BDI njëzëri pro qeverisë së re me VMRO-në

Në prag të votimit të qeverisë së re të enjten, grupi parlamentar i BDI-së sot do të bëjë konsultimet e fundit në një mbledhje të saj. Koordinatori i grupit parlamentar i kësaj partie Talat Xhaferi tha për Portalb se mbledhja do të jetë konsultative, para fillimit të seancës parlamentare.

Deputetët e BDI-së, nuk vënë në dyshim përfaqësimin e shqiptarëve në Qeverinë e re të kryeministrit Gruevski që pritet të votohet më 19 qershor. Ata thonë për Portalb se nuk ka dallime mes deputetëve dhe pritet përkrahje e plotë qeverisë së re të VMRO-BDI.

Ermira Mehmeti e cila ditë më parë tha se stërzgjatja e negociatave ishte absurde, sqaron pozicionin e saj për Portalb duke theksuar se kanë dalë në zgjedhje për të qenë pjesë e pushtetit.

“Partitë politike bëjnë gara për të fituar pushtetin, pastaj se cila është cilësia e qeverisjes është diçka tjetër. Por, nuk ka tendenca të atilla për të bindur deputetët për të votuar qeverinë e re, kur dihet qëllimi dhe përpjekja e një partie politike për t’i fituar zgjedhjet”, thotë Mehmeti.

“Deputetet e BDI-së kanë votuar në mbledhjen e parë konstituive të Këshillit të përgjithshëm për përbërjen shqiptare të qeverisë së Maqedonisë”, thotë dhe deputeti Xhevat Ademi.

Derisa grupi parlamentar i BDI-së, reflekton i bashkuar në dhënien e votëbesimit qeverisë së re, nga ana tjetër në Komunën e Sarajit shtohen pakënaqësitë për mos përfshirjen e asnjë përfaqësuesi të degës së BDI-së në Saraj në eshalonin e parë.

Murati: Ka pakënaqësi në Saraj

Kryetari i Komunës së Sarajit nga radhët e BDI-së, Bekim Murati thotë për Portalb se kohën  fundit janë zhvilluar shumë takime me strukturat e BDI në këtë komunë, votues dhe aktivistë të cilët janë shumë të zhgënjyer me faktin që nga kjo komunë nuk do të ketë asnjë përfaqësues në qeverinë e re.

“Fitorja e BDI-së në Saraj ishte e madhe dhe kjo ka kontribuar edhe në fitoren e përgjithshme të BDI-së që konsiderohet historike. Pikërisht për këtë,  strukturat lokale të partisë aktivistët dhe simpatizantët janë shumë të interesuar ta dinë pse Saraji ndodhet në këtë gjendje, gjegjësisht pse nuk është përfaqësuar me asnjë ministër në eshalonin e parë qeveritar”, thotë për Portalb, Bekim Murati.

Sipas tij, këto struktura bëjnë presion të vazhdueshëm për tu përfaqësuar më denjësisht dhe në të ardhmen presin arsyetim nga kryesia qendrore e partisë, si përgjigje ndaj interesit të vazhdueshëm të qytetarëve për të ditur pse Saraj nuk është përfaqësuar në asnjë nga postet e larta qeveritare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button