Britania, pro statusit për Shqipërinë

Britania një prej 5 vendeve skeptike që ia refuzuan statusin kandidat Shqipërisë, këtë herë do ta mbështesë vendin tonë që të marrë statusin. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta “The SundayTimes”, cila shkruan se burime qeveritare kanë konfirmuar se Britania do të mbështesë Shqipërinë, pavarësisht të gjitha dyshimeve dhe mendimeve kundër të ngritura nga kritikët. Sipas medias britanike kryeministri David Kameron po përballet me një revoltë të re mbi çështjen tashmë të shumë debatuar të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Zyrtarë të lartë dhe deputetë të lartë i kërkojnë atij të ndryshojë mendim për mbështetjen e Shqipërisë në fazën tjetër të aplikimit për të fituar statusin kandidat, vendim që do të merret më 23 qershor nga ministrat e Jashtëm dhe më 27 qershor do të shprehen liderët e Bashkimit Evropian”, shkruan e përditshmja britanike. Kameron ka deklaruar më herët se dëshiron të ndryshojë rregullat e BE-së për lëvizjen e lirë të njerëzve, në mënyrë që punëtorët nga vendet e sapoanëtarësuara në Union, të mos kenë mundësi të hyjnë në Angli deri në momentin kur të ardhurat mesatare në vendin e tyre të jenë të njëjta me ato në vendet perëndimore evropiane, pra deri në arritjen e standardeve evropiane.

Disa nga skeptikët britanikë i druhen faktit se dhënia e statusit dhe më pas, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të shkaktojë dyndje të shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe, pasi sipas tyre Shqipëria është një vatër e krimit të organizuar dhe e trafikimit të qenieve njerëzve. Në dhjetor të vitit 2013, Britania u rreshtua në krah me Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Danimarkën duke bllokuar statusin për Shqipërinë. Tashmë Komisioni Europian përmes një raporti, ka propozuar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, kësaj here pa kushte./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button