Erërat e ndryshimeve në Evropë nuk shqetësojnë Gruevskin dhe pushtetarët shqiptar

Marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria dhe ndryshimi i konfiguracionit të forcave politke në Parlamentin Evropian, në kontekst gjeopolitik rajonal rradhit Maqedoninë në mesin e vendeve të dështuara në proceset integruese edhe përkundër faktit se gati po bëhet një dekadë nga marrja e statusit të vendit kandidat. Njohësit e këtyre rrethanave thonë për Portalb se qeveria e Maqedonisë nuk shfaq brengosje për tejkalimin që e bëjnë shtetet të cilat konsideroheshin shumë të vonuara në rrugën evropiane dhe balancet politike në skenën evropiane që mund të sjellin reperkusione shtesë në plotësimin e kritereve bazë për integrimin në BE.

Analistët mendojnë se mungesa e vullnetit politik të qeverisë së Maqedonisë për të çuar përpara proceset integruese është ndihmuar edhe nga faktori politik shqiptar.

Bilalli: Edhe partitë shqiptare pjesë e strategjisë së VMRO për të penguar integrimet

Analisti Mursel Bilalli, për Portalb thotë se nuk ka vullnet politik dhe ambient për të çuar përpara proceset integruese të Maqedonisë, aq ma shumë kur dihet se tash tetë vite lancohen dhe shpiken momente, situata dhe fenomene për ta penguar procesin euro integrues.

“Pas marrëveshjes së vitit 1995 çështja e emrit nuk ka qenë pengesë për proceset integruese. Greqia në bazë të marrëveshjes së përkohshme obligohej të mos e pengojë Maqedoninë në proceset euro integruese dhe ajo këtë nuk e bënte si dhe Maqedonia obligohej të mos bëjë provokime”, thotë Mersel Billali.

Sipas tij, Maqedonia duke provokuar me antikën me qëllim që të pengojë integrimin e vendit në BE, e eliminoi procesin në tërësi.

“Ky obstruksion është një strategji mirë e përpunuar e VMRO-DPMNE-së, që për fat të keq edhe partitë shqiptare BDI dhe PDSH një herë ishin pjesë e këtij realiteti. Gjithë ky obstruksion që ka ndodh nuk e amniston faktorin shqiptar. Nuk mund të arsyetohen deklaratat se nuk kemi pasur çfarë të bëjmë”, thotë për Portalb, Bilalli.

Ai nuk e sheh me optimizëm zhvillimin e procesit integrues edhe gjatë muajve të ardhshëm pas votimit të qeverisë së re të Nikolla Gruevskit.

“Do të jem optimist nëse BDI qëndron në atë se nëse në Samitin e NATO, nuk do të ndodhë asgjë me anëtarësimin e vendit, do të tërhiqet nga qeveria, atëherë institucionet ndërkombëtare do të angazhohen drejt për drejtë në zgjidhjen e problemit”, thotë Mersel Bilalli.

Kabashi: Pushtetarët shqiptarë përgjegjës për ngecjet në proceset integruese

Analisti Gjakush Kabashi në një prononcim për Portalb, e konsideron si dështim procesin integrues të Maqedonisë, e cila vitin e ardhshëm përmbyll një dekadë që nga marrja e statusit të vendit kandidat për në BE.

“Fakti që Shkupi i afrohet grupit me Bosnjën dhe Kosovën flet shumë për prapakthimin, ku pjesëmarrësit shqiptar në pushtet nuk mund të amnistohen nga përgjegjësia. Në këtë gjashtëmujor nuk ka absolute të ndodh diçka pozitive. Nëse diçka nuk ka lëvizur brenda dhjetë viteve, pa ndryshuar asgjë, nuk ka gjasa teorike për lëvizje ne 3-5 vitet e ardhshme”, thotë Gjakush Kabashi.

Mariçik: Shqipëria mori lajmin e mirë, Maqedonia mbetet e bllokuar në rrugën integruese

Bojan Mariçik nga Qendra Maqedonase për Arsimim Evropian për Portalb, konsideron se zgjedhjet e fundit në Evropë në parim nuk do të kenë ndikimi të madh në proceset integruese të Maqedonisë, për arsye se forcat politike në Parlamentin Evropian kanë mbetur të njëjtë në përjashtim të rënies drastike të të djathtëve.

“Konfiguracioni i forcave politike në Parlamentin Evropian të dalë pas zgjedhjeve të fundit, do të thotë se politika e zgjerimit e BE do të jetë në plan të dytë apo të tretë, por kjo, sipas tij nuk do të thotë gjë për Maqedoninë sepse ky vend edhe ashtu është i bllokuar në rrugën evropiane.” thotë për Portalb, Mariçik.

/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button