RMV, këto janë dokumentet e nevojshme për regjistrimin në klasën e parë

Certifikatë lindjeje, certifikatë mjekësore nga dentisti, certifikatë për kryerje të kontrolliut në oftalmolog, si dhe certifikatë për pranimin e vaksinave. Këto janë dokumentet që prindërit e nxënësve të klasës së parë duhet të sigurojnë për të regjistruar fëmijët e tyre në klasën e parë. Periudha e aplikimit fillon më 1 maj dhe përfundon më 31 maj. Prindërit/kujdestarët këtë vit, si vitin e kaluar, kanë mundësinë të plotësojnë aplikim elektronik për regjistrim, i cili gjendet në faqen e shkollës në të cilën duan të regjistrojnë fëmijën e tyre. Megjithatë, regjistrimi elektronik nuk është i detyrueshëm, por dokumentet mund t’i dorëzojnë drejtpërdrejt me prezencë fizike në shkollën ku duan të regjistrojnë fëmijën e tyre, transmeton Portalb.mk.

Sipas rregullave, në klasën e parë regjistrohet çdo fëmijë që ka mbushur 6 vjeç ose do të mbushë 6 vjeç në fund të vitit kalendarik. Me përjashtim, mund të regjistrohet deri më 31 janar të vitit pasardhës, por kjo ndodh me kërkesë të prindit/kujdestarit, si dhe pas marrjes së mendimit nga pedagogu apo psikologu i shkollës.

Kjo do të thotë se në klasën e parë mund të regjistrohen të gjithë fëmijët e lindur në vitin 2017, të cilët do të jenë gjashtë vjeç deri në fund të vitit, por edhe fëmijët e lindur para datës 31 janar 2018, pas një kërkese paraprake të prindit dhe mendimit të marrë nga shërbimi i ekspertëve.

“Gjatë regjistrimit të fëmijës në klasën e parë, prindi, përkatësisht kujdestari, është i detyruar të dorëzojë vërtetim për kontroll te oftalmologu, të lëshuar nga institucioni kompetent shëndetësor. Nëse prindi/kujdestari nuk dorëzon vërtetim për kontrollit oftalmologjik, është e nevojshme t’i bashkëngjitet ose të paraqesë udhëzim për kryerjen e kontrollit oftalmologjik”, bën me dije Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nëse prindi/kujdestari informon se ka fëmijë me aftësi të kufizuara, atëherë duhet të paraqesë edhe vlerësim funksional nga komisioni i ekspertëve për vlerësimin e fëmijëve dhe të rinjve për mbështetje shtesë arsimore, sociale dhe shëndetësore, sipas Klasifikimit ndërkombëtar të funksionimit, aftësi të sufizuar dhe shëndet (KNF).

Drejtoresha e shkollës fillore “Grigor Përliçev” në lagjen Hekurana, Aleksandra Petkovska Anastasov, sqaron se do të ketë proces testimi për fëmijët që do të regjistrohen në klasën e parë.

“Testimet e fëmijëve do t’i bëjnë anëtarët e komisionit të regjistrimit. Këto teste do të tregojnë se cilat janë njohuritë e tyre të përgjithshme, por edhe cila është pjekuria e tyre emocionale. Dyert e shkollës janë të hapura për nxënësit tanë të ardhshëm të klasës së parë”, thotë Petkovska Anastasov.

Ndryshe, në nivel të Maqedonisë çdo vit zvogëlohet numri i nxënësve, duke përfshirë edhe ata të klasës së parë. Nëse në vitin shkollor 2011/2012 në vend kishte 986 shkolla, në dhjetë vjet ky numër u ul në 973. Kjo tregon se në një dekadë janë mbyllur 13 shkolla, pa llogaritur shkollat ​​rajonale në pjesët rurale, pasi Enti Shtetëror i Statistikave (EShS) numëron shkollat ​​që janë qendrore/amë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button