Policia rrethon Lazaratin, trafikantët qëllojnë A1Report

LAZARAT – Situata e tensionuar në Lazarat ka prekur edhe grupin e xhirimit të A1 Repoert të cilët janë qëlluar me breshëri automatiku nga trafikantë të maskuar dhe të armatosur rëndë.

Mësohet se grupi i xhirimit dhe gazetarët e A1 Report kanë braktisur menjëherë makinën, dhe janë të gjithë mirë. Ndërkohë personat përgjegjës për sulmin kanë shkatërruar dhe i kanë vënë flakën makinës së A1 Report dhe gjithë pajisjet teknike.

Grupi i televizionit të A1 Report është nxjerrë nga makina dhe janë mbajtur peng për rreth 15 minuta nga trafikantët të cilët kanë qenë të maskuar. Sipas gazetarit të A1 Report Gerti Xhaja, i cili raportoi pas sulmit, siguroi se të gjithë janë mirë ndërsa shtoi se persona të maskuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tyre edhe pse makina ishte me logon e medias së A1 Report. Gazetari Xhaja tha se 4 persona të maskuar e të armatosur i janë afruar makinës dhe i kanë mbajtur pen për rreth 15 minuta ndërsa kanë qenë banorët që kanë ndërhyrë dhe që i kanë larguar trafikantët

“Na kanë nxjerrë nga makina, dhe na kanë mbajtur 15 minuta peng, por famtirësisht nuk kemi dëmtime falë edhe ndërhyrjes së banorëve të Lazaratit. Na kanë mbajtur të izoluar. Është qëlluar edhe automjeti ku po udhëtonim. Në momentin e parë na është afruar një person, dhe brenda pak minutave kemi parë 4 persona dhe në momentin që po ndërronin karrikatorin kanë ndërhyrë banorët që kanë shpëtuar.” u shpreh Gerti Xhaja pas sulmit të bërë ndaj A1 Report.

Ndërkohë grupi i televizionit të A1 Report më pas është marrë nën mbrojtjen e policisë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Xhaja: Policia qëndron në hyrje të Lazaratit, ndërsa trafikantët brenda
Në grupin e xhirimit të televizionit A1 Report, ishin pjesë një shofer, një kameraman, një gazetar dhe një teknik transmetimi të cilët po raportonin lidhur me aksionin e ndërmarrë nga policia e shtetit për të ndërhyrë në Lazarat ndaj kultivimit të lëndëve narkotike. Mirëpo aksioni i policisë ka hasur në të shtëna armësh nga një grup prej 26 trafikantësh me në krye Razip Mahmutajn.

Në një lidhje të mëvonshme telefonike me gazetarin Gerti Xhaja, ai theksoi se situata vijon të mbetet e njëjta ku policia sipas tij qëndron në hyrje të Lazaratit dhe kontrollon drejtuesit e mjeteve ndërkohë që trafikantët patrullojnë në rrugët kryesore të fshatit të Lazaratit.
“Policia vijon të mbetet e stacionuar në hyrje të Lazaratit. Grupet e policisë vijojnë të kontrollojnë të gjithë personat që kalojnë, ndërsa trafikantët ndodhen në brendësi të Lazaratit. Situata mbetet po e njëjta. Unë kam parë vetëm autoblindat e RENEA të cilët vetëm patrullojnë në hyrje të Lazaratit, ndërkohë trafikantët janë të armatosur dhe të maskuar më mirë se policia. Efektivët blu vetëm i mbajnë të rrethuar.” tha gazetari i A1 Report Xhaja.

Lajme të ngjashme

Back to top button