Lazarat, policia vijon aksionin

Policia në Lazarat po vijon operacionet për asgjesimin e lëndëve narkotike. Shërbimet policore në fshat janë përforcuar dhe aktualisht në terren janë 900 njësi.

Në operacion janë përfshirë gjithashtu forca policore nga Tirana, Gjirokastra, Fieri dhe Shkodra, ndërkohë që grupet speciale të hetimit po koordinohen nga prokurorë të Krimeve të Rënda.

Në orët e fundit janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për sulmin me armë ndaj uniformave blu, teksa këto të fundit përpiqeshin të hynin në fshat ditën e hënë.

Lajmin e konfirmojnë burime policore zyrtare, sipas

të cilave personat e arrestuar dyshohen edhe për sulmin ndaj gazetarëve që po ndiqnin aksionin.

Burimet kanë saktësuar se në pranga kanë rënë shtetasit: Matjas dhe Juxhin Bocia, Florian Shurdhi, Xhevahir Doçi, Ali Basha dhe Emiliano Aliko.

Me rënien e natës trafikantët e hashashit në Lazarat i vunë zjarrin rezervave të lëndës narkotike dhe reja e tymit u përhap në gjithë zonën përreth. Herë pas here u dëgjuan edhe të shtëna.

Forcat speciale të policisë po përballen me një situatë luftarake në fshatin Lazarat, në përpjekjen e parë serioze për vendosjen e autoritetit të shtetit në një zonë të lënë jashtë kontrollit nga qeveritë e mëparshme.

Drejtori i përgjithshëm i policisë, Artan Didi deklaroi në mbrëmje se, “nuk do të ketë tërheqje deri në arrestimin e të gjithë grupit kriminal që vepron në Lazarat”. Ai u takua me forcat e  RENEA-s, FNSH-së dhe DELTA-s, ndërsa operacioni pritet të vijojë. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button