Lazarat, asgjësohen mijëra rrënjë kanabis dhe marijuanë (Video)

Në vijim të komunikimeve mbi ecurinë e operacionit të ndërmarrë nga strukturat e Policisë së Shtetit në fshatin Lazarat, për asgjësimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe veprimeve të kryera për kapjen e personave, policia deklaroi se:

“Nga veprimet e kryera në këto objekte pronë e shtetasit Gate Mahmutaj, si dhe në tokën në administrim të tij u gjetën, u fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme të gëzhojave të kalibrave të ndryshme, që janë përdorur gjatë sulmit ndaj forcave të Policisë. Gjithashtu u gjetën dhe asgjësuan:

•7 parcela me 10 mijë bimë narkotike kanabis sativa, që varionin nga 50 cm-1 metër lartësi

•1000 fidanë kubikë të gatshëm për kultivim në kapanon”.

Në njoftimin për shtyp, u deklarua se janë djegur 6 fuçi me marijuanë, nga i dyshuari Mahmutaj, me qëllim eliminimin e provës, si dhe sasi të tjera lëndësh narkotike të konsiderueshme të pa paketuara (rifugio).

Ndërkohë strukturat e policisë vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale, për dokumentimin e plotë ligjorë të rastit për ndjekje të mëtejshme nga Prokuroria.

Për sa i përket sulmit ndaj gazetarëve të A1 Report, policia deklaroi se si pasojë e këtij sulmi ka mbetur i lënduar nga xhamat drejtuesi i mjetit të këtij televizioni, i cili pas marrjes së mjekimit të nevojshëm dhe kryerjes së veprimeve procedurale është larguar nga spitali dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë nga sulmi është djegur plotësisht mjeti i këtij televizioni. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë kryer veprimet procedurale për rastin në fjalë. Materialet edhe për këtë rast do ti referohen Prokurorisë.

Strukturat e Policisë do të vijojnë veprimet për kapjen e personave, të cilët kanë sulmuar me armë forcat e policisë, të zhvendosur tashmë në brendësi të territorit të fshatit, si dhe për identifikimin dhe asgjësimin e sipërfaqeve të tjera të kultivuara me kanabis sativa.

Lajme të ngjashme

Back to top button