Thaçi: Unë do të jem kryeministër

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi thekson se oponentët politik i kupton dhe se reagimi i tyre është një reagim emocional.

Lideri i PDK-së dhe kryeministri në largim në Kosovë, Hashim Thaçi ka thënë se ai do të jetë mandatari i ardhshëm për formimin e qeverisë, ngaqë përfaqëson partinë fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Thaçi ka thënë se pas certifikimit të rezultateve do t’i nisë konsultat me partitë e mundshme partnere për krijimin e qeverisë, duke e përjashtuar kështu mundësinë që qeveria e ardhshme të formohet dhe drejtohet nga opozita.

“Fitorja e PDK-së e misionit të ri, e koalicionit, ishte një fitore spektakolare, e thellë, bindëse, e pritur dhe unë do të vazhdoj ta respektoj vullnetin e sovranit. Mbi këtë vullnet nuk mund të shkelë askush. Unë do ta menaxhoj gjithë procesin si i mandatuar nga presidentja në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Unë nuk dëshiroj të hyj në interpretime kushtetuese e ligjore, sepse nuk mund të bëj një interpretim të tillë. Por, fituese e zgjedhjeve është PDK dhe se partia ose koalicioni fitues i zgjedhjeve do ta ketë kandidatin për kryeministër dhe kjo parti fituese që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend do ta formojë qeverinë”, deklaroi Thaçi.

Ai ka komentuar edhe koalicionin e paralajmëruar LDK – AAK – Nisma, duke shtuar se oponentët politik i kupton dhe se reagimi i tyre është një reagim emocional, një situatë dëshpëruese për shkak të rezultatit të padëshiruar dhe mosbesimit të qytetar.

“Unë ndihem tepër mirë dhe krenar që në këto 7 vitet e fundit si kryeministër i vendit kam fituar 6 palë zgjedhje. Ndihem tepër mirë dhe shumë i përgjegjshëm për besimin qytetar që edhe pas shtatë vitesh përsëri jam lideri më i votuar. Nuk mendoj që ka ndonjë arsye të kemi ngërç apo bllokadë politike. Ne të gjithë duhet të mendojmë dhe reflektojmë në kuptimin pozitiv, mirëkuptues, tolerant, integrues, që të gjejmë zgjidhjen që hapë rrugë dhe perspektivë vendit tonë”, nënvizoi Thaçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button