Liderët kosovar kërkojnë kapjen e vrasësit të Pistës

Kryeministri i Kosovës ka ngushëlluar familjen e kandidatit për deputet të PDK’së Elvis Pista i cili u vra pas orës 01:00 në mesnatë në vendlindjen e tij në Rahovec. Hashim Thaçi me anë të një telegrami ka ngushëlluar gjithë familjen Pista.

Më poshtë po e sjellim të plotë telegramit e kryeministrit Thaçi

Me tronditje e hidhërim të thellë mësova për ndarjen e papritur e të parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë, që njëherazi ka qenë edhe bashkëpunëtor e mik imi, Elvisit.

Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës t’ju shpreh juve, të afërmve dhe miqve të tij, ngushëllimet më të sinqerta, si dhe solidaritetin dhe mbështetjen tonë më të madhe.

Në këto momente të rënda dëshiroj të ndaj me ju dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të Elvisit, i cili do të mbetet në kujtesën tonë si një njeri i dashur, energjik dhe korrekt.

Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen jam vënë në kontakt me institucionet përgjegjëse. Ju siguroj që shteti është duke marrë të gjitha masat e duhura dhe do të bëj të gjitha përpjekjet e nevojshme që ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vendos autorët e këtij akti barbar sa më shpejt para përgjegjësisë ligjore, që të marrin dënimin e merituar.

E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë vepër kriminale të shëmtuar, që ka tronditur mbarë vendin. Dhe, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë dijeni për rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë që të bashkëpunojnë pa humbur kohë me policinë dhe prokurorinë, në mënyrë që drejtësia të vihet sa më shpejt në vend.

____________________________

Haradinaj kërkon kapjen e autorëve të vrasjes së Pistës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, me keqardhje të thellë mori lajmin për atentatin që i mori jetën kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së në Rahovec, Elvis Pista.

Kryetari Haradinaj, në emrin e tij personal, të kolegëve dhe anëtarësisë së gjerë të Aleancës, në këto momente të rënda pikëllimi ia përcjellë ngushëllimet më të thella familjes Pista, qytetarëve të Rahovecit, kolegëve e bashkëveprimtarëve të Elvisit, Partisë Demokratike të Kosovës dhe të gjithë të pikëlluarve të tjerë.

Njëkohësisht, kryetari Haradinaj fton organet e rendit dhe të drejtësisë që të jenë ekspeditive, t’i zbulojnë dhe t’ua japin dënimin e merituar autorëve të këtij akti tragjik, të shëmtuar e të ultë që mori jetën e Elvis Pistës, thuhet në kumtesën e AAK-së.

____________________________

Ngushëllon Veseli, autorët e ngjarjes makabre do të dënohen

Zv/Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është shprehur se ka pësuar tronditje kur ka mësuar lajmin mbi krimin e tmerrshëm që ndodhi mbrëmë, që i mori jetën Elvis Pistës, kandidatit për deputet të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Më tronditi ngjarja makabre, akti kriminal i vrasjes së veprimtarit Elvis Pista.Autorët e këtij akti kriminal dhe të shëmtuar do marrin denimin e merituar. Ngushllimet e mija për familjen, shokët dhe bashkëveprimtarët”, shkroi para pak momentesh Veseli në facebook.

Lajme të ngjashme

Back to top button