Ndotja e Shkupit: Një e keqe pa keqbërës

Me përqendrimet e larta të ndotjes së ajrit, që regjistrohen gjatë 10 viteve të fundit, banorët e kryeqytetit të Maqedonisë, Shkupit, në mënyrë permanente mbeten të rrezikuar me nivelin e lartë të ndotjes, që në fakt është një rrezik serioz për shëndetin e popullatës. Sipas të dhënave të Institutit të shëndetit publik, sëmundjet që regjistrohen në Shkup dhe në qytetet e tjera të vendit kryesisht kanë të bëjnë me ndotjen e ajrit.

Rreth 40% të pacientëve që janë mjekuar nëpër spitalet kanë vuajtur nga sëmundjet e sistemit respirator dhe sistemit të qarkullimit të gjakut, ndërsa 55% të fëmijëve deri në moshën 6 vjeçe vuajnë nga sëmundjet e mushkërive dhe rrugëve të frymëmarrjes. Megjithëse Banka Ndërkombëtare para pak kohësh ka vlerësuar se ajri i ndotur në Maqedoni çdo vit merr nga 1.350 jetë dhe rezulton me harxhime që kapin shumën e 253 milionë eurove, pushteti vazhdon të injorojë humbjet në fjalë dhe nuk zbaton plotësisht masat ligjore për parandalimin ose uljen e nivelit të ndotjes që shkaktohet nga burimet më të mëdha të ndotjes, siç janë kompanitë e industrisë dhe energjetikës, komunikacioni, urbanizmi, amvisëritë dhe pikat e grumbullimit të mbeturinave.

Elena Petrovska, e cila jeton në Shkup, në lagjen Lisiçe e Re, është një nga individët më të prekur me ndotjen e industrisë, sidomos gjatë periudhës së dimrit. E shqetësuar për shëndetin e saj dhe të fëmijës së saj, ajo thotë se pothuajse çdo dimër preken nga ftohjet dhe nga kolitja që zgjat shumë.

„Dy viteve të fundit, në dhjetor dhe janar, kemi shkuar në Institutin e sëmundjeve të mushkërive të fëmijëve në Kozle si rezultat të laringjitisit dhe kollitjes që kanë vazhduar me muaj, ndërsa mjekët e Institutit na përshkruan terapi kortiko shumëmuajshe. Megjithatë, askush nuk na tregoi që sëmundjet janë rezultat të ndotjes së ajrit, ndërsa për mua është simptomatik fakti që dy viteve të fundit simptomat përsëriten të njëjtën periudhë“.

Vetëm në vitin 2012 nga problemet me rrugët e frymëmarrjes, problemet me mushkëritë, kollitjen, frymëmarrjen e çrregulluar, astmën, problemet e zemrës dhe për shkak të sëmundjeve të tjera janë mjekuar mbi 70 mijë persona, të cilat kanë kaluar 529.773 ditë nëpër spitalet e vendit. Pjesa më e madhe e këtyre individëve janë mjekuar në Shkup.

Profesori Dragan Gjorgjev nga Instituti i shëndetit publik paralajmëron se përveç sëmundjeve të sipërpërmendura, ndotja e ajrit ka të bëj edhe me kancerin e mushkërive, sëmundje kjo që është vërtetuar me analizat përkatëse, si rezultat të të cilës Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli ndotjen e ajrit si një rrezik kancerogjen:

„Sëmundjet në fjalë zakonisht prekin të ashtuquajturat grupe delikate, siç janë fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike, para së gjithash nga sëmundjet e mushkërive dhe të zemrës. Për këtë arsye, të dhënat lidhur me mortalitetin dhe sëmundjet që prekin këto grupe zakonisht janë indikatorë indirekt që konfirmojnë nivelin e ndotjes së ajrit“, thotë profesori Gjorgjev.

Ndërkohë, edhe studimet vendase konfirmojnë se ajri në Shkup ndotet me emisionet e gazeve të “ndotësve të mëdhenj” të industrisë, nga komunikacioni, urbanizimi i pakontrolluar dhe amvisëritë, ndërsa në një masë të caktuar ndikon edhe pozicionimi gjeografik i qytetit. Në Shkup ekzistojnë edhe “pika ekologjike të nxehta”, lokacione me materie të rrezikshme që përhapen në ajër, siç është ish fabrika kimike OHIS.

Ato janë burimet më të mëdha të tymit dhe pluhurit që përmbajnë grimca të forta që qëndrojnë në ajër, dyoksid sulfuri, monoksid karboni, okside azoti dhe ozon.

Grimcat e forta që qëndrojnë në ajër (PМ10 dhe PМ2,5) janë një përzierje e grimcave të lëngëzuara dhe të ngurta që mund të gjenden në ajër dhe janë mjaft të rrezikshme. Ato lëshohen direkt në ajër nga burimet e ndryshme, siç janë tymi dhe pluhuri ose mund të formohen në atmosferë me transformimin e gazeve të emituara. Grimcat ndikojnë negativisht mbi shëndetin e njeriut dhe mbi klimën, ndërsa sipas madhësisë ato mund të ndahen në dy kategori: grimca deri në 10 mikrometra – PМ10 dhe grimca më të vogla prej 2,5 mikrometra – PМ2,5.

Ilustrimi i grimcave PМ2,5 dhe PМ10

Burimi: Cilësia e ajrit në Evropë, viti 2013
Burimi: Cilësia e ajrit në Evropë, viti 2013

Dobësohet imuniteti i banorëve të Shkupit  

Të dhënat e fituara me ndihmën e pesë pikave matëse në Shkup kanë vërtetuar se përqendrimet mesatare në nivel vjetor të grimcave të ngurta të rrezikshme PM10 që qëndrojnë në ajër nga viti 2003 deri në vitin 2013 kanë variuar nga 80 deri në 180 mikogramë për një metër kub (μg/m3). Përqendrimi më i madh është konstatuar me pikën e matjes në Qendër, në vitin 2011.

Kjo mesatare është ka kaluar në një masë të madhe limitin e lejuar për mbrojtjen e shëndetit, limit ky prej 40 mikrogramë për një metër kub (μg/m3), mesatare kjo që duhet respektuar nga ana e Maqedonisë në përputhje me standardet evropiane. Rreziku akoma më i madh vjen nga përqendrimet e PМ2,5 në pjesën qendrore të kryeqytetit, që arrijnë rreth 70-80% të përqendrimit të përgjithshëm të grimcave të ngurta.

Profesori Trajçe Stafilov nga Instituti i kimisë pranë Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore një kohë të gjatë është marrë me monitorimin e ajrit në Shkup. Ai sqaron se grimcat e ngurta absorbojnë materiet e tjera të dëmshme të ajrit dhe  depërtojnë në mushkëritë ose në lukthin e njeriut, duke kaluar në gjak dhe duke lënë pasoja të rënda mbi shëndetin e njeriut. Duke komentuar periudhën nga fundi i vitit të kaluar, kur Shkupi ishte mbuluar me mjegullën e dendur, profesori pyet i habitur:

„nuk e kam të qartë përse banorët e Shkupit janë befasuar me përqendrimet e larta në vitin 2013 duke ditur që përqendrimet e grimcave të ngurta në ajër në Shkup janë gjithmonë në një nivel të lartë. Ato në raste të caktuara arrijnë 1 000 mikrogramë për metër, në raste të tjera arrijnë në 100, por gjithnjë janë mbi 50, pa dallim nëse bëhet fjalë për periudhën e verës ose të dimrit“.

Pamje nga lugina e Shkupit nga mali Vodno gjatë periudhave kur përqendrimet janë në nivele ekstreme

Nëntor 2013
Nëntor 2013

Megjithëse është paraparë që brenda vitit të mos ketë mbi 35 ditë me përqendrime më të larta se mesatarja e lejuar, profesori Dragan Gjorgjev thotë se viteve të fundit pikat qendrore të matjes në kryeqytet, siç është ajo në Lisiçe ose ajo në rektoratin e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodija” regjistrojnë mbi 150 ditë brenda vitit me përqendrime mbi mesataren e lejuar. Në vitin 2012 u regjistruan 263 ditë me përqendrime mbi mesataren e lejuar, që do të thotë se më shumë se gjysma e vitit kaloi me këto përqendrime, më saktësisht bëhet fjalë për një tejkalim të mesatares së përqendrimeve prej 5 herë, krahasuar me mesataren e lejuar me Direktivën evropiane të vitit 2008. „Ndotja e madhe dëmton sistemin imunitar të banorëve të Shkupit, duke ulur rezistencën e organizmit të tyre ndaj sëmundjeve të ndryshme. Duke e marrë parasysh kontinuitetin dhe faktin se nuk është marrë asnjë masë konkrete për përmirësimin e gjendjes dhe në mbështetje të të dhënave statistikore nga fusha e shëndetësisë, nuk ka asnjë dyshim se edhe shpenzimet e këtyre viteve janë në kuadër të shifrave të larta që janë prezantuar me projektin e para pak kohëve të Bankës Botërore“, tha profesori Gjorgjev.

Banka Botërore me studimin „Rritja e gjelbër“ vlerësoi se ndotja e ajrit në Maqedoni merr 1.350 jetë në vit, ndërsa ekonomia e vendit dëmtohet për 253 milionë euro si rezultat të rasteve të shumta të vdekjes së parakohshme, shpenzimeve në fushën e shëndetësisë, uljen e aftësisë së punës të popullatës dhe mungesës së vendeve të lira të punës për qytetarët.

E gjithë kjo do të thotë se brenda 10 viteve kanë vdekur mijëra persona, ndërsa ekonomisë së vendit i janë shkaktuar dëme që arrijë shumën e miliardë eurove.

Vlerësimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se shtatë milionë njerëz vdesin çdo vit si rezultat të ndikimit të ndotjes së ajrit, që do të thotë se një nga tetë vdekjet në nivel global regjistrohet si rezultat të ndotjes së ajrit. Këto konstatime konfirmojnë se ndotja e ajrit është rreziku më i madh ekologjik për të gjithë botën.

Pamje nga Shkupi gjatë periudhave kur ajri është i pastër 

Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Ndotësit e mëdhenj vazhdojnë ndotjen

Shkupi është qyteti më i ndotur i Maqedonisë i cili regjistron tendenca për rritjen e përqendrimeve, vlerësojnë disa nga organizatat ekologjike për nevojat e analizës „Kapitulli 27“. Ato theksojnë se cilësia e ajrit nuk mund të përmirësohet si rezultat të një sërë vendimesh politike, siç janë „lehtësimet e importimit të automjeteve të përdorura, politika energjetike që favorizon prodhimin e qymyrit dhe mosrespektimi i ligjeve në segmentin e lëshimit të lejeve ekologjike, që në raste të caktuara nënkupton lëshimin e lejeve për të vazhduar me ndotjen“.  

Sipas dokumenteve të Ministrisë së ambientit jetësor, deri në fund të vitit të kaluar vetëm shtatë nga 39 “ndotësit e mëdhenj” në Shkup kanë investuar për të siguruar teknikat më të reja dhe kanë fituar lejet e integruara ekologjike të tipit A. („Gazet teknike“, „Fabrika e birës“, „Те-То“, „Alkaloid“, Rafineria e bionaftës – „Makpetrol“, „Xhonson Meti“ dhe „Ading“).

Gjashtë kompani vazhdojnë procedurën e plotësimit të masave („Makstil“, „Skopski leguri“, „Agropin“, „Granit“, Fabrika e çimentos „Usje“ dhe „Drislla“),ndërsa 26 kompanitë e tjera figurojnë si kërkues të lejeve përkatëse.

Aleksandra Bujaroska, anëtare e Organizatës ekologjike „Fronti 21/42“ thotë se lëshimi i ngadalshëm i lejeve dhe implementimi i keq i direktivës përkatëse theksohet pothuajse në të gjitha raportet e Komisionit Evropian mbi përparimin e Maqedonisë.

„Megjithëse ishte mundësuar një afat prej nëntë vitesh për implementimin dhe zhvendosjen, të gjitha gjërat mbetën të realizohen brenda një viti. Fluksi i ndarjes së lejeve rezultoi me përjashtimin e opinionit, ndërsa u hapën dilema të shumta lidhur me cilësinë e lejes përkatëse“, thotë Bujaroska.

Legjenda e kartës

  • Kompanitë me leje të integruara ekologjike të tipit A
  • Kompanitë me leje të tipit A për harmonizimin me planin operativ
  • Kompanitë që kërkojnë leje të tipit A për harmonizimin me planin operativ

 

Sipas modelit evropian të rregullimit, ndotësit e mëdhenj në vitin 2005 u obliguan të sigurojnë leje të integruara ekologjike të tipit A, si një vegël për parandalimin e plotë ose uljen e emisioneve të gazeve ndotëse.

Ndotësit e mëdhenj brenda 9 viteve, më saktësisht deri më një prill të këtij viti, ishte dashur të ulin emisionet e gazeve ndotëse nën mesataren e lejuar me ndihmën e masave përkatëse që janë paraparë me sistemin e lejeve A për harmonizim me planin operativ. Lejen e integruar ekologjike të tipit A e lëshon Ministria e ambientit jetësor pas instalimit të “Teknikave më të mira që janë në dispozicion” nga ana e kompanisë përkatëse ose pas investimeve për teknologjinë më efektive për mbrojtjen e ambientit jetësor.

Ndotësit e mëdhenj shkaktojnë emisionet më të mëdha të gazeve ndotëse me djegien e derivateve gjatë procesit të prodhimit, sidomos ato që përdorin mazutin, naftën dhe qymyrin, siç janë kompanitë „Makstil“, „Skopski leguri“ „Okta“, „SHA Toplifikacija“ dhe Fabrika e çimentos „Usje“.Me Planin nacional për mbrojtjen e ajrit është evidentuar se në vitin 2009 në rajonin e Shkupit janë harxhuar 240 mijë tonë mazut dhe 45 mijë tonë naftë, sasi kjo disa herë më e lartë se sasia e harxhuar në shtatë rajonet e tjera të vendit.

Një pjesë e ndotësve të mëdhenj janë hapur në shekullin e kaluar. Sot, megjithëse janë privatizuar, ato vazhdojnë ndotjen sepse punojnë me pajisje të vjetra që nuk kanë efikasitet energjetik dhe lëshojnë sasi të mëdha dyoksidi sulfuri, okside azoti, grimca të suspenduara dhe përbërje organike që avullojnë.

Tymi i fabrikës “Zhelezara” 
Tymi i fabrikës “Zhelezara”

Evropa zbaton direktiva të reja

Ministri i ambientit jetësor, Abdylaqim Ademi, gjatë periudhës së kaluar dha një sërë deklaratash kontradiktore lidhur me ndotjen e industrisë. Nga fundi i vitit të kaluar në mënyrë kategorike tha se nuk do të vazhdohen afatet ekologjike dhe se vija e kuqe është caktuar më datën 1 prill të këtij viti.

Megjithatë, ministria e drejtuar nga ana e tij, deri në publikimin e këtij teksti, nuk iu përgjigj pyetjes nëse të gjitha kompanitë kanë respektuar afatet dhe masat që janë paraparë për t’u pajisur me lejet përkatëse, nëse janë vazhduar afatet përkatëse dhe cilat gjoba janë paraparë për kompanitë që nuk do të plotësojnë detyrimet ligjore?

Ndërkohë, një muaj pas afatit të paraparë me ligj, nga fundi i prillit, banorët lagjes Zhelezara të Shkupit protestuan kundër ndotjes së kompanive „Makstil“ dhe „Mitalstil“, duke kërkuar respektimin e detyrimeve të parapara me lejet ekologjike. Lagjja e Zhelezarës gjendet disa metra larg këtyre dy kompanive të industrisë së rëndë.

„Ejani në mbrëmje për të parë çfarë do të thotë ndotja“, thonë banorët sipas të cilëve fabrikat lëshojnë tym vazhdimisht gjatë orëve të natës, ndërsa fëmijët e tyre sëmuren.

Pushteti toleron me vite ndotjen e industrisë, duke injoruar ligjet e mbrojtjes së ambientit jetësor, megjithëse dëmet e ndotjes së ajrit janë shumë të mëdha.

Ky fakt vërtetohet edhe me analizën e Organizatës ekologjike „Fonti 21/42“, me titullin “parandalimi i integruar dhe kontrollimi i ndotjes industriale“, në kudër të të cilës autorët analizojnë lejet e lëshuara ekologjike të tipit А, aspektin e respektimit të ligjit gjatë lëshimit të lejeve dhe përmbushjen e detyrimeve nga ana e kompanive.

Kjo organizatë ekologjike konstaton se në vitin 2012 në Maqedoni rreth 19% të lejeve janë lëshuar me probleme serioze gjatë lëshimit të tyre.

Në shumë raste janë tejkaluar afatet, janë regjistruar kërkesa të pakompletuara të operatorëve dhe janë injoruar mekanizmat ligjore për përmbushjen e detyrimeve që kanë të bëjnë me procesin e lëshimit të lejeve. Problemet e sipërpërmendura janë vetëm një pjesë e problemeve që i ka konstatuar kjo organizatë.

Aleksandra Bujaroska gjen thelbin e problemit në kapacitetet e dobëta të palëve të interesuara të procesit dhe në mungesën e motivit të operatorëve për të plotësuar masat e planeve operative. Sipas saj, kompanitë që ndotin ambientin janë të interesuara për të vazhduar kjo gjendje.

„Përse të investojnë kur nga njëra anë këto kompani akoma nuk kanë fituar lejen e cila më vonë do t’u impononte detyrime të caktuara, ndërsa nga ana tjetër kanë parashtruar kërkesa për të fituar lejet përkatëse, kërkesa këto që u mundësojnë të anashkalojnë gjobat për ndotjen e ajrit?“.

Bujaroska thotë se Direktiva e deritanishme e BE-së për parandalimin e integruar dhe kontrollimin e ndotjes është zëvendësuar me Direktivën e re për emisionet e gazeve të industrisë, e cila ka paraparë limite më të rrepta lidhur me ndotjen e ajrit, ndërsa vendet e bashkimit evropian Direktivën në fjalë e kanë përfshirë në legjislacionet e tyre nga janari i vitit 2013.

„kapacitetet e tanishme deri në vitin 2016 duhet të definojnë limite më të rrepta lidhur me emisionet e oksidit nitrogjen, dyoksidit të sulfurit dhe për pluhurin, në përputhje me Direktivën e re. Parashtrohet pyetja, ku jemi ne në këtë aspekt? nuk jemi askund! BE-ja ka paraparë ulje akoma më të madhe të emisioneve deri në vitin 2016, që do të thotë se ka bërë revizion të lejeve të tanishme në përputhje me Direktivën e re, ndërsa ne presim prillin e vitit 2014 për të lëshuar lejet përkatëse“, tha Bujaroska.

Sektori civil vlerëson se problemet me lëshimin e lejeve të tipit A do të tejkalohen me përfshirjen e ekspertëve të huaj, profesorëve universitarë, ministrive të tjera dhe organizatave civile në procesin përkatës.

Ato sugjerojnë ndryshime ligjore me afate të sakta brenda të cilave operatorët do të parashtrojnë kërkesa komplete për të fituar lejen ekologjike të tipit A, por edhe ndryshime që do të përmirësojnë pjesëmarrjen e opinionit në procedurën e lëshimit të lejeve.

Pikat e nxehta ekologjike në Shkup

Fabrikat e Shkupit „Okta“, „Makstil“ dhe „Ohis“ janë definuar si pikat e nxehta ekologjike, kryesisht si rezultat të pikave të tyre për grumbullimin e mbeturinave që ndotin ajrin, ujin dhe tokën.

„Okta“ ndot me sulfur dhe dyoksid azoti dhe është klasifikuar si një pikë e nxehtë ekologjike e rrezikut të ulët, ndërsa pika e grumbullimit të mbeturinave e „Makstil“, në të cilën grumbullohen metalet e rënda, është vlerësuar si pikë e nxehtë me rrezik të ulët.

Pika e grumbullimit të mbeturinave e fabrikës „Ohis“ është vlerësuar si një pikë e nxehtë ekologjike me rrezik të lartë dhe brenda saj janë depozituar mbi 10 mijë tonë lindan. Profesori Trajçe Stafilov thotë se lindani është një pesticid mjaft helmues që gjendet në listën e zezë të programit të ekologjisë i Kombeve të Bashkuara. Ai thekson se grumbujt me lindanin kancerogjen që gjenden në „Ohis“ shpërndahen në ajrin e Shkupit.

„Problemi më i madh në Maqedoni, jo vetëm për ajrin, por edhe për ujin dhe tokën është Fabrika “OHIS”. Para 40 vitesh, kur u ndalua përdorimi i pesticideve, OHIS ja grumbuj me 12-13 mijë tonë të pesticidit lindan të mbuluara me dhe i cili gjithashtu është i ndotur. Atëherë nuk ekzistonin analiza përkatëse, por më vonë u vërtetua se lindani është mjaft kancerogjen. Ai është lënë në një ambient të hapur në Fabrikën “Ohis”, ndërsa pluhuri i tij shpërndahet në ajrin e Shkupit“.        

Kapacitetet e dobëta të kontrollimit të pushtetit lokal

Megjithëse me studimet nacionale është theksuar se kompanitë më të vogla dhe kompanitë e mesme të industrisë janë pajisur me teknologjinë më të re, këto kompani ndikojnë në cilësinë e ajrit.

Këto kapacitete kanë për detyrë të pajisen me lejen e integruar ekologjike të tipit B, leje këto që lëshohen nga ana e Qytetit të Shkupit. Ligji rekomandon, por nuk i detyron këto kompani, të punojnë në përputhje me “Teknikat më të mira”.

Në Qytetin e Shkupit thonë se vetëm dy kompani janë pajisur me lejen e integruar ekologjike të tipit B, ndërsa 29 kompani të tjera kanë fituar leje të tipit B për harmonizim me Planin operativ.

„Duke filluar nga data 18 nëntor, viti 2013, janë realizuar kontrolle të çrregullta në 21 kapacitet nga numri i përgjithshëm i kapaciteteve që konsiderohen si ndotës të mundshëm të ajrit. Me kontrollet përkatëse është konstatuar se asnjëri nga kapacitetet nuk e ka tejkaluar limitin e lejuar të emisioneve që janë paraparë me lejet e integruara ekologjike“.

Megjithatë, një tjetër institucion shtetëror, Enti shtetëror i statistikës, me publikimin lidhur me ambientin jetësor thekson mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale në nivel lokal, sidomos në sektorin e industrisë, për realizimin e direktivave përkatëse.

„Kapacitetet e pushtetit lokal në të gjitha aspektet e mbrojtjes së ambientit jetësor janë të dobëta, duke u nisur nga organizimi dhe zhvillimi i monitorimit e deri në formimin e një trupi inspektimi dhe realizimin e rregullave që kanë të bëjnë me lëshimin e lejeve të integruara të tipit B“, thuhet në publikimin e Entit shtetëror të statistikës.

Rritet niveli i ndotjes nga komunikacioni  

Viteve të fundit Shkupi ballafaqohet me rritjen e numrit të automjeteve, të cilat kanë një ndikim të madh në ndotjen e ajrit.

Si rezultat të sasive të mëdha të monoksidit të karbonit, dyoksidit të sulfurit dhe grimcave të ngurta qyteti ka nevojë të madhe për implementimin e politikave që do të sigurojnë një model të balancuar transporti dhe ndryshimin e sjelljes së qytetarëve gjatë zgjedhjes së transportit.

Studimi lidhur me zhvillimin e sistemit të komunikacionit të Qytetit të Shkupit tregon se në vitin 2011 janë regjistruar 126.043 automjete me një vjetërsi mesatare prej rreth 12 vitesh.

Viteve të fundit ekziston një tendencë për rritjen e numrit të automjeteve sepse në vitin 2010 qeveria lejoi importimin e automjeteve më të vjetra se dhjetë vjet, duke e vlerësuar masën konkrete si një masë sociale.

Ana Çoloviq Leshoska, anëtare e Organizatës ekologjike „Eko-svest“, thotë se si rezultat të ndotjes së ajrit nevojitet nisja e një fushate për pezullimin e vendimit për importimin e automjeteve të përdorura ose të bëhet matje të emisioneve të gazeve ndotëse gjatë importimit të automjeteve.

Në këtë mënyrë do të mund të konstatohet se automjeti përkatës, megjithëse mund të jetë prodhuar në përputhje me standardin Euro 3, dhjetë vjet pas prodhimit automjeti duhet klasifikuar në përputhje me standardin Euro 1, ndërsa këto lloj automjetesh nuk duhet lejuar të importohen brenda vendit“.

Sipas studimit për komunikacionin, në Shkup çdo ditë realizohen 1 milionë e 100 mijë udhëtime. Gjashtëdhjetë e katër për qind të udhëtimeve realizohen me automjete dhe me transportin publik, 35% realizohen më këmbë, ndërsa 1,4% me biçikletë.

Më të rrezikuara me trafikun dhe ndotjen janë segmentet midis Karposhit, Qendrës, Aerodromit dhe destinacionet Bit Pazar, Çarshia e Vjetër, Mavrovka dhe Kompleksi i Fakulteteve.

Sipas vlerësimeve, përqendrimi më i madh i komunikacionit regjistrohet rreth kryqëzimit në afërsi të Qendrës Tregtare Mavrovka, ku qarkullojnë rreth 40.000 automjete në ditë.

Qyteti i Shkupit përgatiti disa plane për përmirësimin e cilësisë së ajrit, por pushteti i qytetit është i mendimit se gjendja e komunikacionit dhe ambientit jetësor do të përmirësohet me zgjerimin e bulevardeve.

„Për sa i përket komunikacionit, u ndërtuan disa bulevarde me rëndësi të madhe, që lehtësuan njëjtin dhe ndikuan pozitivisht në ekologjinë. Ne ndërtuam mbi 17 mijë metra bulevarde dhe realizuam rikonstruksionin e rreth 22 mijë metrave bulevarde dhe rrugë në Qytetin e Shkupit“, thotë kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.

Ana Çoloviq Leshoska thotë se trendi i zgjerimit të rrugëve bën që banorët e Shkupit të mendojnë se ato mund të shkojnë kudo me veturë deh të parkohen në pjesën qendrore të qytetit.

„I gjithë zhvillimi i centralizuar i qytetit është në kundërshtim me të gjitha masat e uljes së nivelit të komunikacionit sepse banorët që jetojnë jashtë pjesës qendrore të qytetit duhet të vijnë në qendër për të mbaruar qoftë edhe punën më të vogël. E gjithë administrata, shitoret, shërbimet he gjithçka tjetër është përqendruar në qendër ë Shkupit. Ne nuk mund të presim zgjidhje ndërsa komunikacioni alternativ nuk mund të stimulohet deri në momentin kur pushteti i qytetit do të kuptojë këtë problem“.

Modele transporti ekonomike

Modelet ekonomike të transportit nënkuptojnë zbatimin e masave dhe strategjive që inkurajojnë udhëtime më të shkurtra, që përdorin më pak energji dhe që janë më pak të dëmshme për ambientin jetësor.

Qytetet që zhvillohen në këtë drejtim investojnë në transformimin e ambientit publik dhe kujdesen më ndryshe për rrugët, sheshet dhe trashëgiminë arkitektonike.

Qyteti spanjoll Pontevedra vitin e kaluar fitoi shpërblimin për zgjidhjen dhe implementimin e modeleve të ndryshme të transportit nga ana e Agjencisë evropiane „Intermodes“.

Kryetari i këtij qyteti, Miguel Fernandez Lorez, para 15 vitesh filloi reformën urbane që nënkuptonte ndryshime radikale në pjesën e lëvizjes urbane, e cila deri atëherë bazohej në përdorimin e madh të automjeteve.

Ai limitoi praninë e automjeteve në qytet, që mundësoi të lirohet një hapësirë e madhe për rrugica këmbësorësh dhe lëvizje të sigurt me ngushtimin e rrugëve dhe shumë pengesa për automjetet. Ky është qyteti i parë që limitoi shpejtësinë e automjeteve në 30 kilometra në orë.

Qyteti realizon transportin pa automjete, duke siguruar një hapësirë të madhe parkimi në pjesën periferike të qytetit, në të cilën banorët lënë automjetet e tyre dhe ecin deri në pjesën qendrore të qytetit.

Përmirësimi i ambientit jetësor nuk mund të kontestohet, thonë zyrtarët e qytetit Pontevedra. „Me eliminimin e gazeve të komunikacionit u zvogëluan edhe dëmet mbi atmosferën, që rezultoi me një ambient jetësor të shëndetshëm dhe më ekologjik“.

Disa nga masat që u realizuan në qytetin spanjoll Pontevedra janë paraparë me Studimin e Shkupit për sistemin e komunikacionit, lidhur me përmirësimin e kushteve për çiklistët dhe këmbësorët nëpërmjet mbylljes së komunikacionit rrugën “Dimitrie Çupovski” në pjesën qendrore të Shkupit dhe në zonën më të gjerë përreth Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

Si probleme më serioze të studimit përkatës theksohen faktet që Shkupi nuk ka një model transporti zyrtar për definimin e infrastrukturave të reja, informatat e limituara, mungesa e koordinimit të institucioneve dhe problemi i parkimit.

Qyteti “viktimë” e ekspansionit në fushën e ndërtimit

Me ndërtimin e shumë objekteve të banimit, afariste dhe administrative, në Shkup u zvogëluan sipërfaqet publike dhe sipërfaqet me gjelbërim, ndërsa pluhuri i ndërtimit të objekteve ndikon shumë në ndotjen e ajrit.

Ekipi i Organizatës civile „Reaktor“, në të cilin marrin pjesë arkitektë dhe ekspertë të zhvillimit urban, përgatiti projektin „Shkupi zgjerohet“, i cili trajton numrin e madh të njësive të banimit në lagjet Debar Maallo dhe Bunjakovec dhe zvogëlimin e sipërfaqeve me gjelbërim.

Rezultatet e analizës përkatëse konfirmuan se në vitin 1990, në këto lagje 21,6% të sipërfaqeve të tyre kanë qenë me gjelbërim, për momentin me gjelbërim janë 13,9% të sipërfaqeve të tyre, ndërsa deri në vitin 2020 me gjelbërim është paraparë të mbeten vetëm 4,5% të sipërfaqeve.

Autorët e analizës përkatëse sqarojnë përse Shkupi zgjerohet në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa sipas një konkluzioni rrjedha e tillë ka të bëj me transformimin e sistemit politik në vitet 90-të, që sipas autorëve rezultoi me regjime të reja pronësie dhe kritere distribuomi dhe vlerash.

„Procesi i privatizimit dhe denacionalizimit rezultoi me transferim masiv të pasurive dhe rivlerësim të pasurisë sipas rregullave të ekonomisë së tregut. E gjithë kjo do të thotë se para vitit 1991 dominonte interesi publik në vend të interesit privat, ndërsa interesi i rregulluar kolektiv ishte një prioritet politik me rëndësi primare“.                  

Emisione më të vogla gazesh dhe kursime më të mëdha me investimet për efikasitetin energjetik  

Sipas të dhënave të Qytetit të Shkupit, në kuadër të qytetit janë regjistruar 162 amvisëri, 60 mijë prej të cilave ndotin ajrin duke u ngrohur me drurë dhe naftë. Gjatë periudhës së dimrit këto familje harxhojnë 366 metra kub drurë dhe 14 mijë tonë naftë. Gjashtëdhjetë mijë familje në Shkup janë kyçur në sistemin e ngrohjes qendrore, ndërsa pjesa tjetër përdorin energjinë elektrike. Këto familje rrezikohen edhe me të ashtuquajturën ndotje e brendshme e ajrit.

Zhivko Dimov, ekspert i efikasitetit energjetik, thotë se alternativa për këto familje është investimi për efikasitetin energjetik, që siguron kursime prej 10 deri në 30 për qind, varësisht nivelit të investimit.

Alternativa gjendet në orientimin drejt gazit dhe përdorimin e pompave termike, ndërrimin e dritareve të vjetra dhe ndërtimin e fasadave energjetike efikase. Objektet e vjetra janë me një efikasitet më të ulët energjetik, që do të thotë se ato mund të kenë nevojë për investim që mund të nis nga 3 mijë dhe mund të arrijë deri në 12 mijë euro për një familje“.  

Dimov thotë se alternativat e shtrenjta ofrohen edhe për familjet e varfra me ndihmën e shtetit.

„Efikasiteti energjetik është i ulët, por nevojitet të përmirësohet vetëdija dhe shteti të luaj një rol më aktiv në këtë drejtim. Investimet në pjesën e efikasitetit energjetik të objekteve kushton 100 deri në 200 euro për një metër katror, ndërsa Maqedonia në nivel vjetor duhet të realizojë një milionë metro katrore sipërfaqe banimi, që do të kushtonte 100 deri në 200 milionë euro në vit. Sektori privat duhet stimuluar me kredi më të lira, ndërsa sektori publik me buxhetim“, thotë Dimov.

Me Studimin „Zhvillimi i gjelbër“ i Bankës Botërore është theksuar se Shkupi me efikasitetin energjetik të objekteve komunale dhe me ndriçimin publik mund të kursej rreth 1,5 milionë dollarë në vit.

Vladimir Kalinski | Prizma

Teksti është punuar nga rrjeti hulumtues i gazetarisë, BIRN.

 

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button