Schumacher është zgjuar!

Vetëm 3 fjalë: Schumi është zgjuar! Kështu e ka nisur artikullin më të bujshëm sportiv prestigjiozja gjermane “Bild”, menjëherë pas deklaratës zyrtare të menaxheres së tij Sabine Kehm, disa minuta më parë, teksa Michael Schumacher është transferuar së fundi nga Spitali Universitar i Grenoble-s, në Francë, drejt një klinike rehabilitimi.

Ish-kampioni i Botës në Formula 1 nuk është më në koma. Faza e zgjimit, që menaxherja e tij Kehm njoftoi në deklaratën e fundit të saj në fillim të Prillit, duket se zgjati shumë më tepër nga sa pritej. Por, e rëndësishme është që Michael Schumacher mund të dëgjojë zëra dhe mund t’i përgjigjet prekjeve.

Michael është larguar nga spitali i Grenoble-s, për të vazhduar kështu periudhën e gjatë të rehabilitimit, pasi tashmë nuk është më në koma.

Familja e tij shpreh gjithë falënderimin për të gjithë stafin mjekësor, nga doktorët, infermieret, terapistët etj, në Grenoble, si dhe të gjithë ata që reaguan në vendngjarjen e atij incidenti shokues, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme gjatë këtyre muajve.

Falënderimet e familjes janë gjithashtu për të gjithë njerëzit që i kanë uruar Michael-it të rikthehej sa më shpejt në jetë… Të gjitha këto, sigurisht, e kanë ndihmuar shumë atë.

Ndërkohë, e ardhmja duket se do të jetë disi e panjohur, pasi vet familja kërkon mirëkuptimin e të gjithëve, në mënyrë që rehabilitimi i mëtejshëm i tij të kryhet jashtë prezencës së publikut.

Thuhet se ai mund të komunikojë me të afërmit e tij, veçanërisht me të shoqen Corinna, 45 vjeç, dhe fëmijët e tij. Tashmë gjendja e Schumacher konsiderohet e qëndrueshme mjaftueshëm dhe nuk do të ketë më nevojë për specialistët e spitalit të Grenoble-s.

Schumi u rrëzua më 29 Dhjetor 2013 në Alpet Franceze, në Meribel, teksa bënte ski. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button