Regjisori Izer Aliu triumfon sërish me filmin e tij në Norvegji

Filmi i metrazhit të shkurtër “The good life, over there” (Jeta e mirë atje) i regjisorit shqiptar nga Maqedonia është shpallur më i miri në mesin e 77 filmave ndërkombëtarë.

Izer Aliu ka triumfuar sërish në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Norvegji që u mbajt prej 12 deri më 17 qershor në Grimstad.

Regjisori shqiptar me prejardhje nga Maqedonia ka fituar çmimin kryesor “Karrigeja e artë” në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër si dhe çmimin “Ora e qelqit” për skenarin më të mirë.

Ky është viti i dytë me radhë që regjisori Aliu fiton këtë çmim pas edicionit të vitit të kaluar.

Në edicionin e sivjetmë të 37-in më radhë të festivalit, kanë marr pjesë 54 filma norvegjeze të shkurtër, 23 filma të shkurtër ndërkombëtarë, 11 dokumentarë dhe 20 video muzikore.

32 vjeçari ka ngadhënjyer me filmin e tij “The good life, over there” (Jeta e mirë atje), i cili bën fjalë për një punëtor që punon ilegalisht në fushën e ndërtimtarisë në Osllo.Ky film është i financuar nga fondet norvegjeze.

Izer Aliu, jeton dhe vepron prej vitesh në Norvegji. Ai ka diplomuar në Shkollën e Filmit norvegjez në Lilehamer, institucion në të cilin pranohen vetëm nga 6 persona për çdo dy vjet. Vitin e kaluar Ali është zgjedhur në mesin e 10 regjisorëve më të mirë në shtetet e Skandinavisë nga katër revistat më të mëdha për film të Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë dhe Finlandës.

Izer Aliu, regjisor
Izer Aliu, regjisor

Këtë sukses regjisori shqiptar e ka arritur me filmin e tij të shkurtër “Ta mbrojmë malin” (To guard a mountain), me të cilin ka fituar 11 çmime, përfshirë edhe çmimin e parë në Norvegji në kategorinë e filmave më të mirë të shkurtër për vitin 2013.

Foto nga filmi "To guard a mountain"
Foto nga filmi “To guard a mountain”

Më herët gjatë një interviste për KultPlus, regjisori Aliu ka bërë të ditur se është duke punuar edhe në një projekt tjetër filmik të metrazhit të gjatë të titulluar “Hunting Flies”. /KultPlus.com 

Lajme të ngjashme

Back to top button