Statusi kandidat, Hollanda vendos nesër për Shqipërinë

Holanda, një nga 5 vendet skeptike për dhënien e statusit për Shqipërinë në Dhjetor të 2013, do të vendosë më 17 Qershor se çfarë qëndrimi do të mbajë në lidhje me statusin e vendit kandidat, i cili është rekomandur nga Komisioni Europian për t’u dhënë brenda Qershorit. Ministria e Jashtme holandeze në konsultim me Parlamentin do të hartojë dokumentin mbi të cilin ky vend do të shprehet pro ose kundër dhënies së statusit së vendit kandidat, siç shkruan sot ‘Tema’.

Në një kohë kur mediat në Britaninë e Madhe kanë paralajmëruar një vendim pozitiv për Shqipërinë nga Qeveria e Kryeministrit Cameron, Qeveria holandeze përmes Ministrisë së Jashtme do të përcaktojë nesër qëndrimin që do të mbajë ky vend kundrejt Shqipërisë.

“Institucioni që do të vendosë është Ministria e Jashtme. Ajo do të konsultohet me parlamentin për pozicionin që do të mbajë qeveria për këtë çështje. Ministria po harton një letër, të cilën do t’ia paraqesë parlamentit në ditët në vijim. Diskutimet pritet të bëhen në Parlament në datën 17 qershor”, ka thënë diplomati holandez në Tiranë Martin De la Beij.

Ky i fundit gjatë një ceremonie të zhvilluar në Durrës një ditë më parë, konfirmoi mbështetjen e vendit të tij për proceset integruese të Shqipërisë, ndërsa e cilësoi vendin tonë një vend europian.

Votimi për Shqipërinë do të mbahet në 27 qershor në Bruksel, ndërsa qeveria shqiptare ka nisur një ofensivë diplomatike për të kërkuar mbështetjen për dhënien e statusit. Kryeministri Edi Rama ishte para disa ditësh në Paris, për të lobuar për statusin e vendit kandidat, ndërsa pas takimit me presidentin francez, tha se ishte një takim përtej pritshmërive. Qeveria shqiptare ka lobuar shumë në Holandë, pasi është një nga vendet më skeptike në lidhje me qëndrimin e saj kundrejt dhënies së statusit Shqipërisë. Kryeministri Rama, dhe më pas ministrat Bushati dhe Gjosha kanë zhvilluar një seri takimesh me zyrtarët më të lartë holandezë përfshi edhe Kreun e Qeverisë së Holandës.
Shqipëria pret për të 3 herë një përgjigje positive për marrjen e statusit të vendit kandidat, ndërsa raporti i publikuar në fillim të Qershorit nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule për herë të parë rekomandonte pa kushte dhënien e statusit. Politika shqiptare duket në unision përsa i takon faktit se Shqipëria e meriton statusin, pasi ka plotësuar kushtet e përcaktuara nga Komisioni Europian.

Lajme të ngjashme

Back to top button