Mehmeti: Mjediset urbane të jenë të përbashkëta për të gjithë

Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni (SHHSHM), sot në Librarinë e Çarshisë në Shkup, organizoi debat me temë: “Mjediset urbane – hapësirë për jetë të përbashkët”.

Në këtë debat referuan kryetari i SHHSHM-së Skender Asani, aktivisti i shoqërisë civile Albert Hani, deputetja Ermira Mehmeti, dhe profesori universitar Vllado Popovski.

Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së theksoi se politika duhet të bëjë më tepër për krijimin e hapësirave të përbashkëta urbane, në mënyrë që qytetarët të ndjehen të barabartë në shijimin e të mirave publike. Sipas saj, tek ne ende ka shumë mjedise urbane të cilat mjerisht nuk janë përbashkues për të gjithë qytetarët pa dallime.

Edhe Vllado Popovski, foli për rëndësinë e madhe të mjediseve urbane, si një nga pikat kreysore lidhëse mes etniteteve dhe kulturave të ndryshme. Ai theksoi disa shembuj të bashkëpunimit mes popujve, të cilat duhet kultivuar edhe në shoqërinë tonë.

Në hyrje të debatit, madje Skënder Asani theksoi se mjediset urbane janë pjesë të pandashme të realitetit tonë, të cilat historikisht kanë lidhur popujt mes vete.

“Ky debat është një lloj preventive që të parandalohen ndasitë e mëdha etnike, dhe mos t’i jepet arsye strukturave të caktuara politike që të ndërtojnë mure të reja të Berlinit”, ka thënë Asani.

Albert Hani nga ana tjetër theksoi rolin e madh të multikulturalizmit dhe diversiteteve në shoqëritë bashkëkohore. Sipas tij, sa më i madh është interaktiviteti mes qytetarëve të përkatësive të ndryshme etnike, në mjedise të përbashkëta etnike, aq më i madh është mirëbesimi mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button