Policia gjeti mesazhe të Sali Berishës në telefonat e të arrestuarve në Lazarat

Rrethimi dhe lëkundja e kështjellës së krimit në Lazarat nga forcat e policisë, është përjetuar dramatikisht nga Sali Berisha, i cili për tetë vite me radhë, i garantoi mbrojtje shtetërore kartelit të drogës në Lazarat.

Drama e kupolës së SHQUP-it është reflektuar fillimisht me heshtjen komprometuese dhe më pas me disa reagime shpërthyese. Ndërsa BE, SHBA, të gjitha kancelaritë evropiane, vendet fqinje, opinioni publik dhe çdo faktor tjetër mbështet operacionin e policisë për të vendosur shtetin ligjor në Lazarat, Sali Berisha është ankuar dje se karteli i drogës nuk ka internet, ndërsa ka shpërthyer me një gjuhë të ashpër ndaj policisë.

Ndërsa në Lazarat, mes forcave të policisë dhe bandës po zhvillohet një luftë frontale me snajpera, kallashnikov dhe autoblinda, Sali Berisha ka kërkuar dje që të nisin hetimet ndaj policisë për prishjen e qetësisë në Lazarat. Ai i ka bërë thirrje kryeprokurorit Llalla që të nisë hetimet ndaj forcave speciale. Por, çfarë fshihet pas shqetësimit dhe shpërthimit të Sali Berishës? Sipas burimeve nga grupi hetimor, policia gjyqësore dhe forcat speciale, kanë prova të pakontestueshme për një komunikim të Sali Berishës me krerët e bandave të drogës në Lazarat.

Gjithçka është zbardhur pas arrestimeve të para të anëtarëve të kartelit të drogës dhe sekuestrimit të telefonave të tyre. Sipas burimeve të sigurta, në telefonat e të akuzuarve për sulm të armatosur ndaj forcave të Policisë së Shtetit, është gjetur numri i Sali Berishës, janë konstatuar thirrje në drejtim të numrit të Sali Berishës, mesazhe etj., çka flet për një komunikim të dyshimtë të ish-kryeministrit me bandat në fjalë.

Po sipas burimeve, në telefonat e tyre janë gjetur edhe mesazhe të ish-kryeministrit Berisha, mesazhe të cilat pritet të zbardhen në ditët në vijim. Dyshimet se Berisha ka pasur një komunikim me baronët e drogës mbështeten edhe nga reagimi i Berishës, i cili deklaroi se kriminelët më të rrezikshëm të Lazaratit janë larguar. “Në pjesën më të madhe të komunës është ndërprerë energjia dhe interneti. Ndërkohë bëhet e ditur se gjatë natës ajo ka hapur shtegun për largim të grupeve kriminale më të rrezikshme dhe bosëve kryesorë të trafikut, të cilët nuk i futi ne listën e 26 personave të kërkuar, duke dëshmuar lidhjen e këtyre grupeve me qeverinë”, ka pohuar Berisha. /Sotnews

Lajme të ngjashme

Back to top button