Zyrat “Një pikë për shërbime” do të mbyllen sepse kanë lëshuar pak dokumente, ministri Aliu: Do të hapen 333 sportele në Posta

Zyrat “Një pikë për shërbime” që ndodhen në Shkup, Kumanovë, Ohër, Manastir dhe Tetovë do të mbyllen pasi që kanë dhënë shumë pak shërbime për qytetarët, ndërkaq po përgatitet hapja e 333 sporteleve në zyrat e Postave të Maqedonisë së Veriut, të cilat do t’i japin shërbimet e njëjta. Kështu paralajmëroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), Azir Aliu gjatë takimit të sotëm me gazetarët, raporton Portalb.mk.

Paralajmërimet e këtilla vijnë pasi që në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit për reformat në administratën publike thuhet se prej qershorit të vitit 2021 deri në qershorin e vitit 2022, kanë konstatuar se të gjitha 5 qendrat “Një pikë për shërbime”, qytetarëve u kanë dhënë vetëm 1.062 dokumente, numër i cili është shumë i ulët.

“Nga ana e personave përgjegjës në MSHIA, nuk janë analizuar arsyet për numrin e ulët të dokumenteve të lëshuara, që e zvogëlon efikasitetin e masës, por edhe ndikimin e arsyetimit të resurseve financiare dhe njerëzore për funksionimin e të njëjtave dhe gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin e problemit”, thuhet në raport.

MSHIA në bashkëpunim me Postat e Maqedonisë së Veriut po përgatitet që të hapë sportele për dhënien e shërbimeve të cilat deri tani i kanë dhënë pesë zyrat e “Një pikë për shërbime”, ndërkaq këto pesë zyra do të mbyllen pasi që kanë dhënë shumë pak shërbime, derisa shpenzimet për mirëmbajtjen e tyre janë të larta.

Takim i gazetarëve me ministrin Azir Aliu, foto: Suad Bajrami
Takim i gazetarëve me ministrin Azir Aliu, foto: Suad Bajrami

Ministri paralajmëroi që fillimisht do të bëhen ndryshime ligjore që të punësuarit e Postës të mund të japin shërbimet që i ofron zyra “Një pikë për shërbime”, ndërkaq më pas do të trajnohen dhe të punësuarit. Sporteli do të jetë brenda zyrave të Postës, me shenjëzim të posaçëm , ndërkaq në vendet ku ka nevojë për kuadër, MSHIA do të ofrojë ndihmë.

“Një pikë shërbime, momentalisht i kemi në 5 qytete – në Shkup, Kumanovë në Ohër, Manastir dhe Tetovë, në të cilat në bazë të analizës shumë pak shërbime kemi dhënë për qytetarët në këto pika dhe gjithashtu analizuam pse është kjo kështu. Nën 1, informimi i qytetarëve ka qenë në nivel shumë të ulët, qytetarët nuk janë të vetëdijshëm se këto forma të shërbimeve mund t’i marrin në këto pika, ne do të punojmë thellë që  t’i informojmë qytetarët. Do të kisha kërkuar edhe nga ju si media që të punojmë bashkë dhe t’i informojmë qytetarët për këto shërbime të cilat mund t’i marrin në këto pika; e dyta, bashkë me Postat e Maqedonisë, ne punojmë që të ndryshojmë disa ligje me qëllim që këto shërbime të mund të jepen në çdo zyrë që Postat e Maqedonisë kanë, kështu që qytetarët do të mund t’i marrin shërbimet e një pikë shërbimit në çdo zyrë të Postat e Maqedonisë”, tha ministri Aliu.

Gjatë takimit me gazetarët, ai tha se brenda gjashtë muajve duhet të vendosen ngjitëset në sportele, ndërkaq në ndërkohë do të bëhen ndryshimet ligjore dhe të trajnohet kuadri.

“Një pikë për shërbime”, mburrje për politikanët, dështim për qytetarët

Një pikë shërbimesh është projekt i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës i cili filloi para katër viteve në vitin 2019-të kohën kur me ministrinë udhëhiqte Damjan Mançevski në kabinetin e kryeministrit Zoran Zaev, për të thjeshtuar qasjen në institucionet publike dhe shërbimet e tyre nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Aty jepen 10 shërbime nga institucionet të ndryshme – Ministrisë së Punëve të Brendshme, Transportit dhe Lidhjeve, Punë dhe Politikë Sociale, Drejtorisë për Librat Amë, Agjencisë për Kadastër dhe Pronë të Patundshme, Agjencisë për Punësim, Drejtorisë për të Ardhurat Publike, Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Regjistrit Qendror.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button