A duhet të kenë shqiptarët e Maqedonisë një parti të majtë?

A duhet të kenë shqiptarët e Maqedonisë një parti të majtë? Si partitë që shohim në Perëndim. Në Francë, në Itali, në Britani, në SHBA.

Sigurisht që po. Ne po globalizohemi me shpejtësi dhe, nëse sot tregut tonë nuk i mungon Nokia, nuk i mungon Mercedes, nuk mund t’i mungojnë as partitë. Edhe partitë janë produkt i tregut. Por ndryshe nga mallrat e tjera, ato nuk importohen si sasi, por si cilësi. Partitë nuk importohen si mall, por si model. Ato lindin për shkak të nevojës që ka tregu për të ndryshuar. Partitë e djathta për shkak të nevojës së tregut për t’u zmadhuar. Të majtat për shkak të nevojës për t’u mbrojtur.
Por tregu është shfarosës, nëse nuk frenohet. Në të vërtetë është vetëvrasës. Është shumë i verbër dhe pak i trashë. Tregu nuk kupton se, duke varfëruar të varfrit, varfëron dhe veten. Sepse nuk blen ai që nuk ka. Në këto raste, nevoja e shoqërisë për t’u mbrojtur nga grykësia e tregut të vet, kthehet në urgjencë.. Shoqëritë e prapambetura shkojnë në luftëra të brendshme, që quhen edhe revolucione, nëse përmbysin regjime.

Ndërsa shoqëritë moderne nuk shkojnë në luftë të brendshme, sepse lufta e ka koston më të lartë se zgjedhjet. Shoqëritë moderne votojnë. Nëse rreziku i tregut është i madh, votojnë me pak djathtas. Nëse papunësia është e lartë, votojnë majtas. Nëse pasuria është grumbulluar vetëm në disa duar, votojnë vetëm majtas. E majta në këto kushte ka vetëm një detyrë: të ndalojë tregun, të shkojë në vetëvrasje.

Ka shumë që mendojnë se ne jetojmë në një vend që është shumë i vogël, për të pranuar ideologjitë e mëdha që lindin në Perëndim. Historikisht kjo është e gabuar. Asnjë doktrinë apo sistem politik, shtetëror, ekonomik apo fetar nuk ka ikur pa lënë një gjurmë në vendin tonë. Pa përjashtim. Roma, Greqia e Lashtë, Bizanti, Osmanizmi, Krishterimi, Islamizmi, Mesjeta, Feudalizmi, Monarkia, Fashizmi, Komunizmi, Kapitalizmi. Edhe e majta, edhe e djathta. Pra, ajo që ndodh në Perëndim, nuk mund të mos ketë ndikim këtu. Të gjitha fetë, perandoritë dhe ideologjitë politike kanë ardhur nga jashtë. Demokracia poashtu. Kapitalizmi poashtu. Nevoja për ta humanizuar kapitalizmin, poashtu. E dyta, për shkak të trysnisë së tregut dhe shoqërisë. Ato kanë nevojë të rregullohen duke shtyrë njëra-tjetrën. Për këtë arsye përsosin mjetet e tyre. Që janë partitë.

Në historinë e demokracive, e djathta nuk ka qenë kurrë më agresive. Dhe më e sinqertë. Nuk fsheh më atë që do. Dominim në emër të tregut. Nëse Europa do ishte dominuar nga e majta, ndoshta do vuante nga sindroma të tjera, sigurisht, por jo nga monopolet e një apo disa shteteve. E majta i bën më pak koncesione tregut, e takson më pak punën dhe shumë më tepër kapitalin. Në fund fare nuk bën luftëra për të gjetur tregje. Eksporton demokraci me kosto më të ulët dhe me fitime më afatgjata. Në përgjithësi bota është më e qetë, ndonëse duket pak më e varfër. Ndryshimi që ajo ka nga e djathta, mbi të gjitha  është marrëdhënia që krijon me tregun, me kapitalin dhe me punën. Çfarë i merr dhe çfarë u lë atyre?

Në vendin tonë, tregu është kaotik. Është i rrëmujshëm. Por pothuajse gjithçka sot është bërë private. Edhe vetë shteti. Si perceptim. Sepse, nëse njerëzit besojnë se u është rrezikuar e drejta për të zgjedhur, shteti u duket si ndërmarrje private, ku votuesit janë punëtorët e saj. Dhe kur shtetet imitojnë kompanitë, shoqëria zhvendoset. Si rregull majtas.

Lajme të ngjashme

Back to top button