Çudirat e mëdha të Botërorit

Në një event të përmasave gjigante siç është Kupa e Botës ndodh shpesh që të ketë episode interesante, gazmore, por edhe të çuditshme.

Në një event të përmasave gjigante siç është Kupa e Botës ndodh shpesh që të ketë episode interesante, gazmore, por edhe të çuditshme dhe po kaq shpesh ndodh që këto momente të kalojnë pa u vënë re. Kështu, ndërkohë që Botërori në Brazil ka ndezur prej pak ditësh motorët, ju prezantojmë me 5 ngjarjet më pikante, për të cilat nuk keni dëgjuar apo parë ndonjë gjë.

1. Ka qënë një javë perfekte kjo për Balotellin dhe të fejuarën e tij. Fanny Neguesha nuk kishte vetëm fejesën si motiv, por edhe golin e Super Marios ndaj Anglisë për të festuar. Pa shumë bujë e komoditet vipash, modelja belge ndodhej në zemër të tifozerisë së kaltër, e veshur me fanellën e heroit të zemrës, ndërkohë që nuk hezitoi të pozonte me tifozët kundërshtarë.

2. Një plazh nudistësh në kopshtin e shtëpisë? Anglezët shpesh shquhen për idetë e çuditshme dhe e tillë mund të quhet edhe kjo e ish sulmuesit të Anglisë, Kevin Davies. 37-vjeçari i cili aktualisht luan për ekipin e Preston nuk ia doli të ishte në Brazil, megjithatë fantazinë e ka lënë të lirë për ta shijuar Botërorin sipas mënyrës së tij. Pak rërë e disa shezllone i kanë mjaftuar për të patur Copacabanan e tij dhe një plazh nudistësh të tërin për vete.

3. Nga Anglia rikthehemi në Brazil, aty ku francezët duken më të lidhur se kurrë më parë. Eshtë bukur t’i shikosh në stërvitje kaq të lumtur, duke patur parasysh se 2010-ën, në Afrikën e Jugut, lojtarët e kombëtares së gjelave u ndanë në fraksione dhe u revoltuan kundër trajnerit. Mamadou Sakho dhe Rio Mavuba janë në zemër të kësaj feste franceze.

4. Për suksesin 1-0 të Meksikës kundër Kamerunit ka menduar FIFA se si ta zbukurojë gëzimin e amerikano veriorëve. Një grup tifozësh, duke eksploruar në ambientet e stadiumit, gjeti floririn e braktisur nga organizatorët dhe sigurisht që nuk priti ftesë nga askush. Në fakt bëhet fjalë për një arkë të madhe plot me birra dhe të gjithë meksikanët e pranishëm u hodhën në sulm për të mbushur xhepat.

5. E fundit në listë por jo më pak e çuditshmja, madje mund të duket në kufijtë e absurditetit kur e dëgjon. Francezët i kanë kërkuar FIFA-s të hetojë për disa objekte të dyshimta fluturuese, duke pretenduar se ato po përdoren gjatë seancave stërvitore për t’i spiunuar. Kur dëgjon trajnerin Deschamps, çështja duket edhe më serioze. Sipas tij, këto mjete fluturuese që komandohen në distancë janë shkelje e privatësisë dhe i takon FIFA-s të zbardhë këtë operacion spiunazhi në zemër të Botërorit./ Supersport

Lajme të ngjashme

Back to top button