Skandaloze! Vetëm 30% e uebfaqeve të institucioneve shtetërore kanë version shqip!

Fondacioni Metamorfozis ka bërë publik hulumtimin për përdorimin ee ueb-faqeve të institucioneve  shtetërore si vegla për transparencë, llogaridhënie dhe e-pjesëmarrje në Maqedoni. Mes të dhënave tjera, ajo që bie në sy është se nga 220 ueb-faqet e shqyrtuara, 95% kanë versione gjuhësore në maqedonisht, 52% kanë versione në gjuhën angleze, 30% në shqip.

Më tej, nga 1% kanë versione në turqisht, gjermanisht dhe në gjuhën spanjolle, ndërsa 0,005%, gjegjësisht nga një ueb-faqe kanë versione në italisht, gjegjësisht në frëngjisht.

Versionet gjuhësore dhe lajmet

 

Duke i marrë parasysh këto të dhëna, mund të konkludojmë se institucionet shtetërore nuk Maqedoni nuk e respektojnë dhe nuk kujdesen për popullatën numër dy në vend, e cila në mungesë të regjistrimit të fundit, zyrtarisht përbën 25% të popullatës së Maqedonisë.

Në këtë hulumtim sipas analizës së bërë te 91% e ueb-faqeve ka seksion për lajme ose raportime periodike në gjuhën maqedonase, te 22% ka lajme në gjuhën shqipe dhe te 37% ka lajme në gjuhën angleze.

Portalb ka shkruar disa herë për problematikën e mos-përkthimit të uebsajteve në gjuhën shqipe, duke u nisur nga vet presidenti Gjorge Ivanov i cili prezantohet si “baba i popullit” e deri te ministritë dhe drejtoritë të cilat madje udhëhiqen nga kuadër shqiptar.

Jashari: Çështja e gjuhës shqipe politizohet pa nevojë!

Drejtori i fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari shprehet se prania e shqipes në uebsajt ka të bëjë me atë se sa ai institucion është i hapur për bashkëpunim me qytetarët, për ti dëgjuar ata e jo çështje politike.

“Përdorimi i gjuhës shqipe në ueb faqet e institucioneve shtetërore në nivel lokal apo qëndror nuk duhet të politizohet sepse nuk është çështje politike. Prania e shqipes në uebsajt ka të bëjë me atë se sa ai institucion është i hapur për bashkëpunim me qytetarët, për ti dëgjuar ata. Dihet se një qytetar ndjehet më mirë dhe shprehet më lirshëm kur e përdor gjuhën amë në komunikim.” shprehet Jashari.

Gjatë prezantimit të hulumtimit, Tamara Resavska, Bardhyl Jashari dhe Tanja Hafner Ademi
Gjatë prezantimit të hulumtimit, Tamara Resavska, Bardhyl Jashari dhe Tanja Hafner Ademi

Më tej, sipas hulumtimit të Metamorfozis, në ueb-faqet e institucioneve publike mungojnë të dhëna me karakter publik, veçanërisht nga fusha e transparencës fiskale dhe e llogaridhënies, si dhe mekanizma që mundësojnë e-pjesëmarrje qytetare dhe inkuadrimin e tyre në vendimmarrje. Një e treta e ueb-domeneve të regjistruara nuk punojnë. Mbi gjysma e ueb-faqeve të shqyrtuara nuk janë përditësuar në kohë me lajme të përgjithshme, më pak se një e treta kanë pjesë të veçantë për qasje të lirë deri te informatat me karakter publik, mbi tre të katërtat nuk publikojnë program për punë dhe informata fiskale, shumica nuk e kanë publikuar gjithë legjislacionin që ka të bëjë me punën e tyre, e mbi 95% nuk publikojnë politika për privatësi.

“Më shpesh, komunikimi është njëkahësh, ndërsa mundësitë për interaksion dykahësh kryesisht janë minimizuar në komunikim me anë të e-mail-it – ku rrallë përgjigjen – dhe telefonit. Vetëm dy ueb-faqe mundësojnë diskutime publike për ndryshimet në fushën e legjislacionit dhe të politikave publike dhe rrallë shfrytëzohen për shkak se nuk janë përditësuar rregullisht dhe në tërësi, ndërsa qytetarët nuk janë të njoftuar ose janë të demotivuar për shkak të përvojave të mëparshme nga proceset e tilla, ku nuk është marrë parasysh mendimi i tyre.” thuhet në hulumtim.

Tanja Hafner – Ademi, drejtoresha ekzekutive e Rrjeti ballkanik për zhvillimin e shoqërisë qytetare (BCCDN) në konferencën e të martës e prezantoi bashkëpunimin me fondacionin Metamorfozis dhe foli rreth kontekstit dhe rëndësisë së projektit dhe hulumtimit, që ka për qëllim ta konstatojë nivelin aktual të përdorimit të teknologjive të reja nga ana e institucioneve shtetërore nlë nivel qendror dhe lokal (gov.mk), si dhe mundësitë që u ofrohen qytetarëve për e-pjesëmarrje.

Përfaqësuesit e fondacionit Metamorfozis theksuan se në Republikën e Maqedonisë ekziston korniza ligjore me të cilën rregullohet e-pjesëmarrja qytetare, por nevojitet zbatimi i saj konsekuent, si dhe ngritja e vetëdijes te institucionet për rëndësinë e ueb-faqeve si vegla dhe platforma për transparencë, llogaridhënie dhe pjesëmarrje qytetare, si dhe ridestiminimi i mjeteve nga buxheti i institucioneve të cilat do të dedikohen për këtë qëllim.

Hulumtin e plotë mund ta shkarkoni këtu.

Lajme të ngjashme

Back to top button