Rama: Vizita e Papës, ogur i mirë për ne

“Papa Françesku i është përgjigjur pozitivisht dhe tanimë zyrtarisht, ftesës sime për të vizituar Shqipërinë së shpejti.”

Këtë njoftim, kreu i qeverisë Edi Rama ka zgjedhur ta bëjë nga qyteti i Durrësit, i njohur për lidhjet me Romën që në kohët më të vjetra.

“Unë besoj se edhe lajmërimi sinkron sot nga Durrësi dhe nga sheshi “Shën Pjetër” në Romë i kësaj vizite që përbën një privilegj të rrallë për Shqipërinë dhe shqiptarët, është në vetvete një ogur i mrekullueshëm në vigjilje të vendimit që BE-ja duhet të marrë për statusin e vendit
Një privilegj i rrallë për Shqipërinë dhe shqiptarët, një ogur i mrekullueshëm në vigjilje të vendimit që BE-ja duhet të marrë për statusin e vendit tonë”, theksoi kryeministri.

Vizita e Papa Françeskut në Tiranë në 21 shtator bëhet e rëndësishme edhe për dy fakte të tjera: atë se udhëtimi i tij në Tiranë është e para vizitë e tij në Europë që prej zgjedhjes në krye të Selisë së Shenjtë dhe po aq sa për përgjigjen e shpejtë ftesës së qeverisë shqiptare. Përmes kësaj letre, kryeministri Rama sapo u kthye nga Vatikani ftoi Papa Françeskun në Tiranë, ku theksonte rëndësinë e vizitës së tij në Shqipëri, një vend me lidhje të moçme me Vatikanin që meriton të dalë në dritë. Konfirmimi i përgjigjes së ftesës së qeverisë shqiptare nga Papa Françesku, tha kreu i qeverisë shqiptare, mbart mesazhin e shumëfishtë:

“Shpresë dhe inkurajim për Shqipërinë që të vazhdojë në rrugën e vështirë, por të mbarë, të rilindjes dhe të ribashkimit me Evropën; shpresë dhe inkurajim për rajonin që të shkojë më tej në rrugën e sapoçelur të paqes, pas më shumë se 100 vjet luftëra dhe konflikte vëllavrasëse; shpresë dhe inkurajim dhe për vetë Evropën, BE-në që të shohë më larg në rrugën e vet drejt të ardhmes, duke parë me kurajë, pasojat gjithnjë e më të dukshme të dritëshkurtësisë së një zhvillimi ekonomik dhe social, polarizues, mes më të kamurve dhe më të varfërve të kontinentit tonë.”

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri është e dyta që një Papë realizon në vendin tonë pas rënies së diktaturës. Pas Papa Gjon Palit II që e vizitoi vendin në 23 prill të vitit 1993 dhe që përcolli mesazhin e lirisë dhe demokracisë, vizita e Papa Françeskut në Tiranë 21 vite më pas do të sjellë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkanin e rilindur, tha kreu i qeverisë, mesazhin e vlerave të bashkëjetesës në paqe mes etnive dhe besimeve, ndërsa vizita e Papës shihet si e vyer edhe në këtë drejtim.

“Është posaçërisht e vyer për qasjen e tij kaq vëllazërore ndaj besimeve të tjera, kjo tokë ku harmonia e bashkëjetesës mes krishterëve dhe myslymanëve meriton të ruhet si drita e syve dhe të promovohet si një rreze shprese dhe kurajoje për mbarë botën e rrezikuar nga konfliktet fetare”, theksoi Rama.

Kryeministri, në emër të shqiptarëve, shprehu mirënjohjen për përgjigjen e shpejtë të ftesës nga Papa Françesku: “Le të përgatitemi që ta presim këtë Papë të jashtëzakonshëm të shekullit të ri me të gjithë fuqinë mbresëlënëse të mikpritjes tradicionale shqiptare. Zoti e bekoftë gjithmonë kështu Shqipërinë!”/TCH/

Lajme të ngjashme

Back to top button