Lazaratasit mesazhe kërcënuese Tahirit dhe Didit: Do gjeni belanë për shkatërrimin e plantacioneve të drogës

Rezistenca e armatosur e kartelit të drogës në Lazarat për të mbrojtur perandorinë e drogës, është pasuar me kërcënime, ultimatume dhe presione. Kërcënimet e para kanë shkuar në adresë të Ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, dy protagonistëve kryesorë të operacionit në Lazarat. Një banor i Lazaratit, i dyshuar nga policia si pjesë e bandës, deklaroi dje publikisht në një televizion se, Sajmir Tahiri dhe Artan Didi do të gjenin belanë. Banori, shtëpia e të cilit ishte krehur nga policia për armë dhe drogë, pohoi se Tahiri dhe Didi do të përgjigjeshin për këtë sulm, siç e cilësoi ai, ndaj banesës së tij. Ndërkaq, kërcënimet janë bërë edhe me anë të një faqeje në facebook. “I bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të heqë tanket dhe blindat që ka vendosur anash fshatit. S’jemi Afganistan, as Irak, jemi fshat i një vendi që pretendon të hyjë në Evropë! I bëjmë thirrje edhe opozitës që mos t’i hedhë benzinë zjarrit, por të merret me ato punët e saj! S’është problemi i Lazarati, problem është politika, të majtë dhe të djathtë, edhe kjo media bu….! Këta që nga njëra anë hanë edhe pinë me Lazaratin dhe nga ana tjetër llapin si ata qentë zagarë! O të mjerë mos të ishte Lazarati, Shqipëria do i kishte kufijtë në Elbasan”, shkruhet në faqen e facebook. Ndërkaq, familjarët e të arrestuarve kanë reaguar duke mbrojtur të afërmit e tyre, të cilët janë akuzuar nga policia se janë të implikuar në trafikun e drogës. Vëllai i Gate Mahmutaj, në një prononcim për mediat, ka theksuar se akuzat janë një lojë politike. “Vëllai im po viktimizohet. Kjo është një lojë politike, ai nuk është bos”, ka rrëfyer për mediat vëllai i Mahmutaj. Sipas vëllait të tij, Gate nuk ka në pronësi as vila e as prona. Më tej vëllai i Gates ka shtuar se në të gjithë Lazaratin ka drogë, por flitet vetëm për një emër. “Kërkojmë drejtësi, të kontrollohen të gjithë”, ka shtuar më tej vëllai i Gate Mahmutaj. Motra e Gate Mahmutaj mohon faktin që i vëllai të ketë qëlluar ndaj policisë. “Vëllai im nuk ka qëlluar. Ai ishte me bagëti”, është shprehur Behanime Meçi.

Familjarët

Adil Kasma, emri i të cilit figuron në listat e policisë si pjesë e grupit që ka qëlluar me armë në drejtim të efektivëve të policisë në Lazarat është vetëdorëzuar ditën e sotme. Pas vetëdorëzimit të tij nëna e Kasmës ka takuar Drejtorin e Policisë së Shtetit, Artan Didin dhe ka replikuar me të lidhur me vendosjen e emrit të djalit në listë si dhe i ka kërkuar drejtësi. Në një diskutim disa minutash mes Didit dhe nënës së Adil Kasmës, 70-vjeçarja është shprehur se qeveria po e humbet Lazaratin dhe se djali i saj nuk ka asnjë lidhje me personat që kanë qëlluar në drejtim të policisë. Familjarët e Fatjon Mukollarit, i plagosur një ditë më parë në Lazarat flasin nga Pogradeci për ngjarjen. Sipas tyre, 33-vjeçari punonte si bari në Lazarat, ndërsa familja pretendon se është e varfër. “Fatjoni punonte si bari, ne jemi të varfër. Ai telefonoi bashkëshorten se ishte plagosur, nuk e dimë nëse u qëllua nga banorët apo policia”, thonë familjarët. Policia e Shtetit ka vënë në pranga shtetasin Hysen Çela, i akuzuar për sulm me snajper ndaj efektivëve në Lazarat.

Artan Didi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, tha se nuk mund të jepen me saktësi se deri në cilët kufij të fshatit ka hyrë policia, por veprimet më së shumti janë taktike për t’i dhënë kohë reflektimi personave të armatosur të ndalojnë sulmin dhe të dorëzohen. “Me kufij të saktë nuk jam në gjendje që të jap një vijë të qartë të kapjes së terrenit nga forcat e policisë. Por mund të them që kemi pozicione të favorshme. Jemi duke kryer më tepër veprime të karakterit taktik dhe demonstrativ me qëllim që çdo personi të armatosur t’i japim kohën e nevojshme për të reflektuar dhe çdo individi që kundërshton forcat e policisë për të ndaluar kundërshtimin dhe për t’u vendosur përballë drejtësisë”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi.

Anëtarët e Komisionit të Sigurisë në Lazarat

Gjashtë deputetë të majtë të Komisionit të Sigurisë kanë mbërritur në Lazarat, për të ndjekur nga afër situatën. “Jemi të vendosur që operacioni të shkojë deri në fund. Është një iniciativë që ka nisur, një operacion pa kompromis”, kështu është shprehur nga Gjirokastra deputeti Spartak Braho. Sipas Brahos, shumica e banorëve në Lazarat kanë qenë dakord me operacionin policor. “Të identifikuarit si kriminelë do të marrin përgjegjësinë. Ne kemi bërë takime edhe brenda fshatit”, ka shtuar më tej Braho. Mësohet se të pranishëm në Komisariatin e Gjirokastrës janë dhe deputetët Armando Prenga, Pirro Lutaj, Xhemal Qefalia, Luan Rama dhe Vangjel Tavo, për të shprehur mbështetjen ndaj aksionit të Policisë së Shtetit.

“Daily Mail”: Meka e marijuanës në flakë

Mediat e huaja vazhdojnë t’i bëjnë jehonë operacionit policor në Lazarat, kundër kultivimit të marijuanës. Me titullin “Dita që Mekës së Marijuanës së Evropës i doli tymi” gazeta Britanike ‘Daily Mail’ pasqyron me foto të shumta mënyrën sesi trafikantët e drogës dogjën lëndën narkotike kanabis sativa, e cila kapte vlerën e 3 miliardë paundëve, sa gjysma e prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë ne fshatin e vogël të Lazaratit, me qëllim shkatërrimin e evidencave. Sipas Daily Mail, qindra forca policore ndërhynë në fshatin jugor të Lazaratit, ku mungon ligji pasi trafikantët e drogës nisën të qëllonin me armë dhe granata kundër tyre. Edhe Ëashington Post në numrin e sotëm publikonte lajmin e këtij operacioni, që ka bërë bujë në të gjithë botën. “Shqipëria synon të sjellë rendin në kryeqytetin Europian të hashashit”, është titulli i kësaj të përditshmeje amerikane, e cila nënvizon se kësaj here autoritetet Shqiptare janë zotuar se nuk do të largohen prej aty pa u përfunduar e gjithë puna./ SotNews/

Lajme të ngjashme

Back to top button