Po afrohet oferta e madhe!!!

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit Gjithë njerëzit gëzohen për oferta të mira e si mos të gëzohemi dhe të mos përgaditemi për Ofertën e Madhe që po na afrohet, ofertë e cila nuk ka të bëj me gjëra kaluese por një ofertë e cila është hynore dhe vjen nga Krijuesi i gjithe njerezimit, pra po afrohet RAMAZANI.

Po afrohet oferta me të cilën zemra gëzohet dhe emocionohet, njerëzit afrohen më shumë te Allahu, të hidhëruarit pajtohen, të varfërit gëzohen, të pasurit solidarizohen. Po afrohet muaji në të cilën zbriti Kurani, muaji që mbushen xhamitë për namaz të tëravive, zemrat gjejnë qetësi me përmendjen e Allahut të Lartësuar.

Muaji i Ramazani është muaji i agjërimit, muaji i mëshirës, begatisë, ibadetit dhe krejt në fund muaji i pastrimit tonë nga mëkatet tona. Këto vlera që nuk mund të arrihet jashtë muajit të Ramazanit, thjeshtë është një dhuratë e madhe apo një ofertë e madhe për te arritur kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Ramazani është mëshirë që simbolizon dashurinë e Allahut te Lartesuar ndaj robit të tij, andaj ne duhet të jemi krenarë që i takojmë këtij Ummeti, këtij udhëzimi dhe njëkohësisht duhet të jemi edhe falënderues ndaj Allahut te Lartesuar. Thotë shejh Salih El Feuzan: O ju musliman, frikojuni Allahut dhe falënderoni Atë. Dijeni se prej urtësisë së madhe të Tij është ta veçon kë të donë nga krijesat e Tij dhe ta dallon njërën krijesë nga tjetra.

Disa nga njerëzit i bëri të dallohen nga të tjerët dhe disa vende i bëri të dallohen nga vendet tjera dhe poashtu disa periudha i bëri të dallohen nga periudhat tjera dhe Allahu nga ato e veçoi dhe dalloi muajin e Ramazanit prej muajve tjerë dhe në Kuran tha: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)“. (El-Bekare 185). Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër thotë: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat. (El-Bakare, 183). Në gjuhën e sheriatit fjala “Agjërim” do të thotë ndërprerja nga të ngrënët, të pirët dhe marrdhëniet intime nga agimi deri në perëndim të diellit, me qëllim vetëm për hir të Allahut. I Dërguari i Allahut sallAllahu sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në shumë hadithe ka folur rreth rëndesisë së muajit të Ramazanit dhe disa prej tyre janë: 1. Ebu Hurejra radijAllahu anhu tregon se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Agjërimi është mburojë nga zjarri i Xhehenemit.

Kështu që agjëruesi duhet të shmangë takimin (mardhëniet) me bashkëshorten dhe nuk duhet të sillet pa mend dhe me paturpësi; edhe nëse dikush tjetër e lufton a sillet keq me të apo e fyen atë, atëherë ai duhet t’i thotë atij dy herë: ‘Jam agjërueshëm,!,, Pejgamberi alejhi salatu ve selam shtoi: “Pasha Atë, në Duart e të Cilit është shpirti im! Era që vjen nga goja e agjëruesit është më e mirë dhe më e dashur tek Allahu i Lartë sesa era e miskut. (Allahu thotë për agjëruesin): ‘Ai e ka lënë mënjanë ushqimin, pijen dhe dëshirat e tij për Hatrin Tim. Agjërimi është për Mua, kështu që Unë do ta shpërblej (agjëruesin) për të dhe shpërblimi i veprave të mira shumëfishohet dhjetë here.” (Buhariu, 1894)

2.Transmetohet nga Abdullah ibën Amer radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani të dy do të ndërmjetesojnë për robin në ditën e Kiametit. Do të thotë agjërimi:” O Zot, ai u ndalua prej ushqimit dhe dëshirave, ndaj me lejo që unë të ndërmjetesoj për të!” Dhe do të thotë Kurani:” Ai u ndalua prej gjumit të natës me lejo që të ndermjetesoj për të!” Allahu u thotë: ”Ndërmjetesoni!” Shejh Albani Allahu e mëshiroftë thotë: “Që do të thotë: Do të ndërmjetësojnë te dy (si agjërimi dhe Kurani) tek Allahu dhe ai futet ne xhennet.” (Ahmedi dhe Tabarani ne “El Kebir” dhe e ka saktësuar shejh Albani, Allahu e mëshirofte! në “Sahihut-Tergib vet-Terhib).

3.Transmetohet nga Ebi Seid El Hudri radijAllahu anhu se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, ia largon Allahu atij fytyrën nga zjarri sa 70 vjeshta.” (Buhariu me nr. 2840 dhe Muslimi me nr. 1153).

4. Transmetohet nga Hudhejfe radijAllahu anhu të ketë thënë: Kam dëgjuar të Derguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke thënëtë: “Sproven e burrit në familjen, pasurinë, veten e tij, fëmijët dhe në komshiun e tij e fshin agjërimi, namazi dhe urdhërimi për të mirë e ndalimi nga e keqja.” (Buhariu me nr. 1895 dhe Muslimi me nr. 144). 5. Ne një transmetim tjetër thuhet: “…Me të vërtetë për agjeruesin janë dy gëzime: gëzimi kur te çelë iftarin dhe gëzimi kur të takohet me Allahun.” (Muslimi me nr. 1151).

Të nderuar lexues, mendoj se këto argumente që i paraqitëm per vlerën e muajit të Ramazanit, është qartësuar se pse myslimani gëzohet për ardhjen e këtij muaji te shënjte dhe mendoj se e keni të qartë pse ia vlen të bëjmë parapërgatitje maksimale për pritjen madhore të këtij muaji. Për në fund hapni zemrat tuaja, shpalosni gëzimin dhe harenë tuaj për ardhjen e muajit të Ramazanit, se me lejen dhe ndihmën e Allahut të Lartësuar do të jemi fitimtarë mbi të gjitha vështirësitë dhe lodhjet. Allahu na udhëzoftë dhe ndihmoftë në punë të mira, në punë që Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij janë të kënaqur me to. Allahumme amin.

Pergaditi: Hadimetul Islam

Lajme të ngjashme

Back to top button