MIDIS KAÇAKËVE DRENICAS

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

Nuk është kjo ajo Serbia e parë. – Harambashi Mehmet Delija (Fjala është për trimin e famshëm të rezistencës shqiptare të asaj kohe, Ahmet Delinë, shën. i përkth.).  – Dyzet shembuj të jolojalitetit tonë. Kushte për dorëzim. Politika e kaçakëve. – Bajraktari nga Vranoci.  

– Kur vitin e kaluar gjyqi bënte inspektim në vend të ngjarjes në Kotor në Drenicë, kryetari e pyeti Hajrullah Keqën:

– Si është puna?

– Nuk bën.

– Pse, bre?

– Nuk është kjo ajo Serbia e parë. Dikur çmoheshin njerëzit e mirë dhe të oxhakut, kurse sot hajnat2.

Dhe, të gjithë heshtën pas kësaj përgjigjeje duke pranuar të vërtetën e hidhur në këto fjalë. Pikërisht pse kjo nuk është ajo Serbia e parë, para disa ditësh ndodhi të bëhen negociata midis pushtetit shtetëror dhe kaçakëve në Drenicë. U përhap fjala se ata dashkan të dorëzohen, kurse kushtet që më parë mund të merreshin me mend. Shembulli infektues i Azem Bejtës i shkonte për shtat vënies së kushteve më të rënda nga ana e perandorëve të maleve.  Nga ana tjetër pushteti donte të vijë në njëfarë kontakti me këta njerëz dhe t’i dëgjojë dëshirat e tyre. Për këtë arsye u dërgua në malet e Drenicës veprimtari ynë kombëtar popi Angjelko Neshiç nga Mitrovica. Me siguri parlamentar më të mirë nuk mund të gjendej. Atë e njohin arnautët moti; ka qenë mik i Isë Boletinit dhe i njeh zakonet e tyre si dhe raportet midis individëve në atë mjedis. Prandaj u nis më 3 të këtij muaji, vetëm, me kalë, që të nesërmen të takohet me hajdutët.

Një kohë popit i printe Sefer Koshutova. Po kur iu afruan pyllit te Radisheva, prej nga është harambashi Mehmet Delija, Seferi tha:

– Më fal o pop, po unë nuk vij më tutje. Nuk jam mirë me Mehmetin, dhe dëgjova se po më kërkuaka. Po ti ec kështu drejt dhe do të takohesh me ta patjetër.

Së shpejti popi u takua me rojen prej shtatë a tetë kaçakësh, e cila e mori dhe e çoi te harambashi.

– E pamë me dylbi se është pop, i thanë ata që rrinin anash.

– Kur iu afruan Mehmet Delisë, popi zbriti prej kali dhe përshëndeti:

– Tunatijeta! (Tungjatjeta! Shën. i përkth.)

– Besa?

– Besa.

(Këto konstruksione përshëndetjesh të pakuptueshme bëhen nga ana e Jeliçit për t’u tallur me besën dhe për t’i nxjerrë shqiptarët qesharakë dhe budallenj. Shën. i përkthyesit)

Dhe parlamentari e dorëzoi automatikun e tij, ia shtriu dorën harambashit, pastaj u përshëndet me prijësin tjetër Fazli Bajram Beranin nga Klina dhe me disa të tjerë. Të tjerët vetëm e vunë dorën e djathtë në zemër2. Ishin dyzet e tetë veta, me tesha arnautësh, me armë, shumë syresh me dylbi. Midis tyre tre ikanakë nga Shqipëria – i kishte ngushtuar pushteti i atjeshëm për shkak të plaçkitjeve, dhe ata ia kanë mësyer terrenit më të mirë. Të gjithë të tjerët nga territori ynë.

Popi u tregoi pse kishte ardhur. Pushteti ishte lodhur më nga zullumi, të cilin e bënin ata, e megjithatë është i gatshëm ta pranojë dorëzimin e tyre dhe mos të jetojnë më si bisha në mal. (Çfarë pushteti “human” paska qenë i Serbisë së kralit! Shën. i përkth.) Kush është fajtor do të gjykohet në gjyq. Nëse asnjëri syresh nuk ka bërë ndonjë krim, do të lëshohet kur ta japë fjalën se do të rrijë urtë dhe se do ta respektojë ligjin.

– Si të dorëzohemi? ia nisi Mehmet Delija. Ka dyzet shembuj kur pushteti juaj nuk ka vepruar sipas ligjit ose nuk e kanë mbajtur fjalën3. Ja një. Në Tërnavë e kishte vrarë arnauti arnautin, pastaj kishte shkuar në komunë e ishte dorëzuar, kurse xhandari i cili e shoqëronte nga komuna atë që ish dorëzuar, nuk e çoi ku duhej po e vrau udhës.

– Do të jetë fajtor, prapë ndonjëri nga ju, nëse ia ka mbushur mendjen xhandarit4 .

– Po, kështu është. Familja e të vrarit i ka dhënë xhandarit pesëqind banka ta mbysë këtë vrasësin.

Pastaj nisi t’i radhisë edhe tridhjetë e nëntë shembujt tjerë.

– Me të vërtetë, thotë popi, ka këtu raste për të cilat edhe unë do të kisha dalë kaçak.

– Dhe, më në fund harambashi i paraqiti kushtet për dorëzim: të gjithëve t’u lihen armët, askush prej tyre mos të burgoset, por të jetë i lirë, kurse gjyqi mund t’i gjykojë.

– Kjo nuk mundet.

– E si mundi për Azem Bejtën?

– E, e sheh, Azem Bejta nuk i sulmon automobilët siç vepron ti. Vërtetë pse i plaçkitni udhëtarët5?

– E të ta them të drejtën, mbetëm pa të holla. Për këtë arsye. Ja, nuk do të bëjmë më!

– A është me ju Beqir Mulaku?

– Jo. Ne atë s’e pranojmë se ai e ka therur Stevë Gjukën e Mitrovicës.

– Nuk do t’ua pranojnë ato kushte.

– Ne ndryshe nuk pranojmë. Kështu t’u tregosh. Dhe, deri sa nuk vjen letra me lajmin e mirë ose të keq ne e japim fjalën se nuk do të plaçkitim në qarqet e Prizrenit, të Kosovës dhe të Zveçanit, deri në Istog. Do t’ua ndalojmë edhe të tjerëve që të veprojnë në këto anë. E vetmja gjë që do të marrim është buka. Nëse dikush refuzon të na japë, do t’ia marrim. Kaq.

Pas kësaj harambashi i nxori cigaret “Morava” dhe e thirri popin të ulej. Më pleqtë u ulën, kurse të rinjtë rrinin në këmbë. Të gjithë kaçakët ndezën nga një cigare, asnjëri nuk e thuri ndonjë duhan kaçak. Për pushkën e popit thjeshtë nisën të shtyhen që ta shohin. Ishte ky një automatik serb, e punuar me argjend, një punë e mrekullueshme e këtyre anëve.

– Ja, do ta humb kokën për këtë pushkë, mendoi ai6.

– A e shet? pyeti Mehmet Delija.

– Jo, për Zotin. Do ta kisha falur menjëherë, po s’mundem se këtë pushkë ma ka falur Isë Boletini. Dhe, më ka bërë be që mos të ndahem prej saj dhe ja…

Pastaj filloi politizimi duke pirë duhan e atëherë Fazli Bajrami tha:

– Desha të të pyes diçka. Po të na tregosh drejt e me sinqeritet. Na trego çka jemi ne.

– E kjo është një pyetje e vështirë, nisi popi të mendojë duke e zgjatur muhabetin. Po t’u them se nuk janë turq do të më lëshohen si në kohë të Turqisë. Po është si është, ua them të vërtetën. Dhe, u thotë më në fund: ju jeni arnautë7 .

– Ashtu është8! klithën disa. Rroftë pop Angjelkoja! Kurse neve të gjithë hoxhallarët na gënjejnë se jemi turq.

– Tjetër është feja, tjetër kombësia, iu shpjegon popi i inkurajuar.

– A do të kishim mundur ta themelojmë shtetin tonë, atëherë kur në Shkup i përzumë turqit me Isë Boletinin deri në Veles? A të kujtohet atëherë kur patën ardhur konzujt dhe hyqymetet?

– E di mirë. Keni mundur ta fitoni.

– Ja edhe ne ashtu mendojmë. Po prijësit i kemi gomarë. Hasan Beu – asgjë.

– E pashë Zotin, a mos ka dalë ushtria evropjane në Dardanele?

– Po.

– Kemi dëgjuar se Franca me Anglinë kanë rënë në fesat të madh?

– Edhe ne kemi dëgjuar. Thonë se sa s’ka kërcitur pushka.

– E kjo do të kishte qenë mirë, tha Mehmet Delija. Neve na thonë se Qeveria Shqiptare e kërkon kufirin deri në Sitnicë, kurse të tjerët thonë se do ta fitojmë deri në Rudnik.

– Ju gënjejnë. Mundet të kërkojë kush të dojë deri në Kurshumli (Kurshumlia i takon hapësirës etnike shqiptare nga koha luftërave ballkanike. Shën. i përkthyesit)… Kjo duhet të merret.

– Mirë po thua. hajt të shkojmë në konak.

Dhe, i tërë grupi u nis. Më parë ecnin në kuaj popi dhe harambashi, kurse të tjerët shkonin pas tyre. Krahas popit dhe Mehmetit shkonin dy kaçakë që i mbanin pushkët e prijësit dhe të popit.

– Ma jepni pushkën mua, tha popi, unë do ta mbaj vetë.

– Mos po frikësohesh, helbete, ti? e pyeti Mehmet Delija.

– Jo, vëlla, u përgjigj popi9. Po çka do të më ndihmonte edhe sikur të frikësohesha? Po te ne serbët dhe te ju arnautëtë një fjalë e urtë thotë: burrit i ka hije të mbajë pushkë, gruas stoli, kurse kalit pajisje të mirë. Prandaj.

– Sa turq do t’i kishe vrarë ti po t’i ndodhë diçka pop Angjelkos? e pyeti Mehmeti një kaçak.

– Unë gjashtë.

– E ti?

– Unë njëmbëdhjetë.

– E po sheh. Le të rrinë pushkët te ata. Kur ka kush të mbajë, le të mbajë.

Kështu arritën në fshatin Kotor. Harambashi i shpërndau njerëzit nëpër shtëpi, kurse popin e pyeti se ku kishte dëshirë më shumë të bunte, a te shqiptari, a te serbi. Popi tha se më shumë kishte dëshirë te serbi.

– O Kolë, bërtiti ai.

– Ohoj! u përgjigj dikush.

– A po e pranon në konak pop Angjellkon?

– Po.

Dhe ata disa veta me harambashin dhe me popin shkuan në shtëpi të Kolës. Darka u shtrua shpejt dhe kafeja u vu në zjarr. Rreth fshatit vunë roje dhe mysafirët u shtrinë për qejfi. Erdhi njëri me çifteli t’i argëtojë mysafirët. Pas tij një tjetër e mori lahutën dhe ia nisi një kënge arnaute. Në të flitej se si një shqiptar paska dëgjuar për një trim të mirë malazez në Policë të Beranit dhe i çon fjalë këtij të fundit se do t’i shkonte për vizitë. Dhe, me të vërtetë shkoi në një rast të volitshëm dhe ia grabiti dhitë. Mirëpo malazezi e kishte arritur dhe e kishte vrarë me pushkë. (Shtrembërim i përmbajtjes së këngës së Avdi Hysës. Avdi Hysa ka qenë i vetmi djalë në familje dhe atë e vret një zullumqar malazez kur Avdiu i ruante dhitë e veta. Koj këngë është edhe në Lahutën e Malcisë së Fishtës. Shën. i përkth.). Atëherë motra e shqiptarit të vrarë e përqafon kufomën dhe ia kris vajit, e vajton: “A të thashë mos ta sulmosh, se ai është trim më i mirë se ti?” (Edhe këtu Jeliçi gënjen. Vajin e motrës së Avdisë e di çdo lexues).

            – Eh, tha popi, ju po këndoni për të më bërë nder mua.

– Jo, pasha fenë, tha harambashi. Kënga është e tillë. Ajo duhet ta lavdërojë secilin trim, ashtu siç ka qenë vërtetë. Prandaj këndohen këngët. (Natyrisht të gjitha këto janë trillime të Jeliçi, shënt).

            – Nuk të pyeta pak më parë, e po të pyes tash. A deshi të qesë pushkë me të vërtetë ai bajraktari malazez nga Vranoci afër Deçanit kur e ndalët automobilin duke ardhur nga Peja?

– Me të vërtetë deshi dhe e bëri gati pushkën, por ia ngjitën për duarsh do serbë tregtarë, e s’e lanë të shtijë. Po ta kishte bërë, ne do t’i kishim vrarë të gjithë. Ne ishim nja njëzet e pesë veta.

Kjo pyetje u bë për shkak të sjelljes së bajraktarit në Mitrovicë. Se kur arritën atje udhëtarët e plaçkitur, malazezi qante si fëmijë në kafene dhe i sulmoi bashkudhëtarët se ata ishin fajtor për turpin që i ndodhi ta dorëzojë pushkën si ndonjë grua e ligë. Pastaj doli në qytet dhe iu çoi fjalë kaçakëve që në një afat prej dy ditësh t’ia kthejnë pushkën, përndryshe do ta mbajnë në mend kush është bajraktari i Vranocit. Dhe, kaçakët ia kthyen në afatin e caktuar.

Të nesërmen pop Angjelkoja shkoi në Mitrovicë që prej atje t’ia çojë kushtet e Mehmet Delisë zotëri Ministrit të Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve.

20.9.1923


2 Autori vazhdimisht për të keq e ka fjalën për shqiptarët. Ai nuk sheh hajna e kriminelë ndër serbë. Serbët për të janë të pagabueshëm, të pafajshëm, por, ja, ndonjëherë naivë. E kanë pushtetin dhe nuk e shfrytëzojnë këtë për t’i likuiduar joserbët, e në radhë të parë shqiptarët

2 Thua ti se vetë Jeliçi ka qenë aty dhe e di se si janë përshëndetur të tjerët me popin.

3 Prapë e njëjta punë ndodh në Serbinë jugore dhe në Maqedoni.

4 Popi me siguri e ka ditur mirë rastin

5 Jeliçi i konstrukton bisedat sikur popi ka folur me pjesëtarë fisesh barbare, jo me kryengritës nga një vend që s’përkulet kurrë, nga një vend pra me tradita kryengritëse dhe liridashëse

6 Popi paraqitet si në filmat vestern kur i bardhi shkon me shishe të thjeshtë dhe i mahnit indianët. E vërteta është se stolisja e pushkëve është zeje tipike e shqiptarëve.

7Pushteti serbë përpiqej të krijojë nebulozë për sa i përket përkatësisë kombëtare shqiptare dhe kështu ndonjëherë i quante turq, ndonjëherë arnautë, mirëpo asnjëherë albanë, në mënyrë që të mos lidhen me Shqipërinë, gjë e cila do t’i shkaktonte ndonjë problem eventual në skenën ndërkombëtare

8 Shqiptarët e atëhershëm kanë pasur vetëdije të lartë kombëtare

9 Natyrisht se popi gënjente.


LEXO PJESËN PARAPRAKE: KAÇAKËT

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button