Lazarat, policia asgjëson 30 mln euro hashash

Policia ka asgjesuar deri më tani një sasi droge që vlen nga 30 deri në 37 milionë euro, sasia e drogës së djegur është 11 ton e 300 kilogramë, ndërsa janë gjetur dhe shkatërruar 70 mijë rrënjë.

Kjo sasi është gjetur gjatë kontrollit të 30 banesave në zonën e lagjes Mahmutaj. Në lagjen që policia ende nuk ka hyrë është djegur një sasi akoma më e madhe droge në një përpjekje për të fshehur provat.

Ndërkohë, në jug të fshatit janë duke avancuar ngadalë shtëpi më shtëpi forcat RENEA të mbështetura nga mjete të blinduara.

Policia njoftoi se është identifikuar një grup prej 12 personash të drejtuar nga shtetasi Altin Shurdhi. Sipas policisë, aty ndodhej shtetasi Hysen Çela me precedentë penalë, i ashtuquajturi “Neni” i cili po qëllonte me snajper drejt policisë. Rreth orës 13 e 30 ai është arrestuar nga policia dhe është shoqëruar në komisariat.

Grupi në shtëpinë e Altin Shurdhit nuk është i vetmi që po i përgjigjet me armë policisë. Sipas banorëve, në fshat janë edhe dy furgonë me të cilët lëvizin të rinj e adoleshentë të armatosur, tërësisht jashtë kontrollit.

Kreu i komunës, Dasho Aliko, paraditen e sotme bëri thirrje që personat e përmendur nga policia të dorëzohen, ndërsa të armatosurit të dorëzojnë armët në qendër të fshatit. Aliko bën thirrje që fëmijët të mbahen në shtëpi në mënyrë që të mos manipulohen.

Ndërkohë, policia bën të ditur se janë sekuestruar edhe dy laboratorë të përpunimit të drogës, një prej të cilëve ndodhet në ambientet e Gate Mahmutajt dhe tjetri në shtëpinë e vëllait të tij, shtetasit Xhezo Mahmutaj. Grupe speciale të hetimit të orientuara nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Drejtoria për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, kanë vijuar kryerjen e veprimeve për kryerjen e hetimeve dhe fiksimin e provave materiale paralel me veprimet operacionale të strukturave policore në terren.

Pak pas mesditës së të mërkurës policia doli në njoftim për vijueshmërinë e operacionit në Lazarat.

Në deklaratën e uniformave blu thuhet se janë kontrolluar edhe shtatë banesa të tjera dhe janë asgjësuar 1.5 ton hashash e rreth 2 mijë bimë narkotike kanabis sativa. Janë sekuestruar gjithashtu 3 armë zjarri automatike, 1 armë gjahu çifte si dhe një sasi e konsiderueshme municioni.

Lajme të ngjashme

Back to top button