njerëzore të të burgosurve që kanë nevojë për terapinë antiretroviruse, vlerëson Zharko Trajanovski.
“Paniku i institucioneve dhe mediave ishte një indikator jo vetëm për injorimin e tyre, por edhe për diskriminimin sistematik të personave që jetojnë me virusin HIV dhe atyre që kanë probleme të ndryshme si rezultat të këtij virusi”, sqaron Trajanovski.

Në Drejtorinë e ekzekutimit të sanksioneve, nën kompetencat e të cilës funksionojnë burgjet, pranojnë se stereotipat mbeten problemi kryesor gjatë funksionimit të sistemit penetenciar në Maqedoni, që përfshin edhe trajtimin e të dënuarve, të cilëve u është konstatuar virusi HIV/SIDA ose sëmundje të tjera ngjitëse.

“Për fat të keq në shekullin XXI edhe shoqëria ballafaqohet me paragjykime dhe stereotipa lidhur me sëmundjet infektive. Në fakt këto stereotipa kanë të bëjnë me mosinformimin lidhur me mënyrën e transmetimit të sëmundjeve ngjitëse”, thotë Elisaveta Sekullovska, zyrtare e Drejtorisë së ekzekutimit të sanksioneve.
Ajo ka konfirmuar se Drejtoria e ekzekutimit të sanksioneve vazhdon trajnimet lidhur me HIV/SIDËN dhe tuberkulozën në burgjet dhe sipas saj gjatë tre viteve të fundit nuk janë zbuluar raste të reja të HIV/SIDËS brenda burgjeve.

“Sjellja ndaj kësaj kategorie në kuadër të burgjeve duhet të jetë e njëjtë me sjelljen brenda shoqërisë, më saktësisht pa diskriminim dhe segregacion, ndërsa nëse është e mundur, të burgosurve që janë prekur me virusin HIV, duhet t’u mundësohet të dalin më herët nga burgu dhe për to duhet siguruar trajtimi i nevojshëm mjekësor jashtë burgjeve”, sqaron avokati Toni Menkinoski, i cili vite me radhë është angazhuar në Komitetin e Helsinkit, duke marrë pjesë në projekte të ndryshme që kanë trajtuar të burgosurit.

BURGJETJANË VENDE POTENCIALE PËR PËRHAPJEN E SËMUNDJEVE NGJITËSE

Në përgjithësi burgjet konsiderohen ambiente me rrezik të lartë për transmetimin e virusit HIV. Faktorët e rrezikut kanë të bëjnë me përdorimin e madh të drogave me injeksione, përgatitjen e tatuazheve me gjilpëra josterile, seksin e pasigurt, numrin e madh të përdhunimeve dhe kushtet substandarde, por edhe me mbipopullimin e vetë burgjeve.

“Për fat të keq, në burgjet vendase nuk zhvillohen programe efikase për mbrojtjen e të burgosurve të prekur me virusin HIV, me ndihmën e të cilave do të mundësoheshin jo vetëm gjilpëra sterile për injektim dhe për tatuazhe, por edhe prezervativë dhe masa të veçanta për të mbrojtur të burgosurit nga përdhunimet”, thekson Trajanovski.
Dhuna seksuale, si një faktor me rrezik të lart, theksohet edhe nga ana e Dr. Vesna Veliq Stefanovska, Dr. Jovan Topallovski dhe Miodraga Stefanovska, në kuadër të një hulumtimi të zhvilluar nga ana e tyre lidhur me SIDËN në burgjet vendase.

Bëhet fjalë për një temë tabu e cila nuk trajtohet në opinion, megjithëse të gjithë personat që kanë kaluar një periudhë më të gjatë në burg, mund t’ju tregojnë se “kanë dëgjuar” ose “kanë parë” lidhjet homoseksuale dhe dhunën seksuale.

Ndërkaq, praktika gjyqësore, megjithëse ekzistojnë shumë dyshime lidhur me dhunën seksuale dhe përdhunimet brenda burgjeve, nuk ka evidentuar asnjë denoncim nga ana e të burgosurve dhe asnjë procedurë gjyqësore lidhur me këtë çështje.

“Dhuna mund të shfaqet midis vetë të burgosurve, por mund të ushtrohet edhe nga ana e gardianëve. Pjesa më e madhe e rasteve të dhunës seksuale midis të burgosurve zakonisht nuk denoncohet dhe për fat të keq jozyrtarisht është pranuar si pjesë përbërëse e skemës së sjelljes brenda burgjeve. Gjithashtu, marrëdhëniet seksuale të pasigurta, me të cilat mund të shkëmbehen sekrete të infektuara, janë një rrezik tjetër me nivel të lartë”, thonë Stefanovska dhe Topallovski në hulumtimin e tyre lidhur me rrezikun e HIV/SIDËS.

Sipas tyre, problemi i dhunës është një realitet brenda burgjeve të vendeve në tranzicion, brenda të cilave hierarkia bazohet në sistemin e kasteve, sistem ky që mbështetet dhe është pranuar nga ana e një pjese të autoriteteve të burgjeve. Ekzistimi i një sistemi të tillë reflektohet shumë keq mbi të burgosurit e niveleve më të ulëta, duke detyruar në raste ekstreme një pjesë prej tyre të pranojnë të bëhen objekte seksuale dhe viktima të dhunës. Në këtë kontekst duhen përmendur edhe marrëdhëniet seksuale të pasigurta, që mund të jenë arsye për transmetimin e HIV/SIDËS.

Megjithëse sipas të dhënave zyrtare në burgjet e Maqedonisë nuk janë regjistruar raste të reja të të burgosurve me HIV/SIDË, numri i të sëmurëve në nivel vendi është rritur, krahasuar me vitet e kaluara.

Organizata civile “HERA” për këtë qëllim zhvilloi testime dhe këshillime vullnetare për nevojat e të burgosurve lidhur me virusin HIV.

“Që nga viti 2007 lidhur me virusin HIV janë kontrolluar dhe këshilluar 706 të burgosur, ndërsa vetë kontrollet dhe këshillimet zhvilluan brenda ambienteve të burgjeve”, thotë Tanja Stankovska, koordinatore projekti d angazhuar në kuadër të shoqatës civile HERA.

Stankovska nuk ka dashur të zbulojë nëse me kontrollet përkatëse janë konstatuar raste të reja të infektimit me virusin HIV, por ajo ka sqaruar se në numrin e përgjithshëm të rasteve të reja të infektimit me këtë virus, raste këto që regjistrohen brenda vitit, përfshihen edhe rastet e reja që konstatohen me aktivitetet e HERA në terren, aktivitetet këto në të cilat marrin pjesë edhe kontrollet brenda burgjeve vendase.

Numri relativisht i madh i të burgosurve që pranojnë të kontrollohen konfirmon vetëdijen e lartë të kësaj kategorie, por edhe një lloj konfirmimi i sjelljes me rrezik brenda burgjeve, si dhe frikën e vetë të burgosurve.
Ndërkohë historitë lidhur me virusin HIV vazhdojnë të rrëfehen korridoreve të burgjeve, duke vazhduar njëkohësisht edhe stigmatizimi i të infektuarve me këtë virus. Historia e rrëfyer nga ana e 32-vjeçarit me inicialet B.M është një nga përvojat që ilustrojnë fobinë e të burgosurve lidhur me mundësinë për t’u infektuar me virusin HIV.

Personi B.M., i cili ka vuajtur burg në Gjermani, gjithashtu shpreh bindjen se një mosmarrëveshje me një grup të burgosurish brenda burgut ka rezultuar me një tentativë për vrasjen e tij pikërisht me infektimin e qëllimshëm me virusin HIV.

“Brenda burgut ndodhën shumë raste për të cilat u njoftua edhe administrata e burgut, por e njëjta nuk morri masa më serioze në këtë drejtim. Një mëngjes një grup të burgosurish nga Bosnja tentoi të më sulmojë. Në fakt tentoi të më sulmojë me një injeksion brenda të cilit kishte gjak”, sqaron personi B.M., duke theksuar se analizat e gjakut të injeksionit konfirmuan se i njëjti ka qenë i infektuar me virusin HIV.

“Pata fat që shpëtova. Tentativën për të më sulmuar e panë të dënuarit e qelive të tjera, të cilët alarmuan gardianët e burgut. Unë kalova vetëm me lëndime fizike”, sqaron B.M., i cili tashmë gjendet në liri.

Teksti është punuar nga rrjeti hulumtues i gazetarisë, BIRN.

Lajme të ngjashme

Back to top button