Policia aksion në Lazarat, banorët përgjigjen me të shtëna armësh

Të shtëna armësh janë dëgjuar gjatë gjithë natës por edhe mëngjesin e sotëm në fshatin Lazarat të Gjirokastrës.

Forca të shumta policie janë vendosur në hyrje të fshatit ndërkohë që dy postblloqe ndodhet në kufijtë e tij. Në kuadër të operacioneve antidrogë policia pritet të zhvillojë një aksion në Lazarat ku janë të pranishme edhe forcat RENEA.

Të shtënat e armëve nga ana e banorëve kanë filluar që prej mbrëmjes së djeshme pas dyshimit për një ndërhyrje të mundshme të policisë në këtë fshat.

Lazarati, fshati i njohur për kultivimin e hashashit është përfolur shumë si nga mediat vendase dhe ato të huaja për mos ndërhyrjen e policisë. Vetëm pak ditë më parë një nga websitet informative greke, Newsit.gr, ka shkruar se përgjatë kufirit shqiptaro-grek është ndezur një luftë e pashpallur midis policisë dhe trafikantëve të drogës.

“Kultivimi dhe trafikimi i hashashit rritet vit pas viti në fshatin Lazarat, përkundër thirrjeve të vazhdueshme të qeverisë për të ndaluar kultivimin e drogës, si një pengesë e të ardhmes së vendit në BE”- shkruhej në artikullin e këtij website.

Ndërkohë Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kreu i Policisë, Artan Didi kanë paralajmëruar aksione në Lazarat. Didi në një prononcim të fundit u shpreh se dhe në Lazarat vijon kontrolli policor ashtu sikundër në çdo zonë rurale të vendit.(BalkanWeb)

Lajme të ngjashme

Back to top button