NN

NN, një vajzë gjithmonë e pikëlluar, i kishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjet kur u ndërruan dy nga qeveritë e këtushme dhe në pushtet erdhi një nga partitë tona, siç dihet më, “të participojë”. Vajza me të marrë lajmin e formimit të qeverisë së re, buzëqeshi ëmbël. Kishte besim te partia që do të bëhej “participiente”. Këtë parti ajo e mbante për parti shans, për parti që do të sjellë ndryshime, që do të na nxjerrë ngushtica ekonomike. Që do të bëjë “hajt more ti”!… Tash, mendonte ajo, do të hapen edhe dyert për punësim për të gjithë, pra edhe për të. Se partia “participiente” e çmon femrën e shkolluar dhe, gjithsesi, edhe emancipimin e shëndetshëm ekonomik e kulturor të shoqërisë, mendonte NN-ja. Pikëllimi që ia rëndonte fytyrën me mrrola, iu hoq si me dorë. Nuk kishte mbetur as një pikë nga zymtësia në fytyrën e saj të njomë e të bukur. Kudo që shkonte apo kudo që ulej i fërkonte duart. Njerëzit që e njihnin e dinin se ajo ishte e lumtur kur i fërkonte duart kësisoj.

“E moj, N.N. diçka do të ketë ndodhur, diçka e mirë që po i fërkon duart kështu?… Ndonjë fejesë?…

“Do t’i vijë radha edhe çunit”! përgjigjej ajo dhe qeshte me ëmbëlsi.

Kur binte nata e kur njerëzit e shtëpisë e rehatonin shtatin nëpër dhomat e gjumit, ajo vazhdonte të rrijë me një libër në dorë. Ishte hera e parë që nuk i dilte dot deri në fund faqes së parë të librit. Imagjinata e saj bridhte gjithandej, jashtë asaj që e përshkruante libri. “Do të hyj në punë… Nuk do të kem nevojë më të kaloj pranë librarive dhe të më vijë keq që s’mund ta blej as librin më të lirë. Sa ta marr rrogën, puna e parë që do të bëj do të shkoj në librari dhe do të marr plot libra. Pastaj do t’i blej nënës… do t’i blej babait… do t’i blej… do t’i blej… Por më kryesorja është se do të jem e lirë, vetë do të kujdesem për fatin tim”, mendonte… Ishte e bindur NN-ja se “participientët” do të mundësonin që asaj t’i realizohet ëndrra.

NN mezi e priste ditën kur do të shkonte të bisedojë me njerëzit e “participientëve”, t’i pyesë se kur do të fillojnë  ta jetësojnë premtimin e dhënë në fushatën parazgjedhore se do të angazhohen në mënyrë të veçantë për punësimin e femrës. Nuk i durohej, donte ta marrë vesh: vallë kur planifikon qeveria të hapë konkurs. Për këtë arsye i kishte mbledhur të gjitha dëftesat, të gjitha diplomat, mirënjohjet që t’ua tregojë atyre që mendonte se janë kompetentë, e bindur se ata do të dalin të kënaqur me sukseset e saj të shkëlqyeshme në të gjitha fazat e shkollimit, që nga shkolla fillore e deri në përfundimin e fakultetit. Më në fund, ia merrte mendja se kishte ardhur edhe dita e bardhë e saj.

Disa ditë pas lajmit të gëzuar që mori për formimin e qeverisë së re me “participientin” të cilit i besonte, NN u nis të shkojë te shoqja e saj më e ngushtë, D, ta ndajë gëzimin me të. Kaloi nëpër kapixhikun i cili ishte lidhja komunikuese midis shtëpisë së saj dhe shtëpisë së D-së, një vajze të cilën vëllezërit nuk e kishin lënë ta vazhdojë as shkollën e mesme, mos të bëhet e “pafe”.

“D e dashur, u bë”! i tha e gëzuar NN, të shoqes.

“Çfarë u bë”?

“Po tanët do të participojnë në qeveri. U hapën shtigjet për ne!”

“Ah!”…  ofshau D dhe kjo psherëtimë në njëfarë mënyre ia bëri me dije NN-së se ajo klithmë “D e dashur, u bë” nuk vlen për të dyjat, sepse fati i D-së ishte vulosur përgjithmonë të jetë e mbyllur brenda katër mureve dhe “karriera” e saj do të përfundonte me një martesë do si do. NN e kuptoi pasthirrmën e shoqes dhe i frenoi emocionet. E prekur se u ngut me lajmin që ia çoi shoqes dhe më shumë pse nuk i nuk e priti këtë përgjigje plot pesimizëm të D-së, NN e ndërroi bisedën. Ndenjën pastaj edhe pak dhe NN u kthye në shtëpi e prekur nga fati i D-së.

Shpejt ra nata. Terri depërtoi në çdo kënd të shtëpisë, nëpër dhoma, u ngjit për muri, për lëpoze. Vetëm mendimet  e NN  bënin dritë nëpër shtigjet e imagjinatës së saj. Ajo ecte me një çantë në dorë rrugës, i përshëndeste njerëzit dhe vraponte duke e ndjerë aromën e lirisë dhe të pavarësisë individuale. Tashmë nuk do të ishte barrë e familjes, por do të merrte pjesë në lehtësimin e barrës sizifiane që e kishte i ati i saj. Atëherë krenaria i rridhte nëpër dej dhe ajo e ndjente se po fluturon nga gëzimi. Ah, sikur të ishte edhe D-ja me të. D-ja, që deri dje ishin shoqe të gjimnazit e sot…

Pastaj shiriti i “filmit” të NN shtillej me ditë të tëra, duke shpaluar skena nga më të ndritshmet të imagjinatës së një vajze nëntëmbëdhjetëvjeçare, e cila e donte aq shumë lirinë, dinjitetin personal. Dikur diçka nga brenditë e qenies i thoshte: ‘Hajde NN, çfarë pret, merre iniciativën, shko e pyet. Pyet për konkursin aq të pritur për punë: kur do të hapet. Shko që të dalësh nga kjo vetmi që të mban peng brenda mureve të larta’!

Dhe, u vesh me kujdes që mos të bien në sy format e shtatit të saj të bukur e u nis drejt zyrave të “participientëve”.

Në një ndërtesë modeste gjendej adresa ku ajo duhej ta takonte njëfarë Harisi, për të cilin i kishin thënë se “kryen punë” për punësime. Hipi fluturimthi shkallëve. Në korridor pyeti ku e ka derën Harisi.

“Shko drejt korridorit, dera e parafundit – majtas”. Trokiti dhe, pasi mori përgjigjen “hyr”, e hapi derën. Brenda ishte një qilim i kuq, një flamur kuq e zi mbi tavolinë, kurse në mur prapa njeriut fotografia e liderit.

“Urdhëroni”! i tha njeriu. “Uluni”!

NN e shikoi në sy njeriun dhe ata sy iu dukën të turbullt. Pastaj njeriu buzëqeshi duke i përveshur buzët e trasha dhe duke i zbuluar dhëmbët e tij të verdhë e të rritur nga kariesi apo nga mosmbajtja e higjienës së gojës. Ndërsa mustaqet e tij kishin marrë ngjyrë qelibari nga duhani që pinte.

Vajza u ul dhe numëroi deri në dhjetë që të vinte në vete për shkak se zyra, atmosfera e zyrës, tavolina, fotografia e madhe e liderit, përfundimisht edhe zëri i Harisit, të gjitha këto ushtronin autoritet e mund të thuhet se ushtronin edhe presion mbi këtë krijesë të papërvojë.

“Urdhëroni”! përsëriti Harisi. NN atëherë e vërejti se ishte ulur përballë tij. Më në fund e mblodhi veten dhe tha:

Quhem NN. Ju uroj fitoren e zgjedhjeve. Mos ta zgjas shumë, mos t’jua marr kohën e çmueshme, të kaloj në temë.

“Po, mirë” i tha njeriu.

“Kam ardhur”, tha NN, “të interesohem për punësimet që do t’i bëni, siç keni premtuar në fushatën parazgjedhore. E, dini”, shtoi vajza, “jam e interesuar të punësohem që t’i vazhdoj studimet ngase nuk kemi mundësi, s’i përballojmë dot shpenzimet e shkollimit. Jemi familje me pesë anëtarë e jetojmë vetëm me një rrogë të vogël të babait”.

Harisi tha: “Mundet… Mundet… Nuk do të ketë problem fare. Por”… tha edhe një herë “por”, pastaj e përsëriti edhe dy herë dhe më në fund pas këtij “pori” tha: “Mundet, po si… Për ty do ta bëjmë një zgjidhje… U ndal njëherë pak e shtoi. “E di, vajzo, eja të premten pas dite… Shkojmë bashkë në këtë fundjavë në Ohër… Atje do të kemi kohë dy-tri ditë dhe e gjejmë zgjidhjen. Do ta gjejmë një vend të mirë pune për ty se s’bën!”…Pastaj e tha edhe këtë: “E dini, nuk është aq lehtë të punësohesh në këto kohë, por do t’ia bëjmë disi… Patjetër! Ti e meriton një vend pune”! Mirëpo NN pa i mbaruar ky fjalët që kushtëzonin, e përplasi derën prapa vetes dhe doli në korridor.

“O zot, çfarë gënjeshtrash paskan qenë ato premtime parazgjedhore! Nuk paska qenë fare ashtu si thoshin bota se do të jenë këta participientë! NN-së i erdhi turp që u gjet në këtë situatë! I erdhi edhe keq për veten se ishte nisur me nijet ta kërkojë mënyrën si ta sigurojë lirinë dhe dinjitetin e në vend të saj e gjeti poshtërimin.

E dinte se koha rrjedh edhe këtu te ne, si gjithkund, por këtu asgjë nuk ndryshon, për dallim nga vendet tjera.

E kuptoi se emrat mund të ndërrohen nëpër kolltukë, por në fakt vazhdimisht frenat do t’i mbajnë ata që janë dytëshorë të Harisit, i cili e thërriti atë “të shkojnë në Ohër në këtë fundjavë”, të gjithë do të jenë si ai Beqir aga i  këngës popullore që Halilit ia “ka lypë dadën Hajri, për tri ditë me të të rrijë”…

Pastaj zbriti me vrap shkallëve, doli në rrugë e qau, e mbështetur për shtyllën e telefonit që qëlloi aty pranë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Pjesa më e madhe e krijimeve të autorit Xhabir Ahmeti, janë tregimet mjeshtërore, që e ngritën prozën tonë të shkurtër në një shkallë të lartë ideoartistike.
    Në përgjithësi ajo është realiste, por, krahas realizmit, ndihen dhe tone romantike. Pothuaj në të gjitha tregimet, ngjarjet zhvillohen duke i trajtuar problemet shoqerore. Por, krahas kësaj shoqërie të degjeneruar ekziston edhe”participientja”, e cila do t’i qëmton problemet shoqërore të të kohës.

Shiko edhe
Close
Back to top button