HULUMTIM: Ku fillojnë dhe ku përfundojnë subvencionet?

Çdo familje e dytë në rrethin e Tetovës dhe të Gostivarit jeton nga bujqësia. Subvencionet që i jep shteti si përkrahje – arrijnë ngadalë në këtë pjesë të Maqedonisë – vlerësojnë ekspertët. Afatet ligjore për pagesën e subvencioneve për vitin e kaluar por afrohen. Sipas njohësve të kësaj problematike, pas “vërshimit” parazgjedhor me para për subvencionet, vështirë se këtë vit shteti do të arrijë t’i paguajë ato në tërësi dhe brenda afateve ligjore. Sektori joqeveritar që e analizon bujqësinë, përmend një sërë dobësish gjatë ndarjes së subvencioneve, por poashtu propozon që ato të paguhen atëherë kur më së shumti u duhen bujqëve.

Në rrethin e Tetovës dhe të Gostivarit – pagesë e dobët e subvencioneve?

“Pagesa e ndihmës financiare të jetë në kuadër të ligjit, e jo në kuadër të partisë politike. Të respektohet Ligji për bujqësi dhe zhvillim rural, e jo ai të interpretohet sipas nevojave dhe vlerësimeve politike.” – kjo është vetëm njëra nga vërejtjet dhe njëkohësisht, rekomandim i Hulumtimit “Ku fillojnë dhe ku përfundojnë subvencionet” – që u realizua nga OJQ-ja “Koalicioni rural”.

Autorët e hulumtimit potencojnë një sërë dobësish. Keqpërdorimi politik i subvencioneve dhe pagesa e tyre jashtë afateve ligjore janë disa nga vërejtjet.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ka keqpërdorim politik të parave, por njëkohësisht është shumë me rëndësi të theksohet se nuk respektohen afatet ligjore për pagesën e plotë të subvencioneve, deri në fund të qershorit. Sipas hulumtimeve tona, kjo nuk ndodh, gjegjësisht mbi 50% e subvencioneve akoma nuk janë paguar. Më duhet të them se shkak për këtë nuk janë bujqit, gjegjësisht kjo nuk është faji i tyre. Ja, tani jemi afër edhe afatit ligjor për pagesën e subvencioneve të vitit të kaluar, një pjesë u paguan para zgjedhjeve, e tani duhet të shohim se si do të paguhet pjesa e mbetur. Një nga vërejtjet kryesore është pikërisht afati për pagesë të subvencioneve. Ato u nevojiten bujqve gjatë mbjelljes, e jo më vonë, pasi të marrin hua për t’i mbjellë arat e tyre” – thotë për “Portalb”-in Nahil Elezi, kryetar i Koalicionit rural.

Sipas kësaj OJQ-je, rreth 27 milionë euro më pak janë paguar për subvencione në vitin bujqësor 2012. Ata thonë se ka dallim ndërmjet shumave të planifikuara për përkrahje të drejtpoërdrejtë të publikuara në Gazetën zyrtare dhe pagesave të subvencioneve të publikuara në faqen e internetit të Agjencisë për përkrahje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural. Institucionet kompetente u përgjigjën se kët numra nuk e pasqyrojnë relitetin për shkak se nuk është përfshirë e githë periudha.

“Informatat e palsuara për shumat e paguara për masat e veçanta nga Programi për përkrahjen financiare të bujqësisë për vitin 2012, siç thekson shoqata “Koalicioni rural”, janë të bazuara në të dhëna jo të plota nga ueb-faqja e Agjencisë për një periudhë të caktuar, pa i siguruar të dhënat zyrtare. Subvencionet paguhen pas përfundimit të kontrolleve të parapara administrative dhe kontrolleve në tokën e çdo bujku, i cili ka dorëzuar në mënyrë të rregullt kërkesë dhe te i cili nuk janë konstatuar parregullsi gjatë kryerjes së kontrolleve”, reagojnë nga APFZHR-ja.

“Është e saktë se nuk është përfshirë e gjithë periudha, por ne operuam me shumat që janë të fundit dhe të cilat janë publikuar në ueb-faqet zyrtare të institucioneve kompetente, të cilat duhet t’i përditësojnë të dhënat e tyre.” – thotë Trajan Dimovski nga kjo organizatë joqeveritare.

Nëse analizohet pagesa sipas rajoneve, Elezi thekson se më problematike është pagesa në pjesën perëndimore të Maqedonisë.

“Në pjesën perëndimore të Maqedonisë, sipas informatave, me tempo shumë të ngadalshme rrjedh pagesa e subvencioneve. Kam informatë se janë paguar vetëm 20%, të cilat kryesisht janë paguar në blegtori, ndërsa te rritja e lopëve, prodhimi dhe shitja e qumështit, si dhe te përkrahja për kokë gjedheje, subvencionet pothuajse nuk janë paguar fare, e dobët janë paguar edhe te podhimtaria bimore. Nga ana tjetër, jemi dëshmitarë se për shembull subvencionet për duhanin janë paguar dhe shtrohet pyetja se a financohet në këtë mënyrë makineria votuese.” – thotë Elezi dhe shton se pikërisht në pjesën perëndimore të vendit çdo e dyta familje jeton nga bujqësia.

“Në gjithë rajonin perëndimor, veçanërisht në atë të Tetovës dhe të Gostivarit çdo e dyta familje merret me bujqësi. E pikërisht në këtë pjesë të Maqedonisë pagesa është duke u realizuar në mënyrë të ngadalshme. Te prodhimtaria e duhanit kemi një situatë specifike. Nga njëra anë këto subvencione paguhen rregullisht dhe në tërësi, e nga ana tjetër, të mos them kemi shitje të përgjysmur të duhanit, gjegjësisht subvencionohet një kulturë bujqësore e cila në aspekt të prodhimi është duke u zvogëluar. Duhet të ketë një plan, strategji për atë se cilat kultura dhe si duhet të stimulohen. Shtrohet pyetja për shembull se si një prodhues i duhanit, i cili me vite merret me këtë kulturë, për shkak të prodhimit të zvogëluar, do të orientohet ndoshta te ndonjë degë tjetër e bujqësisë” – vlerëson Elezi.

Në koncpetin aktual të ndarjes së subvencioneve, OJQ-të përmendin disa dobësi:

“Qeveria duhet të tregojë qasje serioze për miratimin e programit vjetor për përkrahje financiare të bujqësisë. Në vitin 2012 programi për përkrahje financiare të bujqësisë u miratua në shkurt, e deri në fund të vitit u ndryshua edhe 7 herë. E gjithë kjo flet për një qasje joserioze, për keqpërdorim të subvencionevce për nevoja partiake dhe paraqet hapësirë për manipulim me bujqit”, thuhet në hulumtim.

Edhe pse janë konstatuar keqpërdorim me subvencionet, nuk ka të dhëna se kush janë ata njerëz dhe sa është keqpërdorimi, kështu që nga “Koalicioni rural” porosisin:

“Në periudha të caktuara, për publikun janë aktualë disa njerëz që i kanë keqpërdorur subvencionet, por ka shumë të tjerë te të cilët gjatë vizitës së inspektorëve të Agjencisë për përkrahje financiare u konstatua keqpërdorimi ndihmës financiare dhe prej tyre do të kërkohet që t’i kthejnë paratë që i kanë marrë si subvencione. Njerëzit që e kanë keqpërdorur ndihmën financiare dhe të cilët duhet t’i kthejnë paratë, në Agjencinë për ndihmë financiare janë të shënuar në listë të zezë. Nëpërmjet monitoringut të ueb-faqes nuk ka pasqyrë të qartë se kush dhe sa janë ata njerëz, dhe nga cila masë ose nënmasë është bërë kepqërdorimi dhe sa para duhet të kthehen, me ç’rast këto para duhet të minusohen nga pagesa e përgjithshme që në fund ta fitojmë shumën e saktë të subvencioneve të paguara” – thuhet në analizë.

Në Maqedoni ka rreth 100 mijë amvisëri rurale të cilat shfrytëzojnë ndihmë financiare në bazë të subvencioneve, dhe mu për këtë, sipas ekspertëve Programi për përkrahjen financiare të bujqësisë nuk duhet të jetë populist e as me ngjyrim partiak. Në të njëjtën kohë mbetet rekomandimi se subvencionet, të cilat tani janë në funksion të blerjes së qetësisë sociale, do të duhet ta fitojnë funksionin e tyre të vërtetë zhvillimor.

Lajme të ngjashme

Back to top button