Grubi flet ndryshe nga Ahmeti: në parlament seancat mund të jenë në shqip

Deputeti i BDI-së Artan Grubi, ka përgënjeshtruar shefin e tij Ali Ahmeti lidhur me mundësinë për udhëheqje të seancave të Parlamentit në gjuhën shqipe. Sipas Grubit, të drejtën për të udhëhequr seancat në gjuhën shqipe nuk e ka vetëm kryetari, por edhe nënkryetari i Parlamentit. Me këtë, ai qëllimisht, ose “pahiri” e ka nxjerrë në rrenë Ahmetin, i cili para disa javëve në emisionin “Rruga drejt” në Alsat-M, si një nga shkaqet pse BDI ka heqë dorë nga kryetari i Parlamentit, përmendi faktin se ai nuk ka të drejtë të flasë në gjuhën shqipe. “Çka na duhet kryetari i Parlamentit kur nuk mund të flasë në gjuhën shqipe”, ishte arsyetimi i Ahmeti për dështimin e BDI-së për të marrë këtë post. Mirëpo mendim krejtësisht ndryshe ka deputeti Grubi, i cili njëherit është edhe shef i kabinetit të Ahmetit.

“Ligji është shumë i qartë, ashtu siç kanë të drejtë deputetët, ministrat dhe kryetarët e komisioneve të flasin në gjuhën shqipe, ka edhe nënkryetari i Parlamentit. Me ndryshimet e fundit, kjo e drejtë ju dha të gjithë funksionarëve shqiptarë që zgjidhen nga Parlamenti, ndërsa kështu zgjidhet edhe nënkryetari i Parlamentit. Kjo çështje ligjërisht është zgjidhur, ndërsa deri më tani pengesë ka qenë mungesa e gatishmërisë së palës maqedonase për ta zbatuar këtë të drejtë ligjore”, ka deklaruar Grubi për gazetën “Koha”, duke dhënë një përgjigje e cila len të kuptosh se Ahmeti nuk e njeh ligjin, kur ka deklaruar se kryetari i Parlamentit nuk mund të flasë shqip. /Lajm

Lajme të ngjashme

Back to top button