Shteti kundër drogës, betejë në Lazarat

Policia po avancon në brendësi të fshatit Lazarat ndërsa po has në kundërshtimin me armë nga ana e një grupi personash.

Pas një shkëmbimi intensiv zjarri mes palëve rreth orës 14.00, të shtënat janë shuar, ndërsa në fshat janë shfaqur persona me armë dhe maska që kontrollojnë lëvizjet dhe mjetet.

Policia listoi 27 emra që drejtohen nga shtetasi Gatë Mahmutaj që po sulmojnë policinë me armë, ndërsa autoblindat e policisë dhe repartet RENEA dhe forcat speciale po avancojnë shtëpi më shtëpi duke marrë situatën nën kontroll.

Gjendja në Lazarat është shumë e tensionuar dhe nga të gjitha anët dëgjohen krisma. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë janë 500 forca që po marrin pjesë në këtë operacion për asgjesimin e lëndës narkotike të sapombjellë atje.

Në njoftimin e Drejtorisë së Policisë thuhet se në drejtim të forcave pjesëmarrëse në operacion prej mbrëmjes së djeshme po vijon të qëllohet me armë zjarri nga ky grup personash, duke përdorur dhe armë të rënda si antitank, mitroloz i rëndë e i lehtë, mortaja etj.

Ndërkohë, policia publikoi edhe listën e personave të tjerë, që kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të rendit.

Nga veprimet e ndërmarra është identifikuar vendi prej nga ky grup personash po qëllon me armë zjarri, ku janë lokalizuar në banesën e shtetasit Gate Mahmutaj, person me precedentë kriminalë, i arrestuar nga forcat RENEA, i dënuar me vendim gjykate dhe i falur më pas nga Presidenti i Republikës.

Nga strukturat e Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni po bashkëpunohet me Prokurorinë e rrethit. Po ashtu është kërkuar bashkëpunimi i pushtetit lokal dhe i banorëve të fshatit Lazarat, që të distancohen nga ky grup personash dhe të japin kontributin e tyre në drejtim të kapjes së këtyre personave.

Ndërkohë, nga Drejtoria e Përgjithshme e policisë bëhet e ditur se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vënë në gatishmëri gjithë strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, të cilat do të vihen në lëvizje në varësi të situatës.

Aktualisht në terren janë rreth 500 forca policore, të cilët kanë bërë rrethimin e zonës. Në deklaratën e Drejtorisë së Policisë thuhet se Policia e Shtetit është e vendosur për realizimin e misionit të saj, si dhe për të “Çliruar” dhe popullin e Lazaratit nga ky grup personash kriminal.

Beteja kundër trafikantëve
Fshati nën terrorin e trafikantëve, gra e fëmijë të evakuuar, dështojnë negociatat

Brenda në fshat ishte edhe grupi i xhirimit të Top Channel, gazetarja Kristina Fidhi dhe kameramani Ervis Balla, të cilët ishin dëshmitarë të kulmit të përplasjes së armatosur.

Gazetarja tregoi se fshati ishte i shkretë, ndërsa ka parë gra dhe fëmijë që nxitonin të largoheshin prej shtëpive. Në rrugë ka patur makina të djegura, mes të cilëve edhe ajo e kolegëve të televizionit A1 Report.

Policia ka marrë disa nga magazinat e trafikantëve, ndërsa sasi të mëdha hashasi po digjen ndoshta nga vetë trafikantët.

“Ishte një situatë alarmante dhe kaotike. Persona të rinj dhe të armatosur kishin mbuluar fytyrën me bluza për t’u maskuar. Reporterë të A1 Reportit kanë tentuar të hyjnë në Lazarat dhe shoferi i tyre është kërcënuar me jetë”, tha gazetarja Kristina Fidhi.

“Të dyja palët janë në pozicione luftimi. Policia po pret që banorët të tërhiqen nëpër shtëpi dhe të dorëzojnë armët, por duket se ata nuk kanë ndërmend ta bëjnë këtë gjë”, shtoi gazetarja.

Tahiri: Kemi nisur betejën me mafien
“Politikanë, mos i dilni përkrah krimit. Lazarati, mos guxoni të qëlloni policinë

Ndërkohë që në Lazarat është një situatë e nderë, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u shfaq para kamerave nën shoqërinë e forcave Elitë të policisë shqiptare, duke deklaruar se shteti i ka shpallur luftë mafies dhe krimit.

Tahiri kishte përpara sasinë e drogës dhe mjetet e sekuestruara në laboratorin e Fushë-Kuqes së Laçit dhe kërkoi që politikanët të mos bëhen pjesë e krimit dhe trafikut. Duke iu referuar Lazaratit, Tahiri kërcënoi gjithkënd, që do të qëllojë ndaj policisë, se do të përballet me forcën e shtetit, si kurrë më parë.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm që po luftojmë mafien dhe krimin që këto 23 vjet është rritur e pasuruar në kurriz të qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, që përbëjnë 99% të popullsisë. Përballë rezultateve të policisë presim që të gjithë, më e pakta të heshtin dhe të lënë ligjin të flasë. Politika më e para. Për atëherë kur politika bëhet palë me krimin, unë personalisht, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Shtetit, mazhoranca si një e tërë, qeveria dhe kryeministri do të bëjmë gjithcka për ti vënë para ligjit. Politika ka detyrë të bëhet palë me qytetarët, jo me krimin. Të mbështesë policinë e Shtetit dhe jo të nxisë kriminelët. Vetëm kështu do të mund të bëjmë vendin e shqiptarëve të barabartë para ligjit, dhe jo vendin e kriminelëve. Po luftojmë kundër përfaqësuesve të botës së krimit, që duhet të ishin sot prapa hekurave, por që nuk janë sepse gjyqtarë të korruptuar, po aq kriminelë sa vet ata, kanë lënë të lirë përfaqësuesit e krimit, me të cilët policia po përballet sot. Ne nuk kemi ndërmend aspak të ndalemi. Drejtësia ka një çmim dhe secili do paguajë cmimin e vet, qoftë ky i kaluar, i tashëm apo i ardhshëm. I bëj thirrje dhe atyre që tani, në këto momente, kanë marrë armët kundër policisë në Lazarat. I keni bërë llogaritë shumë gabim, dhe mos mendoni kurrë se ka Zot në Tokë, që mund t’iu dalë zot në rast se kundërshtoni me armë policinë e Shtetit. Hidhni armët dhe lini policinë të bëjë detyrën. Në të kundërt, forca e ligjit do të veprojë si asnjëherë tjetër”, u shpreh ministri i Brendshëm, Tahiri.

Rama: Pse nuk flet PD-ja?

Me anë të një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama kërkoi të dinte nëse Partia Demokratike e mbështet apo jo aksionin në Lazarat.

“Një pyetje qe nuk po di si t’i kthej pergjigje: Pse sflet PD dhe e mbeshtet a jo Policine e Shtetit perballe atyre qe qellojne me arme ne Lazarat?”, shkroi Rama.

Policia: Kush pretendon se nuk është i implikuar të paraqitet në komisariat

Policia e Shtetit ka ftuar të gjithë personat që pretendojnë se nuk kanë qënë të pranishëm në sulmin me armë ndaj strukturave të Policisë së Shtetit, të paraqiten në Komisariatin më të afërt në vendet ku ato ndodhen.

Në deklaratën për shtyp thuhet se “Policia e Shtetit në të gjithë veprimet e saj ka qenë në krah të banorëve të Lazaratit, duke i ndarë ata nga pjesa e inkriminuar. Policia e Shtetit bashkëpunoi dhe me kreun e pushtetit vendor në Lazarat, duke i dhënë mundësinë atij të negociojë me këta persona që kundërshtuan me armë policinë, por jo vetëm që nuk u bë e mundur të bindë personat, por u dha mundësi atyre që pas dy orësh të largohen nga banesa që ishte nën rrethimin e policisë”. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button