Kina – Nga kopjuese në pozicion lideri në teknologji?

Dikur Kina i shërbente botës si punishte. Ajo e shkurtoi rrugën drejt pozicionit të një fuqie ekonomike duke kopjuar teknikën e të tjerëve. Po tani përgatitet të ngjitet vetë në krye të renditjes botërore të inovacionit.

Markat kineze ende janë pak të pranishme në Gjermani. Huawei është një përjashtim. Gjithnjë e më shumë konsumatorë në kërkimin e një smartphone shohin fillimisht çmimin dhe pastaj cilësinë. Por Huawei është më shumë se një version i lirë i Apple. Sipërmarrja e themeluar në fund të viteve 1980 në zonën e veçantë ekonomike Shenzhen, është kthyer prej kohësh në një koncern teknologjik. Ashtu si koncerni tjetër kinez i telekomunikacioni ZTE edhe Huawei bën pjesë në zotëruesit kryesorë të patentave në botë.

Në 2012 Kina ia kaloi Gjermanisë në numrin e patentave të regjistruara. Vetëm në SHBA dhe Japoni u regjistruan më shumë patenta. Nga 650.000 patentat e regjistruara në Kinë, 60 për qind vijnë nga sipërmarrjet. “Kjo na tregon se transformimi i sistemit kinez të inovacionit është mbyllur”, tha Philipp Böing të enjten (12.06.2014) në forumin ekonomik të ZEW në Mannheim. Me këtë ekonomisti nga Qendra për Studime Ekonomike Evropiane (ZEW) ka parasysh transformimin nga një sistem i ekonomisë së planifikuar, ku puna kërkimore zhvillohej në institute dhe e shkëputur nga prodhimi, tek një sistem i karakterizuar nga ekonomia e tregut, ku sipërmarrjet janë forca shtytëse e inovacionit.

Gati për t’u bërë fuqi teknologjike në botë

Kina do jetë në krye të renditjes botërore të inovacionit 5 deri 10 vitet e ardhshme, mendon Philipp Böing

“Kina ka shumë ambicie për t’u bërë një komb teknologjik dhe aktualisht është në prag të realizimit të kësa ambicje”, thotë Böing në intervistë me DW në kuadër të forumit të ekonomisë. Me 2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, Kina shpenzon më shumë para për kërkim dhe zhvillim se sa mesatarja e BE-së, thotë Böing. Që ai nuk e sheh Kinën që tani si fuqi teknologjike ka të bëjë me korigjimet që duhen bërë në numrin e patentave të regjistruara: “Vlera ekonomike e patentave është e shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Në Kinë shohim një masë të madhe regjistrimesh patentash. Por vlera mesatare e këtyre patentave është relativisht e vogël.” Ai mendon se Kina pesë deri dhjetë vitet e ardhshme do të arrijë kreun e renditjes botërore.

Andrew Tylecote nga Universiteti i Sheffield është skeptik. Sigurisht ka disa firma dinamike por në përgjithësi ai nuk i konsideron shumë inovative sipërmarrjet kineze. Një shkak është që kokat më të mira të vendit shkojnë më mirë të punojnë për firma të huaja, tha Tylecote në Mannheim.

Kjo nuk është më plotësisht e vërtetë, kundërshtoi Albert Heuser, shef i BASF për rajonin e Azisë dhe Paqësorit. Të diplomuarit në universitetet më të mira marrin në konsideratë të bëjnë në sipërmarrje shtetërore një karrierë krejt tjetër nga ajo pranë një firme perëndimore.

Koncerni gjerman i kimisë e ka zbuluar Kinën si një qendër kërkimore. 55 milionë euro investon ai në qendrën e tij të zhvillimit në Shanghai. Deri në 2020 një në katër studiues të BASF do të punojnë në rajonin e Azisë dhe Paqësorit, pjesa më e madhe në Kinë.

Viti gjermano-kinez i inovacionit

Kina dhe Gjermania duhet të bashkëpunojnë në fushën e inovacionit, thotë Georg Schütte

Georg Schütte, sekretar shteti në Ministrinë Federale për Arsim dhe Shkencë, e quan këtë tendencë globalizim të kërkimit dhe zhvillimit. Si përgjigje ndaj saj Gjermania do të hyjë në një partneritet inovacioni me Kinën. Kështu kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i Kinës Xi Jinping në pranverë ranë dakord në Berlin që ta shpallin 2015-në vitin e përbashkët të inovacionit. “Ne duam këtë vit të trajtojmë në mënyrë të veçantë tema si urbanizimi, pra zhvillimi i qyteteve, duam të vëmë në qendët të vëmendjes mbrojtjen e ambjentit, prodhimin e energjisë, mobilitetin modern”, tha Schulte për DW.

Këto janë fusha në të cilat Gjermania eksporton teknologji në Kinë por ajo shumë shpejt mund të kthehej në konkurrencë për Gjermaninë. Ku mbaron bashkëpunimi dhe ku fillon konkurrenca? “Konkurrenca fillon atje ku krijimi i vlerës zhvillohet në sipërmarrje”, thotë sekretari i shtetit Schütte. Nganjëherë ia vlen për sipërmarrjet të zhvillojnë bashkarisht kërkime. “Por sa më shumë i afrohen tregut, aq më i madh bëhet interesi personal i aktorëve.”

Izolimin nga frika e konkurrencës Schütte e konsideron ide të gabuar. Ai jep një shembull: para pak kohësh një mangësi në parametrat e sigurisë të router-it Fritzbox u korigjua duke zëvendësuar komponentin gjerman defektoz me një pjesë të prodhuesit kinez Huawei./DW/

Lajme të ngjashme

Back to top button