Reagon Komuna e Strugës për linjën ujore Ohër-Pogradec

Komuna e Strugës, nëpërmjet nëj reagimi, shpreh kritikat dhe qëndrimin e saj lidhur me linjën ujore Ohër-Pogradec që filloi dje nga limani i qytetit të Ohrit.

Nga komuna thonë se në këtë rast është anashkaluar Struga dhe për këtë fajëson qeverinë VMRO-BDI.

Reagimi i plotë i Komunës së Strugës:

“Hapja e linjës ujore Ohër-Pogradec për Komunën e Strugës nuk paraqet asgjë më shumë , veçse vazhdimin dhe nxjerrjen në pah të anashkalimit qëllimkeq , të këtij shteti dhe kësaj qeverie ndaj Strugës si komunë dhe qytetarëve të saj .
Devijimi i kësaj linje ,duke mos përfshirë Strugën  njëkohësisht është edhe një mesazh për mospërfilljen e popullit shqiptar në Strugë nga ana e qeverisë VMRO- BDI.

E kur jemi te ky akt,faji natyrisht bie mbi partinë shqiptare në pushtet , BDI-në, e cila për dy mandate qeverisjeje me pushtetin lokal në Strugë dhe mbi 10 vite qeverisje në nivel  qendror, nuk ka lëvizur asnjë gur sa i përket çështjes së ndërtimit të limanit të Strugës.

Funksionarë të kësaj partie shumë herë janë zotuar dhe kanë premtuar ndërtimin e tij, por këto siç duket paskan qenë përralla me mbret , që për këtë parti tashmë janë bërë zakon dhe mjet ekzistence politike.
Disa herë në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë janë propozuar amandamente për hyrje në programin qeverisës dhe ndarje të mjeteve nga Buxheti i Shtetit për ndërtimin e Limanit në Strugë , por çuditërisht deputetët e BDI-së çdoherë kanë votuar kundër.

Mënjanimi i Strugës dhe qytetarëve të saj është një akt i turpshëm, i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm.
Me gjithë tendencate pushtetit qendror , që të dëmtojë dhe pengojë zhvillimimin e Komunës së Strugës, ne si komunë zotohemi se brenda vitit 2015 do të kryejmë të gjitha procedurat e nevojshme , nga ndryshimi i PDU, te projektimi dhe ndërtimi i limanit, qoftë kjo edhe me mjetet tona financiare, pasi jemi të vetëdijshëm se ndërtimi i tij do t’i ndihmonte jashtë mase zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë në Komunën e Strugës”, përfundon reagimi nga komuna e Strugës.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button