SHBA, aeroplanmbajtëse drejt Irakut

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një aeroplanmbajtëse në Gjirin Persik, me mundësinë e ndërhyrjes në rast se kriza në Irak përshkallëzohet edhe më shumë.

Zëdhënësi i Pentagonit, Admirali John Kirby, pohoi se Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel dha urdhrin, që “USS George H.W. Bush” të lëvizë nga Deti Arabik për në Gjirin Persik, hap ky i cili i ofron Presidentit Obama më shumë elasticitet, nëse “nevojiten masa ushtarake për të mbrojtur jetë amerikanësh, si dhe interesat amerikane në Irak”.

Aeroplanmbajtësen do ta shoqërojë një kryqëzor me raketa dhe një destrojer.

Qindra të rinj irakianë po drejtohen për nëqendrat e rekrutimit, kudo në Bagdad dhe në qytete të tjera, për t’iu bashkuar vullnetarisht luftës kundër militantëve islamikë, të cilët kanë përparuar në të gjithë veriun gjatë kësaj jave.

Vullnetarët iu përgjigjën një thirrjeje të klerikut më të respektuar shiit të Irakut, Ayatolla Ali al-Sistani. Të premten, duke folur në një xhami të Qerbelasë, ai i kërkoi irakianëve të “luftojnë terroristët në mbrojtje të vendit, popullit dhe objekteve të shenjta”, duke e cilësuar luftën kundër militantëve një përgjegjësi të të gjithëve.

Më herët, Barack Obama deklaroi se do të duhen disa ditë për të dalë me një vendim, mbi hapat që do të hidhen në Irak, ndërsa këmbënguli se nuk do të ketë dislokim trupash në terren. Shefi i diplomacisë amerikne, John Kerry, i drejtoi liderëve vendas një apel, që të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e të bashkojnë forcat për mposhtjen e ofensivës islamike.

Një nga veprimet e para, sipas tij, do të ishte ratifikimi i rezultatit të zgjedhjeve nga qeveria, pa vonesë, si dhe krijimi i ekzekutivit të ri, duke qëndruar brenda kornizave kohore kushtetuese.

Edhe pse Uashingtoni nuk e ka pohuar hapur, korrespondentët e huaj thonë se Shtetet e Bashkuara janë të pakënaqura me Nuri al-Malikin dhe qeverinë e tij të drejtuar nga shiitët, për shkak se i kanë injoruar për një kohë të gjatë shqetësimet e sunitëve dhe kurdëve.

Frika se shteti i Irakut dhe Levantit (ISIS) mund të shkaktojë një rebelim sunit, shumë më të gjerë nga sa po ndodh aktualisht, është rritur ndjeshëm, pas raporteve se mes kryengritësve janë bashkuar edhe shumë grupe të tjera, përfshirë Këshillin Ushtarak të Revolucionarëve irakianë. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button