Flori Mumajesi ngacmon vajza duke “ia bërë me drita”

Ai është pa diskutim, gjeniu i muzikës moderne shqiptare… Ky ishte refreni i shumë prej këngëtarëve shqiptarë e nga Kosova dy ditë më parë në “Videofestin Muzikor” të zhvilluar në Gjakovë. Flori Mumajesi, apo siç njihet ndryshe ‘makineria e hiteve’ në Shqipëri sipas disa këngëtarëve, sapo ka publikuar për të gjithë artdashësit e tij një këngë ritmike, që ka fituar vëmendjen e publikut që në ditën e parë të publikimit në You- Tube. Ka vetëm dy ditë që është lançuar dhe numri i klikimeve është relativisht i madh.

“Ta boja me drita” vjen posaçërisht për sezonin e verës. Është një këngë që pa diskutim mund ta konsideroni edhe me nota humori. Edhe teksti, edhe fabula, edhe videoklipi janë të tilla. Teksti është i thjeshtë dhe me siguri do të ngulitet shpejt në memorien e këngëve verore të këtij viti. E gjithë kënga është një prodhim  i Florit, i cili është kujdesur për çdo detaj. Interesante në këtë këngë është edhe përdorimi i dritave si pjesë e imazhit të Florit. Fabula dhe videoklipi? Një vajzë e bukur dhe ai. Flori, si një ‘hajdut zemrash’ i vihet nga pas derisa e bën për vete… Pastaj? Pastaj e humb sërish. Dhe fundi i klipit sjell një skenë shumë komike: vajzën bukuroshe, që i drejtohet Florit dhe që papritur e përplas një automjet. Kënga pritet të shndërrohet në një hit veror, por ky nuk do të jetë projekti i vetëm i Florit dhe “Threedots”. Të tjera këngë, shumë të arrira do të lançohen gjatë stinës së nxehtë për të gjithë artdashësit. Flori në fakt, ka ditur gjithmonë të godasë në sezonet e verës, dhe jo vetëm, dhe kjo është arsyeja që e ka bërë të jetë një ndër njerëzit më të kërkuar dhe me më shumë influencë në botën e showbiz-it./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button