fbpx

“KULTI I KAPELËS”

Të nderuar absolventë, të dashur të “paradiplomuar”, pranoni urimet e mia më të përzemërta për ceremoninë përmbyllëse universitare, për “parakalimin me të zeza” apo për “ritualin akademik” që në hapësirën mentale shqiptare konsiderohet tepër i shenjtë, ndoshta më i shenjtë sesa te shpikësit e këtij adeti.

“Hedhja e kapelës” nuk duhet kuptuar si pikëndalesë e fundit në rrugën përplot kthesa të zhvillimit profesional dhe intelektual, përkundrazi, ky akt duhet të trajtohet si hyrje në një labirint që kërkon përgjegjësi, seriozitet, syçelësi dhe energji të jashtëzakonshme për të arritur te kuptimi i “triolës” – “Të mësosh, të kuptohesh, të dashurosh!”

Kini kujdes! “Kulti i kapelës” është vetëm një ndalesë e përkohshme në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të një rrjeti të ngatërruar kalimesh e shtigjesh, të mbidheshme e të nëndheshme, të dukshme e të padukshme, të njohura e të panjohura, të arritshme e të paarritshme.

Këtë ceremoni të cilën shumëkush e quan “Fundi i këndshëm i një fillimi të vështirë”, mund të tingëllojë krejtësisht ndryshe: “Nisma e vështirë e një fundi të lezetshëm” (nuk e kam fjalën për fustanin-mini).

Lutem që të keni gjithmonë vullnet për fuqi, sepse dija për vullnetin dhe fuqia për dijen, sikur edhe pjesëtimi me zero, janë në analogji të plotë. Vlera është e pakufishme!

Një profesor i njohur dhe shumë i çmuar i Historisë në Universitetin e Vjenës, i cili shpeshherë para studentëve të tij i ngatërronte mendimet, do të thoshte: “Edhe pse erudicioni arrihet me përpjekje të vazhdueshme dhe energji të jashtëzakonshme, sërish maja më e lartë në planetin tonë mbetet Mt. Everesti” ose në ndonjë rast që do të përshtatej më tepër me ritin tonë akademik: ”Opera është gjinia më e madhe muzikore, por ‘Kulti i kapelës’ po bëhet, gjithnjë e më shumë, një traditë e fuqishme zakonore”.

Ceremonia e kapelave UEJL
Ceremonia e kapelave UEJL
Tags

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close